Ramush Haradinaj pret Ulrike Lunaçekun - Foto: ZKM

Haradinaj Pret Lunaçekun dhe Raportuesin e Ri për Kosovën në PE

Kryeministri Ramush Haradinaj priti në takim lamtumirës raportuesen për Kosovën në Parlamentin Europian, Ulrike Lunaçek të shoqëruar nga pasardhësi i saj në këtë detyrë, Igor Soltesa.

Haradinaj e ka vlerësuar punën dhe angazhimin e raportueses Lunaçek dhe mbështetjen e saj të parezervë për Kosovën në Parlamentin Europian dhe në institucionin e BE-së.

Shefi i Qeverisë së Kosovës dhe mysafirja folën edhe për proceset integruese të Kosovës dhe reformat e nevojshme që çojnë drejt anëtarësimit në BE.

Kryeministri Haradinaj tha se Agjenda e Reformës Evropiane dhe Marrëveshja e Stabilizimit Asociimit po zbatohen me një dinamikë të përshpejtuar dhe tha se po bëhen reforma të thella në fushën e sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe në fushat e tjera.

“Kryeministri Haradinaj tha se perspektiva evropiane për Kosovën është e paalternativë dhe ajo po bën të gjitha përpjekjet që ta marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE deri në fund të vitit të ardhshëm. Ai tha se Kosova do të përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshja kontraktuale me BE-në në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë”, citohet të ketë thënë Haradinaj.

Ndërsa, sipas një komunikate të Qeverisë, raportuesja e posaçme e Parlamentit Europian për Kosovën, Ulrike Lunaçek, e përgëzoi kryeministrin për dinamikën e re qeverisëse dhe për angazhimin e tij personal në zbatimin e MSA-së dhe reformave në vend.

Ajo tha se Kosova ka perspektivë europiane dhe vlerësoi se duhet të përmbushë obligimet e marra me marrëveshjen kontraktuale me BE-në, thuhet në komunikatë.

Ulrike Lunaçek është pritur edhe nga presidenti Hashim Thaçi.

http://kallxo.com/thaci-lunacek-ze-sinqerte-kosoves-ne-bruksel/

Në takim lamtumirës, raëportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian është pritur edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Veseli e ka quajtur “mike të Kosovës” eurodeputeten austriake, të cilën e ka falënderuar për mbështetje të pakursyer për Kosovën.

Deputetja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunaçek, po qëndron sot në Kosovë në një vizitë lamtumirëse, pak para se të largohet nga funksionet e saj politike.

http://kallxo.com/ulrike-lunacek-sot-pershendetet-kosoven/

Humbja në zgjedhjet parlamentare të Austrisë që u mbajtën dy javë më parë ka bërë që Lunacek të japë dorëheqje nga funksionet politike brenda Partisë së Gjelbër të Austrisë ndërsa ka paralajmëruar se nuk do të kthehet as si deputete të Parlamentin Europian, ku e mbante ulësen për disa mandate rresht.