Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Avdyli në foltoren e kuvendit

Haxhi Avdyli sqaron deklaratën: ‘Bile edhe partive minoritare u ka ardhë rendi’ ta drejtojnë Ministrinë e Shëndetësisë

Një fjali e deputetit të partisë Guxo, Haxhi Avdyli, e thënë sot në seancën e Kuvendit ku po diskutohej për sektorin e shëndetësisë, është konsideruar raciste në opinion.

“Bile edhe partive minoritare u ka ardhë rendi që të udhëheqin me këtë sektor” – ka thënë Avdyli teksa po fliste për përgjegjësinë që e kanë të gjitha partitë që kanë udhëhequr me Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë.

Pak minuta më pas, Avdyli e ka marrë fjalën prapë dhe prej foltores së Kuvendit ka thënë se kjo deklaratë nuk ka të bëjë me racizëm.

“Nga kolegët e mi nga partitë minoritare po edhe nga Facebook-u po vijnë disa reagime që kam thanë se Ministrinë e Shëndetësisë e kanë udhëhequr të gjitha partitë, bile edhe minoritetet. Dikush e paska shkruajtur se ky është koment racist, absolutisht nuk është racist, por është vlerësim që u është dhënë besimi me udhëheqë dy ministra të Shëndetësisë dhe ka të bëjë në kuptimin pozitiv që të gjitha partitë e kanë udhëhequr Ministrinë” – ka thënë Avdyli.

Ai tutje ka shtuar se është ndjerë keq që të konsiderohet e tillë deklarata e tij.

“E pash dhe u ndjeva keq që një koment i tillë të bëhet kur unë i konsideroj partitë minoritare si parti të këtij Kuvendi, si çdo parti tjetër”- ka shtuar deputeti Avdyli.

Avdyli këtë fjali e ka thënë gjatë shqyrtimit të rezolutës së PDK-së lidhur me gjendjen në sektorin e shëndetësisë.

“23 vjet pas çlirimit, ky dështim në këtë sektor, mund të themi se faji nuk është jetim. Të gjitha partitë kanë udhëhequr këtë sektor, bile edhe partive minoritare u ka ardhë rendi që të udhëheqin me këtë sektor. Po ashtu edhe Lëvizja Vetëvendosje ka udhëhequr për dy vite, prandaj siç duhet t’i ndajmë meritat ne duhet t’i ndajmë edhe përgjegjësitë që nuk kemi arritur ta ringrisim një sektor funksional shëndetësor” – ka deklaruar ai.