Salla e sporteve dhe panaireve në Greme të Ferizajt, Foto: Sahide Brati/ KALLXO.com

Salla e sporteve dhe panaireve në Greme të Ferizajt ende jashtë funksionit

Pesë vjet më parë në Greme të Ferizajt nisi një projekt që synonte hapësira të reja për të rinjtë e kësaj ane. Por, Salla e sporteve dhe Panaireve nuk u funksionalizua as pasi përfunduan punimet.

Nga qeverisja lokale thanë se salla pritet të lëshohet për përdorim së shpejti, ndërsa opozita në Ferizaj ka kritikuar ekzekutivin lokal dhe qeverisjen e kaluar për neglizhencë në punime. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka bërë të ditur se gjatë këtij viti pritet të furnizohet salla me pajisjet të cilat i mungojnë.

Kjo sallë filloi si projekt në vitin 2018, në bashkëpunim mes Komunës së Ferizajt dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ndonëse planifikohej të funksionalizohej në gusht të vitit 2021 akoma është jofunksionale.

Përfaqësuesi i fshatit Greme, Besim Ahmeti, ka thënë se kjo palestër sportive është e nevojshme.

“Punët kanë shku ngadalë, ishte koha e pandemisë me siguri për këtë. Tash është shumë afër finalizimit, kam hy, e kam pa, brenda, është afër finalizimit, gjendja e objektit është e mirë”- ka thënë ai.

Salla e sporteve dhe panaireve në Greme të Ferizajt, Foto: Sahide Brati/ KALLXO.com

Ahmeti kërkon që të përurohet salla e objekti të shfrytëzohet.

Komuna e Ferizajt udhëhiqet nga Agim Aliu (Partia Demokratike e Kosovës).

Kurse, asamblisti nga Lëvizja Vetëvendosje në Ferizaj, Arbnor Murseli, ka thënë se ky projekt është neglizhuar nga qeverisja e kaluar.

“Ka qenë një neglizhencë në mes të komunës dhe ministrit të asaj kohe, fatmirësisht me Qeverinë Kurti dhe ministrin Z.Çeku me një intensitet të shtuar ajo më është e gatshme vetëm mbetet të përurohet që do t’i shërbejë bashkëqytetarëve të fshatit Greme dhe në përgjithësi qytetit tonë”- ka thënë ai.

Ai ka shtuar se ankesat kryesore të banorëve kanë qenë për neglizhencën e komunës për mosfunksionalizim të objektit.

Ndërsa, asamblisti nga PDK-ja në Ferizaj, Arian Imeri ka thënë se Ministria e Kulturës ka premtuar që kjo sallë do të furnizohet me pajisje sportive deri në fund të shtatorit.

“Nga informacionet që kemi objekti është përfunduar, është pranuar teknikisht, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka premtuar që do ta furnizoje me inventar dhe pajisje tjera sportive deri në fund të shtatorit të këtij viti. Deri tani nuk është furnizuar prandaj nuk mund të përdoret për zhvillim të aktiviteteve sportive për panaire nuk ka pas ndonjë kërkesë”- ka thënë ai.

Sipas tij, nëse MKRS-ja nuk e mban premtimin, Komuna e Ferizajt, duhet mbase që me mjete vetanake ta funksionalizojë.

Por, ai ka shtuar se përderisa Ministria nuk ka hequr dorë mendon se duhet të presin edhe një kohë.

Çfarë thonë nga komuna dhe MKRS-ja?

Drejtori i Infrastrukturës në Ferizaj, Meriton Hajdini, tregoi se pse ky objekt është akoma jashtë funksionit.

“Vonesat në këtë projekt kanë qenë si pasojë e pandemisë COVID dhe më vonë edhe kriza nga inflacioni. Gjitha punimet e parapara me projekt janë përfunduar dhe salla është e gatshme për furnizim me inventar, ku këtë pjesë e ka marrë përsipër MKRS dhe sipas informacioneve që kemi janë në fazën finale të tenderimit për furnizim me inventar për këtë sallë”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Hajdini ka shtuar se sapo të përfundojnë këto procedura palestra do të jetë e gatshme për aktivitete sportive.

“Me furnizimin e inventarit salla do të jetë e gatshme për aktivitete sportive, por duhet theksuar se salla ka qenë e gatshme për panaire dhe aktivitete pa pajisje të sportit, por deri më tani nuk kemi pas ndonjë kërkesë për këto lloj të aktiviteteve”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Sipas tij, Ministria i ka kryer pagesat rreth këtij projekti.

“Kosto e këtij projekti është mbi 1.2 milion euro dhe lidhur me pagesat e këtij projekti MKRS ka përfunduar gjitha obligimet, përjashto këtu ngritjen 20% të parapara me ligjin për inflacion”- shtoi Hajdini.

Në anën tjetër, nga Ministria e Kulturës për projektin që ka një kosto rreth 1.2 milion euro treguan arsyet e vonesave

“Nuk është funksionalizuar për shkak se në paramasën e kontratës paraprake nuk kanë qenë të përfshira rekuizitat dhe pajisjet sportive të cilat janë të domosdoshme për funksionim të kësaj ndërtese si palestër sportive”- thuhet në përgjigjen e tyre me shkrim.

Gjatë këtij viti pritet të furnizohet kjo sallë me pajisjet të cilat i mungojnë.

“MKRS tashmë i ka përfunduar të gjitha obligimet pjesë e memorandumit dhe ka marrë përsipër procedurën e rekuizitave sportive për funksionalizim, procedurë e cila veç është në proces të prokurimit dhe do të përfundojë gjatë këtij viti”- kanë thënë nga Ministria e Kulturës për KALLXO.com.

Më 8 nëntor 2023, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur një tender për furnizimin dhe montimin e rekuizitave sportive në Palestrën Sportive në Greme – Ferizaj.

Vlera e parashikuar për këtë kontratë është 230 mijë euro ndërsa parashihet që kohëzgjatja e kësaj kontrate të jetë 3 muaj.

Qëllimi i kontratës është kontraktimi i punëve, furnizimi dhe montimi i rekuizitave sportive.

Investimet e planifikuara për të funksionalizuar këtë objekt me pajisje sportive janë si porta të hendbollit me rrjetë dhe perde, konstruksioni i koshave lëvizëse, shtylla volejbolli, rrjeta, karrige dhe mbrojtëse volejbolli, semafori, vijëzimi i fushave dhe rekuizita të tjera.

Komuna e Ferizajt në gusht të vitit 2018 kishte nënshkruar kontratën për rregullimin e sallës me vlerë 1,195,727 euro.