Çitaku tregon nëse LVV ka tentuar të marrë votën e deputetëve të PDK-së, fton Presidenten për rol më aktiv në zgjidhjen e ngërçit
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku në Kallxo Përnime ka folur për bllokadën e shkaktuar në Kuvendin e Kosovës, zgjedhjet lokale dhe Konventën zgjedhore të kësaj partie.
Ajo ka thënë se PDK është e zhgënjyer me situatën politike në vend, derisa ka folur edhe për tendencat e LVV-së për të marr deputetë nga kjo parti.
Sipas saj, institucionet nuk po mund të japin zgjidhje për shtrenjtimin e shportës së konsumatorit dhe se në të njëjtën kohë nuk ka ngritje të pagave.
“Në vend se të shkonim në Kuvend për të shkaktuar bordin e ZRRE-së, ne po shkojmë aty për t’u bërë dëshmitarë të një kryeneçësie dhe një ambicie të pashpjegueshme” – ka thënë Çitaku në KallxoPërnime.
E pyetur se a ka ‘gjueti’ të deputetëve nga VV, Çitaku e konfirmon se ka pasur.
“Nuk do të doja të hyj në detaje, sepse nuk kam qenë pjesë e bisedimeve të tilla, por po kemi pas deputetë që kanë treguar edhe publikisht që u janë ofruar nga Lëvizja Vetëvendosje, ka pasë tendecë të hapur për të “trafikuar” vullnetin e qytetarëve, por deputetët e PDK-së as nuk shiten e as nuk blihen” – ka deklaruar Çitaku.
Çitaku, tutje nuk ka shprehur besim se do të ketë zgjidhje në Kuvendin e Kosovës teksa i ka bërë thirrje Presidentes të merr një rol më aktiv në kuadër të mandatit të saj.
PDK është e gatshme, sipas Çitakut të takohet me liderët politikë për të dalë nga situata e tanishme në vend.
“Kryetari dhe kandidati për Kryeministër takohen me të gjithë dhe ne nuk kemi frikë të takohemi me askënd. Jemi takuar edhe kur Kurti ka bërë ftesë për konstituimin e Kuvendit, por që ka rezultuar i pasuksesshëm për shkak se Kurti dëshiron diktat” – ka shtuar Çitaku.
Më pas, Çitaku ka refuzuar të komentoj 15 pikat e propozuara nga Lidhja Demokratike e Kosovës për Qeverinë e Tranzicionit, kjo për shkak se sipas saj VV ka refuzuar këtë propozim.
Ajo u shpreh e gatshme që PDK dhe partitë e tjera që kanë qenë në opozitë, të formojnë Qeverinë e re.
E pyetur se pse nuk ka kundërkandidat për Memli Krasniqin në garën për të parin e PDK-së, Çitaku thotë se PDK është e përkushtuar për ekip dhe se nuk ka garë në mes tyre por që gara është me oponentët politikë.
PDK ka mbajtur Konventën e 11-të zgjedhore më 21.06.2025 dhe Krasniqi u rizgjodh kryetar i PDK-së.
Për kandidatët e zgjedhjeve lokale, Çitaku ka thënë se nuk është e autorizuar të flas për këtë çështje.
E pyetur se a ka gjasa që zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare të mbahen përnjëherë më 12 tetor, Çitaku thotë se për qytetarët kjo nuk është zgjidhje e mirë.
“Për politikanët do ishte më e lehtë që të mbaheshin për një ditë por jo për qytetarët. Qytetarët duhet ta dinë kush është asamblisti, kush e përfaqëson e cilat janë projektet. Natyra e zgjedhjeve lokale dallon shumë nga natyra e zgjedhjeve parlamentare” – ka shtuar Çitaku.