Foto: Albin Kurti, facebook

Mosemërimi i ministrit të Shëndetësisë, Gërvalla tregon se kush është personi më adekuat për këtë pozitë

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se me partnerin qeverisës – Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), janë duke u munduar të gjejnë një kandidat ekselent për të drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, Gërvalla ka thënë se bashkëpartiaku i saj, deputeti Haxhi Avdyli, është personi më i përshtatshëm për këtë pozitë.

“Nuk është e habitshme që neve na duket që anëtari i partisë tonë i cili është në fushën e shëndetësisë me dekada është një personalitet i respektuar, deputet, nuk është çudi që na duket me i mirë sesa disa të tjera” – tha ajo.

“Vendimin për ministrin e ri të Shëndetësisë e merr natyrisht kryeministri, Qeveria, nuk e merr partia Guxo . Po t’më pyesni mua do të thoja që jemi munduar mjaftueshëm, po kërkojmë një zgjidhje jo të mirë, jo shumë të mirë, por një zgjidhje ekselente, dhe nganjëherë zgjidhjet e tilla kërkojnë kohë” – shtoi ajo.

Më 6 tetor, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i kësaj Ministrie gati një vit pas emërimit të tij në këtë pozitë.

Ai kishte marrë drejtimin e Ministrisë pas dorëheqjes së Arben Vitisë, i cili kishte dhënë dorëheqje për shkak se kishte garuar për kryetar të Prishtinës.