Drejtori i Shërbimeve Publike të Ferizajt shan gjatë seancës së Kuvendit Komunal

Gjatë seancës së Kuvendit Komunal të Ferizajt, në një moment, drejtori i Shërbimeve Publike, Arben Halili, është dëgjuar duke sharë.

Nga ajo që dëgjohet në videon nga seanca e Kuvendit Komunal, sharja ka ndodhur gjatë një replike të Halilit me asamblistin e LVV-së, Brahim Osmani.

Në këtë kohë, në seancë po diskutohej për raportin vjetor të ndërmarrjes KRM “Pastërtia”.

Në një prononcim për KALLXO.com, asamblisti Brahim Osmani sharjen e Halilit e quajti të ulët.

“Shumë jam i interesuar të di mendimin dhe veprimet e radhës të kryetarit Aliu.  Z. Aliu mburret që është për një standard tjetër të shprehjes edhe po shpresoj që kësaj radhe do të kemi vendimmarrje nga ana e tij duke e shkarkuar drejtorin Halili, i cili përveç se pretendon ta shkatërrojë një ndërmarrje publike por që nuk mjaftohet me kaq por edhe vendos të ofendojë në një formë shumë të ulët” – tha Osmani, duke shtuar se nuk është ndjerë mirë nga sharja e drejtorit dhe paralajmëroi se do të kërkojë përgjegjësi edhe ligjore për këtë “veprim banditesk”.

Ndërsa, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Ferizajt, Xhavit Zariqi, thotë se gjatë seancës nuk ka dëgjuar të shara.

“E pashë (videon) por nuk di çka me të thënë. Nuk e di me kënd e ka pasë, kur ka diskutu nuk ka thënë qashtu po… Qysh me ndërmarrë masa kur s’e di me kënd e ka pasë edhe për çka e ka thënë. Duhet me bisedu me të se nuk e di unë. Kur ka diskutu publikisht nuk ka sha. Me kënd e ka pasë, me kënd ka qenë duke folë nuk e di për besë. Nuk kam folë me Arbenin hala por edhe nuk e kam dëgju për nder” – ka thënë Zariqi për KALLXO.com.

Ndërkohë, në një postim në Facebook drejtori Halili ka kërkuar falje për gjuhën e papërshtatshme të përdorur në seancë.

Ai ka thënë se sharja nuk i është drejtuar askujt prezent në sallë.

“Në seancën e sotme të Kuvendit të Komunës, ku temë diskutimi ishte raporti i punës së ndërmarrjeve publike, përjetova presione të jashtëzakonshme, sulme të drejtpërdrejta fyese, ofenduese ndaj karakterit tim e punëve publike që më janë ngarkuar, ku pavetëdijshëm, në afekt e i rënduar emocionalisht u shpreha me një fjali që nuk përkon as me karakterin tim, as me gjithë veprimtarinë time publike, as me kulturën familjare e që as nuk ishte e drejtuar ndaj askujt prezent në sallë” – ka shkruar Halili në Facebook.

Video e publikuar në Youtube e seancës së sotme në orët e pasdites u bë private nga Komuna e Ferizajt dhe nuk është e qasshme.

Edhe për këtë çështje, Zariqi thotë se nuk ka informata.

“Nuk e di valla. Duhet me folë me ata që e kanë punën e transparencës, është zyrë e posaçme, për besë nuk e di” – ka thënë ai.

Kallxo.com ka biseduar edhe me Fitor Hazirin, zyrtar i IT-së në Komunën e Ferizajt.

Haziri thotë se video e seancës u bë private pasi që akoma po testohen këto video.

“Ajo del nesër ose pasnesër sepse jemi duke bërë teste hala. Kjo është seanca e dytë që ka dalë. Po seanca e parë është, kjo e dyta është largu por janë teste, mundet me ndodh me u hjekë edhe ajo. Nuk është dhënë asnjë urdhër (për t’u bërë private), ajo ende nuk është publiku në web të Komunës kur të publikohet aty është zyrtarisht. Pyeti ata që merren me publikun (pse është bërë private video), unë nuk jam ai person që mundet me ta dhënë këtë informacion” – deklaroi Haziri.