Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bekim Haxhiu - Arben Vitisë: A do t’i braktisësh pacientët për të kandiduar për kryetar komune?

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka pyetur ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitinë nëse ai do të kandidojë sërish për kryetar të komunës.

Bekim Haxhiu duke folur në komisionin për Shëndetësi ku raportonte ministri Vitia, pretendoi se ministri po përdorë Ministrinë e Shëndetësisë si trampolinë për të kërcyer nga një pozitë në tjetrën. Ai pyeti Vitinë nëse do t’i braktisë pacientët për të kandiduar për kryetar të komunës.

Ministri Vitia iu përgjigj duke thënë se nuk do të kandidojë në nivelin lokal.

Në komision u përmend edhe bordi i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar. Haxhiu pyeti ministrin se me çfarë note e ka vlerësuar këtë bord, i cili nuk ka shpallur konkurs për drejtor të ShSKUK-së.

“Onkologjia edhe sot është pa udhëheqës. Kemi lista të gjata të pritjes, mjekë e profesionistë shëndetësorë po ikin nga institucioni publik” – shtoi Haxhiu.

Për këtë pyetje, ai nuk mori përgjigje.

Shemsedin Dreshaj nga AAK, anëtar i komisionit tha se shëndetësia nuk ka qenë kurrë më keq duke përmendur disa probleme të këtij sektori.

“Shëndetësia kurrë ma keq nuk është kanë. Kemi mungesë të listës së barnave esenciale, kemi listë të pritjes, kemi trajtim jashtë vendit me borxhe milionëshe, mungesë të ligjit për shëndetësi dhe sigurime shëndetësore, mungesë e ikje të stafit shëndetësorë jashtë Kosovës” – tha Dreshaj.

Sipas tij, shëndetësia nuk menaxhohet me çipa (USB) e masa administrative. Ai tha se duhet gjetur metoda për stimulimin e punëtorëve shëndetësorë.

“Ajo çka ne kemi qenë të interesuar ka qenë aspekti i skemës legjislative” – shtoi ai.

Ministria Vitia tha se është dakord me shumicën e problemeve të përmendura nga Dreshaj, mirëpo shtoi se “nuk mund të hyjmë në histori”.

Ai tha se detyrën e tij e ka pranuar me përgjegjësi të plotë.

Deputeti Haxhi Avdyli foli për Ligjin për Kontrollimin e Duhanit. Ai tha se të gjitha institucionet e qytetarët kanë hequr dorë nga zbatimi i këtij ligji.

Për këtë Vitia tha se duhet të fillohet plotësim ndryshimi i ligjit në fjalë.

Po ashtu, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu pyeti Vitinë për vlerën e pagës që ka pasur në institucionin privat ku ka punuar, para se të rikthehej në krye të ministrisë.

“Sa ka qenë paga juaj në Olive? A keni punu vet apo edhe ndonjë familjar është punësu aty? Ju nuk e mbroni as përfaqësoni interesin e sektorit publik, ju përfaqësoni sektorin privat” – u shpreh Haxhiu.

Vitia akuzoi Haxhiun se ka spekuluar se paga e tij ka qenë 5,000 euro kur në fakt ka qenë 3,500 bruto.

“E kuptoj pjesën politike tënde. Juve ju lejohet me bo spekulime e mu nuk më lejohet me bo spekulime” – ka shtuar i pari i shëndetësisë.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në kompaninë Olive, por deri më tani, nga kompania nuk kanë kthyer përgjigje për diskutimet në Kuvend për pagën e ministrit Vita sa ishte pjesë e kësaj kompanie.

Ai riktheksoi se Agjencioni Kundër Korrupsioni ka vendosur që punësimi i tij në institucion privat nuk ka pasur konflikt interesi.

“Gruaja ime punon në Olive dhe nuk e mbaj fshehur” – tha ministri.

Arben Vitia shtoi se nuk merret me disa gjëra njëkohësisht, nuk është sikur te tjerët që merren edhe me sport edhe me ShSKUK e me shumë aktivitete të tjera.

“MSh nuk është institucion i institucioneve private” – u shpreh ai.

Në të njëjtin takim të komisionit, Vitia sot tha se spitalet kanë mungesa bazike dhe se siç është rritur buxheti për shëndetësi duhet të rritet edhe llogaridhënia.