Ilustrim

Inspektorët e Ferizajt Konfiskojnë Gjysmë Toni Mish të Prishur

Komuna e Ferizajt ka njoftuar sa përmes një aksioni së bashku me Policinë e Kosovës kanë ndaluar një mjet i cili po transportonte rreth gjysmë toni mish dhe nënprodukte të tjera të prishura.

“Paraditen e sotme Policia e Kosovës kanë njoftuar drejtuesit e Inspektoratit Komunal për një mjet transportues i cili po bartte mish dhe nënprodukte të mishit të dyshimta”, thuhet në njoftimin e Komunës së Ferizajt.

Më tutje, sipas njoftimit, inspektorët kanë konstatuar se ky mish ishte i prishur.

Inspektorët e veterinarisë dhe sanitarë kanë dalë menjëherë në vend të ngjarjes nga ku pas kontrollit të cilësisë së produktit që po bartej me këtë mjet transportues, kanë konstatuar se një sasi prej afro gjysmë toni mish dhe nënprodukte të tij janë të prishura”, vijon njoftimi.

Në njoftim thuhet se prishja e produkteve të mishit u konstatua ngase mjeti me të cilin barteshin nuk i plotësonte kushtet për transport të mishit.

“Mjeti me të cilin po transportohej kjo sasi mishi nuk përmbushte kushtet e nevojshme higjieno-sanitare për ruajtjen e freskët të mishit dhe nënprodukteve të tij”, thuhet në njoftimin e Komunës së Ferizajt.

Më pas, kjo sasi e mishit është asgjësuar nga inspektorët e rastit.

“Pas ekzaminimit të produkteve, inspektorët përkatës kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për konfiskimin dhe asgjësimin e tyre dhe procedimin e mëtutjeshëm konform rregullativës ligjore në fuqi”, thuhet në njoftim.

KALLXO.com ka raportuar se Prokuroria në Ferizaj ka urdhëruar mbledhjen e informatave në lidhje me mishin e konfiskuar nga inspektorët e kësaj komune.