Vrasja në Podujevë, Prokuroria kërkon paraburgimin e të dyshuarit

Gjykata e Prishtinës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit për vrasjen në Podujevë që ndodhi ditën e hënë.

Seanca dëgjimore nga gjyqtari kujdestar i procedurës paraprake lidhur me këtë rast do të mbahet ditën e nesërme.

Këtë për Kallxo.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi.

Një person ka mbetur i vdekur ndërsa një grua ka mbetur e plagosur si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri dje në Podujevë.

Lidhur me rastin është ndaluar një person i dyshuar.

“Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e një personi të dyshuar, në rastin e vrasjes së rëndë në Podujevë”- ka bërë të ditur për KALLXO.com, Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Ditën e djeshme, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se po merret me rastin e vrasjes që ndodhi në Podujevë.

Në njoftim thuhet se me të pranuar informatën nga Policia, prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes.

“Sipas informatave fillestare, në rrugën “Zahir Pajaziti” Podujevë, nga të shtënat me armë zjarri, një person nuk ka mundur t’iu mbijetojë plagëve të marra nga arma e zjarrit, me ç’ rast nga ekipi mjekësor është konstatuar pa shenja jete, ndërkaq një person tjetër është plagosur dhe dërguar për ta marrë ndihmën mjekësore” – thuhej në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.