KDI: Ministria e Shëndetësisë pagoi 209% më të shtrenjtë branat për pacientët me hemodializë

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka publikuar raportin e monitorimit të prokurimit publik në Ministrinë e Shëndetësisë, ku ka analizuar kontratat për furnizim me material shpenzues për hemodializë.

Në raportin e KDI-së, janë analizuar tre kontrata publike, për furnizim me material shpenzues për Hemodializë, të cilat ishin zhvilluar gjatë vitit 2018.

Për kontratat e analizuara, Ministria e Shëndetësisë kishte shfrytëzuar një procedurë të hapur dhe dy me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.

Kontrata me procedurë të hapur ishte karakterizuar me vonesa deri në 8 muaj dhe si pasojë Ministria për të përmbushur nevojat e repartit të Hemodializës, kishte lidhur dy kontrata të tjera me procedurë të negociuar dhe pa i publikuar ato me vlerë totale prej 1 milion e 449 mijë euro.

Gjithashtu, sipas KDI-së, në mungesë të njohurive për çmimet e ofertuara, Ministria kishte shfrytëzuar si bazë të negocimit çmimet e kontratës paraprake, kontratë e lidhur me një operator që për më shumë se 10 vite ka furnizuar repartin e Hemodializës me produkte.

Pas analizimit të çmimeve, KDI ka vërejtur se çmimet në kontratën emergjente ishin deri në 209% më të larta se çmimet e ofertuara nga i njëjti operator në procedurën e hapur, tre muaj më vonë.

Ministri i Uran Ismaili, pas publikimit të këtyre të gjeturave nga monitorimi i KDI-së, tha se korrupsioni për shumë vite me radhë e ka dëmtuar rëndë sektorin e shëndetësisë dhe është krijuar një monopol për shitjen e barnave për pacientë.

“Furnizimi me barna në sektorin e hemodializës është një shembull i keq se si është keqpërdorur sistematikisht. Sot është e pakuptimtë të flasim për monopol në këtë sektor, ku për një bar që ka kushtuar 3.3 euro është shitur 65 euro”, ka thënë Ismaili.

Ndërsa deputeti i LDK-së Haxhi Avdyli, që është edhe anëtar i komisionit për shëndetësi, ka thënë se konkluzionet e këtij raporti flasin që nuk është heq monopoli, por ka kaluar nga një monopol në një tjetër.

“Konkluzionet flasin dhe shprehin ndryshime shumë të thella dhe ndoshta ministri duhet ta sqarojë para gjithëve se pse duhet të vonohet 8 muaj kjo procedurë, dhe të njëjtën kohë pas vonimit 8 muaj të fillohet me një procedurë emergjente, duke krijuar mundësinë për rritje të çmimeve, për mua kjo është ndryshim evident”, ka deklaruar Avdyli.

KDI-ja ka dhënë rekomandime për Ministrinë e Shëndetësisë  që procedurat e prokurimit të iniciohen në kohën e parashikuar, të bëjë një analizë të tregut për blerjet dhe të sigurohet që të mos krijohet situatë monopoli.