Djemtë në Fakultetin e Mjekësisë mbështesin vajzat që denoncuan profesorin për ngacmim seksual

Si rrallë herë, djemtë – studentë në Programin Farmaci në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, kanë rrëfyer dhe dëshmuar për ngacmimet seksuale që thuhet janë bërë ndaj kolegeve të tyre nga profesori i Shkencave Matematikore, Xhevat Krasniqi.

Duke u dalë në mbrojtje shoqeve të tyre, ata janë shprehur të gatshëm të dëshmojnë për ngjarjet me të cilat janë përballur koleget e tyre.

Studenti ‘Trimi’ në kushte anonimiteti i tha Jeta Xharrës se ka qenë tek dera kur shoqja e tij ‘Teuta’ po zhvillonte provimin, dhe se e ka parë e dëgjuar kur profesori kishte ngacmuar kolegen e tij.

“Më tutje edhe në konsultime tek banka ka qenë profesori me vajzën në fjalë që është ngacmu seksualisht, unë kam qenë te dera duke e pa provimin edhe e kam dëgju edhe e kam pa me sytë e mi kur profesori e ka ngacmu kolegen duke i thanë “kur dush të bëjë masazh” edhe ka tentu edhe e ka përqafu, mandej kolegia nuk ka pasë mundësi me e refuzu përqafimin prej anës së profesorit, por njëkohësisht as unë nuk kam pasë mundësi me e ndalu këtë ngacmim seksual, sepse jam frikësu prej anës tem që profesori ka me m’u hakmarrë tutje në provim”- ka deklaruar ai.

Trimi thotë se ka qenë prezent kur siç tha ai, profesori pas ushtrimeve i ka ndjekur koleget duke iu drejtuar me fjalët “sa mirë i keni lyer buzët”.

“Faktikisht unë i kam dëgju me veshët e mi se kam qenë prezent, kam qenë prezent qysh kur kemi dalë pas ushtrimeve që profesori në njëfarë forme i ka ndjekë koleget prapa, duke iu shku prapa edhe duke iu thënë “sa mirë i keni ly buzët, i keni ly buzët e kuqe, por ty nuk të rrinë mirë sikur i rrinë kësaj tjetrës”, domethënë që është një ngacmim shumë i madh seksual”- thotë Trimi.

Më tej, ai thotë se ka dy vite prej kur ka hyrë në provim tek Krasniqit dhe ani pse e ka kaluar me shkrim, kur janë zhvilluar konsultimet ai nuk ka kaluar në lëndën e profesorit.

Ndërsa, studenti “Albion”, i cili gjithashtu ka folur anonimisht për KallxoPërnime, thotë se komentin “Buzët e kuqe po duken mirë, më mirë se kësaj”, e ka dëgjuar me veshët e tij.

“Po ashtu edhe njëri prej komenteve që është cek aty në ankesë që është “Po duken buzët mirë”, unë jam kanë mbas kolegeve të mia dhe profesorit. E kam dëgju me veshët e mi që i ka thënë “Buzët e kuqe po duken mirë, më mirë se kësaj” edhe pas pak ka thanë “Ika se po më pret njana te Interexi”, në ato momente. Edhe ka ec me nxitimin”- është shprehur studenti.

“I kam dëgju gjatë gjithë semestrit të parë edhe në konsultime të janarit dhe pas konsultimeve të kolegeve të mia, janë ndi shumë keq koleget edhe na kanë tregu pas konsultimeve që këto komente janë kanë ndaj tyre”- shton Albioni.

Edhe studenti ‘Burimi’ thotë se e ka dëgjuar profesorin teksa i drejtohej vajzave me fjalët ““Shumë bukur po dokesh, shumë bukur je vesh”.

Burimi tregon se ai dhe kolegët e tij djem, janë frikësuar qe të ankoheni pasi nuk e dinin nëse e njëjta do të adresohej në mënyrë të duhur.

“Unë me thënë të drejtën, janë ndier keq, normal siç duhet të ndihet çdo koleg, por siç e thanë edhe kolegët më parë, ne kemi pasur frikë edhe nuk e kemi ditur se nëse ankohemi, ankesa jonë a do të adresohet në mënyrë të duhur, qysh duhet”- ka deklaruar ai.

Trimi thotë se Këshilli i Etikës deri më tash nuk i ka kërkuar që të dëshmojë për koleget e tij, përderisa i njëjti ka shprehur gatishmërinë që të njëjtin rrëfim dhe dëshmi do ta bëjë kurdo që i kërkohet.

Edhe pse profesori Xhevat Krasniqi është larguar nga Fakulteti i Mjeksisë, Albioni nuk pranon që të identifikohet, pasi sipas tij ka kolegë të Krasniqit që po e përkrahin këtë të fundit.

“Unë frikësohem me dalë me fytyrë se kam frikë se profesori ka me u hakmarrë në të ardhmen, ose prej kolegëve të tij, siç po ndodh me Këshillin e Etikës, që nuk po na përkrah, jo po na përkrah, por vetëm të vendosë drejt. Po, kolegët e tij po e përkrahin edhe kjo është frika e vetme”- i ka thënë Albioni Jeta Xharrës.