Specialja ia vazhdon paraburgimin Jakup Krasniqit

Trupi gjykues në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka vendosur që edhe ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi t’i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë.

Ky panel gjyqësor përbëhet nga kryetari i trupit gjykues – Charles L. Smith III, Christoph Barthe dhe Guénawl Mettraux – anëtarë të trupit gjykues dhe Fergal Gaynor – gjyqtar rezervë.

Sipas vendimit, Paneli ka konkluduar se bazuar në standardin përkatës, ekziston rreziku që Jakup Krasniqi të pengojë mbarëvajtjen e procedurës para Dhomave të Specializuara dhe rreziku që ai të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përfshirë dëshmitarët që kanë ofruar ose mund të ofrojnë prova në këtë çështje dhe/ose duhet të paraqiten para Dhomave të Specializuara.

Vendimin e plotë publik në gjuhën angleze, mund ta gjeni këtu.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së filloi më 3 prill 2023, dy vjet pas arrestimit dhe dërgimit të tyre në Hagë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.