Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, Foto: KALLXO.com

Çfarë Asociacioni po bëhet?

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, ka folur për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ajo në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se drafti i fundit i Asociacionit është më i miri deri më tash.

“Topi është te Bashkësia Ndërkombëtare, pra më së paku varet nga ne. Ata na kanë prezantuar një draft për të cilin thonë se nuk krijon asnjë nivel ekzekutiv dhe as nuk e cenon shtetin e Kosovës. Me që na e kanë sjellë atë draft, kryeministri ka qenë i interesuar ta nënshkruaj, nëse Serbia është e gatshme ti nënshkruaj të tri dokumentet gjë që nuk ka ndodhur atë ditë. Prandaj unë nuk mendoj që drafti që kemi marrë është i shkëlqyeshëm por mendoj që është shumë më i mirë se sa shumë të tjera që kemi pasur në tavolinë, duke përfshirë edhe atë që është arritur marrëveshja e që e ka shkelur Kushtetutën” – tha Gërvalla.

Ajo ka thënë se Asociacioni është një prej çështjeve të cilat Serbia në vazhdimësi e trajton si kryesoren.

“Ata e marrin një temë psh para një viti ka qenë çështja e targave e vendosin atë temë si më të rëndësishmen e mundshme dmth si ekzistenciale dhe fillojnë debatojnë rreth asaj teme pa asnjë synim minimal” – ka shtuar tutje ajo.

Ky dokument për themelimin e Asociacionit duhet t’i ofrojë një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit komunitetit serb në Kosovë.

Mes tjerash, ai parasheh qartë mundësinë e mbështetjes financiare të Asociacionit nga ana e Serbisë, si dhe “një kanal efikas dhe të drejtpërdrejtë të komunikimit ndërmjet komunitetit serb të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës përmes Ministrisë së Administrimit të Vetëqeverisjes Lokale”.

Kompetencat e tij janë arsyet përse autoritetet në Kosovë kanë refuzuar, deri më tash, ta formojnë Asociacionin.

https://kallxo.com/lajm/cfare-parasheh-draft-statuti-per-asociacionin/