Humbjet dhe fitimet minimale të ndërmarrjeve publike në Ferizaj

Tri ndërmarrje lokale në Komunën e Ferizajt, Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastërtia”, Ndërmarrja Publike Lokale “Ambienti” dhe “Stacioni i Autobusëve” kanë dalë me humbje ose me fitime minimale në vitet 2021 dhe 2022.

Përveç kësaj, dy prej këtyre ndërmarrjeve, KRM “Pastërtia” dhe “Stacioni i Autobusëve morën edhe subvencione nga Kuvendi Komunal i Ferizajt në vitin 2021.

Këto të dhëna janë evidentuar në raportet e punës të viteve 2021 dhe 2022 të këtyre tri ndërmarrjeve.

KRM “Pastërtia” – më shumë shpenzime se sa të hyra në vitin 2022

Në vitin 2022, KRM “Pastërtia” ka operuar me humbje. Bazuar në të dhënat e raportit të punës së kësaj ndërmarrje për vitin 2022, KRM “Pastërtia” pati 2,079,384 euro të hyra ndërsa shpenzimet kapën vlerën prej 2,110,661 euro.

Sipas këtyre të dhënave, kjo kompani gjatë vitit 2022 shpenzoi 31,276 euro më shumë se që pati të hyra.

KRM “Pastërtia” në vitin 2021 pati inkasim të të hyrave në vlerë prej 2,055,298 euro teksa shpenzimet për vitin 2021 kapnin vlerën prej 2,026,755 euro. Në vitin 2021, për krahasim me vitin 2022, kjo kompani doli në fitim, edhe pse fitimi ishte minimal apo 28,543 euro.

Gjatë vitit 2021, kjo ndërmarrje pranoi edhe një subvencion në vlerë prej 80 mijë euro.

Në raportin e punës të vitit 2022 është evidentuar që KRM “Pastërtia” ka edhe borxhe. Në vitin 2021, obligimet e kësaj kompanie ndaj operatorëve të tjerë ishte 835,382 euro ndërsa në vitin 2022 ky borxh ka shkuar në 1,212,511 euro.

Kryeshef Ekzekutiv i KRM “Pastërtia” është Basri Sula, i cili ka ardhur në këtë pozitë që nga qershori i viti 2021. Ai është anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës si dhe gjatë këtij mandati, bashkëshortja e tij Agnesa Bobi-Syla është anëtare e Kuvendit Komunal të Ferizajt si përfaqësuese e AAK-së.

Sula ka konfirmuar për KALLXO.com se është anëtar i AAK-së në një intervistë dhënë rreth grevës së punëtorëve të ndërmarrjes KRM “Pastërtia”.

“Është e vërtetë që unë jam anëtar i AAK-së, shumë është e vërtetë. Jam anëtar i AAK-së, anëtar i thjeshtë edhe kam qenë që 20 vjet, me krenari” – pati deklaruar Sula.

Fitimi minimal i kompanisë “Ambienti” në vitin 2022

Ndërmarrja Publike Lokale “Ambienti” vitin 2021 e mbylli me humbje ndërsa vitin 2022 me një fitim minimal. Në vitin 2021 kjo ndërmarrje pati humbje në vlerë prej 32,626 euro kurse vitin 2022 e përfundoi me 6,802 euro fitime.

Gjatë vitit 2022, kjo kompani pati të hyra në vlerë prej 409,717 euro kurse shpenzime në vlerë prej 402,915 euro. Ndërsa në vitin 2021, kjo ndërmarrje publike lokale pati 308,163 euro të hyra kurse 340,789 euro shpenzime.

Vitin 2022 kjo ndërmarrje e mbylli me 20,371 euro detyrime afatshkurtra si TVSH, tatimi në paga e kontributi i pagueshëm.

Shumicën e shpenzimeve “Ambienti” e pati në shpenzime administrative kurse pati edhe shpenzime të shpërndarjes, financiare si dhe shpenzime të tatimit në fitim.

Sipas raportit financiar të “Ambientit” për vitin 2021, arsyeja e këtyre humbjeve është sepse nuk janë faturuar me kohë Kuvendit Komunal të gjitha faturat edhe pse shërbimet sipas tyre ishin kryer, kjo për shkak se “Ambienti” thotë se Komuna e Ferizajt kishte raste të shumta tek Përmbaruesi Privat dhe kishte mungesë të burimeve financiare.

“Ambienti” thotë në raport se nëse faturimi do të kryhej me kohë do të ishin të ekspozuar në pagimin e TVSH-së dhe edhe pse pagesat nuk do ishin kryer nga Komuna, ndërmarrja do ishte e detyruar të paguajë TVSH-në dhe do kishte implikime financiare më shumë.

Ky raport thotë se të dëmtuar financiarisht janë edhe nga projekti tre-vjeçar i Komunës së Ferizajt për ndërtimin e tregut të kafshëve prej nga kjo kompani nuk po arrin të ketë të hyra deri në përfundimin e projektit. Impakti mujor nga mungesa e këtyre të hyrave sipas “Ambientit” ishte 2 mijë euro.

Kryeshef ekzekutiv NPL “Ambienti” është Arton Gavazi. Gavazi deri në ditën që u zgjodh kryeshef në këtë ndërmarrje ishte asamblist në Kuvendin Komunal të Ferizajt me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Ai u zgjodh asamblist në zgjedhjet lokale të vitit 2021.

Gavazi prej 25 qershorit 2020 e deri në përfundimin e mandatit të kaluar të kryetarit të Ferizajt Agim Aliu, shërbeu si nënkryetar komune.

Gavazi u zgjodh Kyreshef i NPL “Ambienti” më 1 gusht të vitit 2023.

“Stacioni i Autobusëve” me 948 euro fitim në vitin 2022

Në vitin 2022, “Stacioni i Autobusëve” doli me 948 euro në fitim. Të hyrat e kësaj ndërmarrje ishin në vlerë prej 218,587 euro kurse shpenzimet në vlerë prej 217,638 eurove.

Ndërsa sipas raportit të vitit 2021, Ndërmarrja Publike Lokale “Stacioni i Autobusëve” pati performuar me humbje saktësisht me humbje prej 6,540 euro. Por humbja është kthyer në fitim në raportin e vitit 2022 kur është folur për performancën e kësaj ndërmarrje në vitin 2021. Sipas raportit të vitit 2022, NPL “Stacioni i Autobusëve” ka dalë me 2,450 euro fitim.

Në lidhje me këtë dallim në dy raporte, Stacioni i Autobusëve në Ferizaj e kanë shpjeguar në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com.

“Ky ndryshim ka ndodhë si pasojë e një subvencioni nga Kuvendi Komunal ku pas përmbylljes dhe dorëzimit të raportit 2020-2021 dhe miratimit të tij, gjatë një analizimi të gjendjes bankare për disa arsye tjera të ndërmarrjes, kemi hasur në këtë gabim teknik ku këto të hyra nga subvencioni nuk janë paraqitur në raport. Këtë gabim teknik e kemi paraqitur tek pasqyra e të ardhurave në raportin vjetor 2021-2022” – thuhet në përgjigjen e kësaj ndërmarrjeje.

“Stacioni i Autobusëve” ka treguar se në inkasim më të pakët të të hyrave ka ndikuar edhe projekti “Bashkimi i Qytetit” për shkak të të cilit disa autobusë nuk kanë hyrë fare në stacion.

Kryeshefe ekzekutive e ndërmarrjes “Stacioni i Autobusëve” është Albulenë Çalaj. Çalaj në zgjedhjet lokale të vitit 2013 ishte pjesë e listës së Partisë Demokratike të Kosovës për Kuvendin Komunal të Ferizajt.

Çalaj iu bashkua kësaj ndërmarrje publike në vitin 2018 teksa në vitin 2020 u zgjodh kryeshefe ekzekutive.

Këto tri ndërmarrje publike lokale raportuan para kuvendarëve ferizajas në seancën e Kuvendit Komunal të datës 30 tetor 2023.

Sipas Planit të Punës së Kuvendit Komunal të Ferizajt, ndërmarrjet publike lokale duhej të raportonin për punën e tyre të vitit 2022 në seancën e muajit mars të këtij viti.

KRM “Pastërtia” është ndërmarrja publike lokale që kryen mbledhjen dhe largimin e mbeturinave, pastrimin e rrugëve dhe largimin e deponive ilegale në Ferizaj, Shtime dhe Kaçanik. NPL “Ambienti” është ndërmarrje që kryen veprimtari shërbyese të rastit për transportin tokësor, pastrimin e përgjithshëm të ndërtesave, parqeve të argëtimit si dhe aktivitetet e mirëmbajtjes dhe kujdesit për sheshet dhe parkingjet. NPL “Stacioni i Autobusëve” është ndërmarrja tjetër lokale në Ferizaj, në hapësirën e së cilës operojnë rreth 270 autobusë në ditë.