Abdixhiku për ftesën e Kurtit për takim: S’ishte e sinqertë, ishte kërkesë për instrumentalizim

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se ftesa e kryeministrit Albin Kurti për të takuar partitë opozitare javën e kaluar “nuk ishte as e sinqertë e as e vërtetë”.

Abdixhiku thotë se në tekstin e ftesës flitej për agjendë legjislative, ndërkaq në përmbjtje ishte diskutim për zgjedhje.

Sipas kreut të LDK-së, dy kryetarë partish nuk kanë se çfarë të takohen për agjendën legjislative kur i kanë përfaqësuesit në Kryesinë e Kuvendit.

“Ftesa nuk ishte as e sinqertë e as e vërtetë, nuk ishte e sinqertë sepse në tekstin e ftesës flitej për agjendë legjislative që dy kryetarë partish s’kanë çfarë takohen kur kanë përfaqësuesit në Kryesinë e Kuvendit. U pa se nuk është e sinqertë sepse përmbajtja së paku prej deklarimeve, ishte se flitej për zgjedhje, në qoftë se do të flasësh për zgjedhje, kërko takim për zgjedhje. E dyta, nuk ishte e vërtetë sepse në këto tri vite të Qeverisë së tanishmene si parti opozitare, si LDK, përkundër faktit që kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit, përkundër se kemi pasë konstruktivitet, jemi përballë me një përbuzje dhe një propagandë të pashoq të kryeministrit dhe Qeverisë”- është shprehur Abdixhiku në emisionin Pressing.

“Tani në një rrethanë të tillë unë nuk mund ta strehoj gjithë betejën politike të ndyrë në gjashtëmujorin e fundit të mandatit, është tepër vonë. Është shumë vonë”- ka shtuar ai.

Kryetari i LDK-së tha se për çështje madhore, pra për çështje të sigurisë, do të ishte takuar me kryeministrin.

“Pra nuk ishte e vërtetë sepse për çështje madhore ne edhe ishim takuar, për çështjen e veriut edhe ishim takuar, për çështje të sigurisë kishim marrë pjesë. Por, jo për çështjen e draft-statutit të Asociacionit, ai nuk e kishte parë të arsyeshme të ndajë me partitë opozitare një dokument të tillë, e kishte Vuçiqi shumë para nesh, por partitë opozitare nuk e kishin”- theksoi ai.

Abdixhiku konsideron se ftesa e Kurtit nuk ishte për bashkëpunim, por “ishte kërkesë për instrumentalizim”.

“Ose merreni shembullin e bashkëpunimit parlamentar, prej tre viteve buxhet të aprovuar asnjë amendament i opozitës nuk ka kaluar. Pra s’kishte vërtetësi në ftesën për bashkëpunim, ishte një kërkesë për instrumentalizim dhe këtë e kuptuam dhe patëm një qëndrim që është shumë parimor”- tha Abdixhiku.

Në një darkë e cila zgjati rreth tre orë mes Kurtit dhe kreut të PDK-së, Memli Krasniqi, më 13.05.2024, është diskutuar edhe për çështjen e zgjedhjeve të parakohshme. Këtë takim e kanë refuzuar dy partitë opozitare, AAK dhe LDK.

Pas këtij takimi, Kurti tha se është i interesuar që ta diskutojë edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet.

Kurti deklaroi se nuk do të preferonte që të shpërndahet Kuvendi me dy ose tri parti, por që të gjithë “të jenë bashkë”.

Ndërkaq, kreu i PDK-së theksoi se është i gatshëm të gjejë një dakordim me të gjitha partitë për një datë të zgjedhjeve të reja, përmes një mocioni të përbashkët.