Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Si u bind Përparim Rama t’i hyjë garës për Prishtinën?

Kandidati i zgjedhur për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se ftesa për të kandiduar për Prishtinën i ka ardhur nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ai në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime” tha se ofertën e ka marrë në muajin maj të këtij viti dhe është ndjerë shumë i privilegjuar.

“Në muajin maj e kam marrë një thirrje nga një mik i përbashkët me Lumir Abdixhikun, një mik i fëmijërisë, i cili më kërkoi ta merrja seriozisht këtë ofertë. Fillova të qeshja sepse nuk e  mora si të tillë në fillim, por pastaj jam telefonuar prapë dhe sigurisht unë u ndjeva i privilegjuar për këtë”, tha Rama.

Rama tutje shtoi se deri në atë moment nuk ka qenë i interesuar për politikë.

Ai  theksoi se menjëherë është nisur për në Kosovë, ku edhe është takuar me Lumir Abdixhikun.

“Kjo ka qenë risi për mua sepse deri atë moment unë partitë i kam parë si organizata që të gjitha gjërat i bëjnë brenda partisë, i kanë strukturat e këto, prandaj edhe nuk kam qenë kurrë i interesuar. Pastaj jam nisur për Kosovë dhe për herë të parë jam takuar me Lumirin, e kuptova që ai më kishte analizuar, dinte për projektet e mia dhe gjithçka tjetër”, shtoi tutje Rama.

Përparim Rama gjithashtu potencoi se i ka bërë me dije kryetarit të LDK-së që një gjë të tillë i duhet ta diskutojë edhe me bashkëshorten e tij, pasi është njeri familjar me tre fëmijë.

“I kam thënë Lumirit se duhet ta pyes edhe gruan pasi i kam edhe tre fëmijë. Ajo më ka thënë se nëse e kam përnjëmend, do më përkrahë deri në fund. Por, unë e kisha menduar edhe nëse nuk e  pranoja këtë ofertë dhe po pyesja veten si do ndihesha pas 20 vitesh kur unë kam pasur mundësinë të kontribuojë për qytetin tim dhe nuk e kam bërë këtë”, shtoi tutje Rama.

Përparim Rama ka fituar garën për kryetar të Prishtinës, duke e mposhtur në balotazh Arben Vitinë e LVV-së.