Gjikolli: Për dy ditë e rregulluam problemin me rrjedhje të rrezatimit
Agjencia për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore për herë të parë ka konstatuar se në Klinikën e Radiologjisë në QKUK nuk ka rrjedhje të rrezatimit dhe rrjedhimisht kjo Klinikë ka fituar licencën nga kjo Agjenci për të vazhduar punën e rrezatimit apo rentgenit.
Për disa vite me radhë në Radiologji ka pasur rrjedhje të rrezatimit, gjë e cila rrezikonte personelin shëndetësor dhe pacientët, mirëpo një problem të tillë drejtori i kësaj Klinike, Bujar Gjikolli, thotë se e ka rregulluar për dy ditë.
“Ne u angazhuam dhe për dy ditë e rregulluam. E thirra një mik që e di që merret me plumb në privat, e thirra prokurimin ju thash a e rregulloni a mundemi me i thirrë (Agjencinë për Mbrojtje nga Rrezatimi), më thanë OK, e mora lejen nga drejtori i atëhershmë (Basri Sejdiu) ,i mbuluan rrjedhjet dhe i thirra Agjencinë, erdhi dhe e konstatoi se nuk ka rrjedhje”, tregoi ai në emisionin “Kallxo Përnime”.
Me të rregulluar këtë problem, Gjikolli thotë se menjëherë i kanë lajmëruar Agjencionë për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe këta të fundit vizituan Radiologjinë dhe pas konstatimit të tyre Klinika e Radiologjisë për herë të parë fitoi licencën për mbrojte nga rrezatimi.
Ai sqaron se Agjencia për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore herë pas herë viziton Radiologjinë për të konstatuar nëse ende gjendja me pjesën e rrezatimit është në rregull.
Radiologu po ashtu sqaron se Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ende nuk ua ka bërë pagesën e plotë punëtorëve për punën e bërë, për të cilën ai thotë se nuk e di arsyen pse.
Sa i përket rrezikut nga rrezatimi, drejtori potencon se në momentin që radiologu nuk qëndron në sallën e rrezatimit por në pjesën jashtë, në kabinetin afër sallës, asnjëherë nuk është i rrezikuar.
“Ne për herë të parë kemi arritë nga menaxhmenti të marrim buxhet që të blejmë mbrojtje personale”, tregon ai.