Hashim Thaçi - President i Kosovës

Hashim Thaçi reagon rreth ‘përleshjes sporadike’ të vëllait të tij

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar rreth incidentit ku ishte i përfshirë vëllai i tij, Gani Thaçi.

Ai tha se është njoftuar për përfshirjen e vëllait të tij në një “përleshje sporadike fizike”.

Thaçi tha se asnjëherë nuk do ta arsyetojë asnjë veprim të kundërligjshëm të askujt, aq më tepër në një rast si ky.

“Të qenit familjar i një zyrtari të lartë nuk nënkupton imunitet dhe amnisti për askënd. Përkundrazi. Përgjegjësia është individuale. I ftoj organet e rendit që ta trajtojnë rastin në përputhje me ligjin”, ka theksuar presidenti.

“Vetëm kështu ndërtojmë shtet ligjor, në të cilin të gjithë jemi të barabartë para ligjit dhe drejtësisë”, ka shtuar Hashim Thaçi.

KALLXO.com raportoi sot për përfshirjen e vëllait të presidentit Thaçi, Ganiut, në një përleshje fizike.

Sipas Prokurorisë, incidenti ka ndodhur në mjediset e Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Prokurori përgjegjës për komunikim me media në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha, konfirmoi për KALLXO.com se Gani Thaçi bashkë me vozitësin e tij janë duke u hetuar si i dyshuar për këtë incident.

“Të dyshuarit janë Gani Thaci dhe shoferi i tij. I dëmtuar është z. Blerim Pushkolli. Rasti është inicuar si sulm. Ende nuk është marrë vendim për paraburgim”, tha Berisha për KALLXo.com.

https://kallxo.com/prokuroria-gani-thaci-eshte-i-dyshuar-per-perleshjen/

www.kallxo.com