Punonjësit e kompanisë ‘Pastërtia’ në Ferizaj ndërpresin grevën

Pas një takimi mes menaxhmentit të kompanisë ‘Pastërtia’ në Ferizaj dhe këshillit grevist është arritur dakordimi për ndërprerjen e grevës së punonjësve.

Kështu ka bërë të ditur Komuna e Ferizajt, e cila thekson se vazhdojnë të mbështesin rritjen e kapaciteteve e mirëqenien e punëtorëve.

“Njoftojmë qytetarët e Komunës së Ferizajt se pas takimit të zhvilluar pak çaste më parë nga menaxhmenti i KRM “Pastërtia” me Këshillin Grevist, u arrit dakordimi për përfundimin e grevës së punonjësve të KRM “Pastërtia”. Komuna e Ferizajt ka qenë, mbetet e do të vazhdoj të mbetet mbështetëse në ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore operuese e rritjen e mirëqenies së punëtorëve të KRM “Pastërtia”, e dëshmuar kjo edhe me investimet e bëra ndër vite në furnizimin me makineri operuese si dhe mbështetjen me punë kontraktuale për KRM “Pastërtia”- thuhet në njoftim.

Tutje, Komuna thekson se që nga dita e parë e grevës janë deklaruar të gatshëm për dialog me këshillin grevist në suaza ligjore.

“Ekipet e pastrimit aktualisht po lëvizin në terren, ashtu që të përmirësohet shkalla e grumbullimit të mbeturinave në qytet e fshatra”- thuhet më tej në njoftim.

Punëtorët e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastërtia” kanë hyrë në grevë të hënën, më 23 tetor 2023, kurse gjatë të martës organizuan edhe protestë.

Sindikata e punëtorëve ka kërkuar pagesën e Trustit, sigurim shëndetësor, pagesën e rrezikshmërisë në punë dhe që deponia për hedhjen e mbeturinave të jetë në Gërlicë dhe jo jashtë Ferizajt.

Kjo Sindikatë ka dorëzuar edhe kallëzim penal në Prokurorinë e Ferizajt me pretendimet se kryeshefi ekzekutiv i kompanisë dhe kryetarja e bordit janë jashtëligjshëm në ato pozita.

‘Ferizaj po shndërrohet në deponi mbeturinash’ – LDK e LVV akuzojnë Komunën për paaftësi në menaxhim