Foto: RTV21

Notari premtues nga Malisheva

“Mos vendos limite në asgjë, sa më shumë ëndërron, aq më larg do të shkosh”, është një prej thënieve më të famshme të Michael Phelps, i cili ka fituar 28 medalje olimpike, 23 prej tyre të arta.

Noti konsiderohet si një ndër sportet më të dobishme, i cili vë në funksion të gjithë muskujt e trupit.

Me këtë ka filluar të merret qysh në moshë të re edhe notari 18-vjeçar nga Banja e Malishevës, Driard Shala.

Ai ka treguar se ka filluar të stërvitet që nga mosha 5-vjeçare ndërsa profesionalisht me not merret që nga mosha 11-vjeçare.

Shala është anëtar i klubit të notit “Besa”. Si notar i këtij klubi, Shala ka marrë pjesë në gara të nivelit republikan dhe atij nacional.

Notari nga Malisheva, Driard Shala

Notari nga Malisheva ka marrë pjesë në garën e Kupës së Republikës së Kosovës; Kampionatin e Republikës së Kosovës; Prishtina Cup 2021; Garën Ndërkombëtare NEPTUN-CUP në pishinë 25 metra; Kampionatin e Shqipërisë, gjithashtu edhe në garën memoriale “Esmir Shala” të organizuar nga klubi ku bën pjesë Shala.

Djaloshi i talentuar nga Malisheva ka marrë pjesë edhe në garën “Bifurkacioni”, të mbajtur në Ferizaj dhe atë “Zahir Pajaziti”, e cila është mbajtur në shkollën e notit “Zenit”.

Ëndrra e 18-vjeçarit nga Banja e Malishevës është që të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Notit dhe Lojëra Olimpike.

Kërkesë e djaloshit të talentuar nga Malisheva është që të ketë më shumë pishina cilësore për sportin e notit në Kosovë.

“Unë mendoj që në të ardhmen e afërt kish qenë një mundësi e artë që sporti i notit të inkuadrohej edhe në procesin mësimor pasi që sjell benefite të jashtëzakonshme”, ka theksuar Shala.

Autori Driard Shala është nxënës i gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.