Zgjedhjet në komunen e Drenasit - Foto: Atdhe Mulla

Hapen Kutitë e Votimit në Drenas

Në listën e votuesve të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve figurojnë 52,569 votues, numër që shënon një rritje prej 2,338 votuesve për dallim nga zgjedhjet e fundit në këtë komunë të mbajtura në vitin 2013.

Për këto zgjedhje do të hapen 28 qendra votimi në këtë komunë, katër më shumë se në zgjedhjet e vitit 2013.

Zgjedhjet e sotme do të jenë të mbikëqyrura nga 853 vëzhgues të akredituar të cilët vijnë nga një ambasadë, 3 organizata ndërkombëtare, 4 OJQ vendore, 5 subjekte politike dhe 14 media.

Në garë për të marrë besimin e votuesve të Drenasit janë 6 kandidatë: Ramiz Lladrovci (PDK), Bedri Nika (LDK), Isa Xhemajlaj (NISMA), Elmi Thaçi (AKR), Vehbi Berisha (Fjala) dhe kandidati i pavarur Xhavit Drenori.

Në fletëvotimin e sotëm figurojnë edhe emrat e kandidatëve të pavarur Naim Bazaj e Rrahim Elshani. Këta dy pavarësisht se anë tërhequr nga gara, Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa nuk ka pranuar që të largohen nga fletëvotimi meqë paraprakisht ishin certifikuar nga KQZ.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit janë thirrur për shkak se ish kryetarit të komunës, Nexhat Demaku, muajin e kaluar Gjykata e Apelit ia vërtetoi një dënim në një akuzë për krime të luftës.

Mandati i kryetarit të zgjedhur zgjat deri në fund të vitit të ardhshëm.

Nëse sot asnjë nga kandidatët nuk do të mund t’i fitojë mbi 50 përqind të votave, atëherë në Drenas do të duhej të mbahej raundi i dytë i votimeve, brenda jo më shumë se katër javëve.