A u intervistuan pjesëtarët e Listës Serbe nga Policia e Kosovës, a u bastisën pronat tyre?

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka komentuar kuvendin e zgjedhor të Listës Serbe që u mbajt 24 tetor, në të cilin u zgjodh kryetari i ri, Zllatan Elek, i cili që nga viti 2020 ka qenë drejtor i Spitalit në Mitrovicë të Veriut – institucion që funksionon me sistemin serb.

Hoxha ka thënë se Lista Serbe po tenton të pastrohet nga elemente kriminale dhe terroriste, teksa shtoi se do të hetojnë gjithçka që mund të lidhet me rolin e spitalit, ambulancave e manastirit në sulmin e  Banjskës.

“Siç duket Lista Serbe tash tenton edhe shërbimet e sigurisë së Serbisë tentojnë që LS-ja të pastrohet nga elemente krimianlë, terroristë që kanë qenë atë ditë të kyçur në operacion edhe sic duket ndoshta tentojnë të marrin një formë tjetër edhe një fytyrë tjetër në udhëheqje të politikës së tyre por sidoqoftë edhe kjo lidhja e kësaj partie politike me spitalin edhe më shumë po dëshmohet”- ka thënë Hoxha.

“Sidoqoftë ne do të hetojmë gjithçka që lidhet me spitalin, rolin e spitalit, me rolin e ambulancave, të manastirit, kishave të tjera që mund të jenë të përfshirë në mbështetje të grupit kriminal apo grupeve të tjera që mund të jenë në të ardhmen” – theksoi ai.

Drejtori i PK-së tha se nuk kanë bastisur deri më tani ndonjë pronë të politikanëve që lidhen direkt me Listën Serbe, por nuk përjashtoi që kjo do mund të ndodhë në të ardhmen.

“Ne nuk do amnistojmë askënd, do të shikohet roli i secilit në mbështetje të këtij grupi kriminal se çfarë lidhje kanë pasë, sa e kanë ndihmu, mbështetë, a kanë qenë pjesë aktive e grupit kriminal dhe varësisht fakteve e dëshmive ne kemi me ndjekë secilin duke u koordinu me prokurorinë” – është shprehur Hoxha.

“Aktualisht ne e kemi bastisë mbi 30 lokacione në veri, me sa kam informacione nuk është bastisë dikush prej politikanëve të Listës Serbe, po nuk përjashtohet mundësia sepse jemi duke shku faza faza, do të thotë Policia e ka ndërtu një plan hetimi dhe në çdo fazë të operacionit konsultohet dhe merr aprovim nga prokurori special”- nënvizoi ai.