Fatmir Elezi, udhëheqës i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në Ministrinë e Arsimit, Foto: KALLXO.com
A e mblodhi Nagavci ministrinë për t'i trajtuar rezultatet e testit PISA?
Rezultatet e testit PISA tregojnë që vetëm nxënësit nga Republika Domenikane dhe Filipinet janë më të dobët se ata në Kosovë.
Edhe krahasuar me rajonin Kosova është me dallime të mëdha. Shqipëria është 7 vende më lartë se Kosova, Mali i Zi 20 vende më lart e Serbia 32 vende më lartë.
Në emisionin “Kallxo Përnime”, u diskutua për dështimin e Kosovës në testin PISA. udhëheqës i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në Ministrinë të Arsimit, Fatmir Elezi, tha se ministrja Nagavci nuk i ka ftuar në mbledhje të gjitha divizonet për të diskutuar rreth rezultateve të PISA-s.
“Si divizion kemi formuar një grup, do ta bëjmë një raport për këtë gjendje. Kemi pasur takime me ministren por jo me të gjitha divizionet. Mirëpo ministrja ka pasur takim me të gjitha divizionet veç e veç”, – tha Elezi.
Statistikat e dështimit, Kosova më keq se Palestina e Ukraina
Elezi ka shtuar se Ukraina ka mbajtur testin vetëm në disa vende që nuk ka luftë, duke marrë parasysh që sistemi i arsimit në këtë shtet është shumë i zhvilluar.
“E ka pasur një sistem më cilësor të arsimit sesa Kosova ndërsa Palestina është hera e parë që merr pjesë dhe gjendja që është tash nuk ka qenë para tre viteve” – tha Elezi.
Ndër të tjerash, ai ka thënë se Kosova ka qenë më e dobët edhe në vitin 2015 dhe në vitin 2018.
“Mirëpo distanca mes Kosovës dhe vendeve të rajonit është afruar krahasuar me vitet paraprake” – ka thënë Elezi.
Testi PISA 2022 është mbajtur nga data 25 prill deri më 20 maj të vitit 2022 dhe janë testuar 6027 nxënës 15-vjeçar, nga 229 shkolla.
Në matematikë Kosova është në vendin e 74 nga 80 shtete pjesëmarrëse, me 355 pikë. Në lexim, Kosova është në vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse, me 342 pikë. Në shkencë, Kosova është në vendin e 77, me 357 pikë. Në matematikë dhe lexim, Kosova ka 11 pikë më pak se në vitin 2018, ndërsa në shkencë i ka 8 pikë më pak.
Në vitin 2018, Kosova është ranguar e treta nga fundi i listës së rezultateve, nga 79 shtete pjesëmarrëse. Me 353 pikë në lexim, 366 pikë në matematikë dhe 365 pikë në shkencë.
Kurse, në vitin 2015, në lexim Kosova kishte 347 pikë, në matematikë 362 dhe në shkencë 378 pikë.
Çka është PISA dhe cili është këndvështrimi i saj për Kosovën?