Gjykimi për krime lufte

Gjykimi për masakrën në Krushë të Vogël, Ministria e Drejtësisë nuk i përgjigjet Gjykatës

Darko Tasiq, i cili deri në vitin 1999 kishte jetuar në Krushë të Vogël bashkë me familjen e tij, tash po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për vepra penale ‘Krime Lufte kundër popullatës civile’.

Prokurorja speciale Drita Hajdari, si provë të këtij rasti kishte të propozuar dokumentarin “Serb genocide against albanians” (Gjenocidi serb kundër shqiptarëve) të gazetarit me origjinë angleze John Sweeney.

Pos kësaj prokurorja Drita Hajdari kishte propozuar që ky gazetar të dëgjohet edhe si dëshmitar, eventualisht të ftohet në gjykatë ose të bëhet dëgjimi i tij si dëshmitar përmes video konferencës.

Gjyqtari i rastit Artan Sejrani, njoftoi se ende nuk kanë marrë përgjigje nga Ministria e Drejtësisë se a është i mundur dëgjimi i këtij dëshmitari dhe kur mund të jetë data eventuale që ky dëshmitar të dëgjohet përmes video-konferencës.

E njëjta situatë ishte shfaqur edhe në seancën e datës 13 maj, Gjyqtari Artan Sejrani kishte njoftuar se Ministria e Drejtësisë, nuk i ishte përgjigjur kërkesës dhe pyetjeve të Gjykatës.

Prokurori special Enver Krasniqi që zëvendësoi prokuroren Drita Hajdari, i lexoi me radhë provat materiale dhe të gjitha shkresat që prokuroria i propozon si prova të rastit, për të vërtetuar gjendjen sipas aktakuzës.

Disa nga provat materiale që propozoi prokurori Krasniqi përfshijnë Cd ku shfaqen dokumentare ”Raportimi i të dyshuarve kryesor” dhe ”Dëshmitari i Vrasjeve”, një fletore e gjetur në Krushë të Vogël në vitin 1999 me një listë të emrave dhe një kamion i braktisur në Lumin Drin, pastaj u propozuan të shikohen edhe fotografi të dokumentarit ”Të dyshuarit kryesor” ku shfaqet kamioni i braktisur në Lumin Drin.

Prokurori Krasniqi gjithashtu propozoi që si prova të lexohen edhe kërkesa për ndihmë juridike ndërkombëtare drejtuar Tribunalit për Krime të Luftës në Jugosllavi.

Avokati Ljubomir Pantoviq, mbrojtësi i të akuzuarit Darko Tasiq, kërkoi nga gjykata një afat të arsyeshëm, që të analizojnë propozimin përfundimtar të Prokurorisë Speciale për provat e rastit, dhe i njëjti pastaj do të deklarohet rreth propozimit të prokurorisë.

Trupi gjykues me kryetarin Artan Sejrani dhe gjyqtarët Xheladin Osmani dhe Ajser Skenderi, dhanë një afat më të gjatë deri kur mbrojtësit e të akuzuarit dhe prokurorja Drita Hajdari të deklarohen dhe të japin propozimet e tyre përfundimtare për provat që duhen lexuar dhe shikuar nga trupi gjykues.

Seancat e radhës u caktuan për datat 3 dhe 16 shtator 2019, me çka kryetari i trupit gjykues Artan Sejrani tha që për këto data do të lajmërohet edhe Ministria e Drejtësitë – Departamenti për bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, dhe të njëjtit deri në këto data do të kenë kohë të organizojnë video-konferencën me dëshmitarin gazetarin nga Anglia John Sweeney.

Kallxo.com ka monitoruar dhe ka raportuar nga të gjitha seancat e këtij gjykimi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Darko Tasiq, ndërmjet datave 15 dhe 26 mars 1999, në lagjen e njohur si lagjja “Hajdari”, në Krushë të Vogël, të Prizrenit, si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë së Jugosllavisë, në bashkëkryerje me kryes të tjerë ende të papërcaktuar mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim i paligjshëm dhe të qëllimshëm i pasurisë (djegie të shtëpive) dhe vjedhje të pasurisë.

Sipas aktakuzës e gjithë kjo nuk justifikohej me nevojat ushtarake, e që rezultoi me djegien e shtëpive, marrjen e automjeteve, makinerisë bujqësore dhe sendeve të tjera me vlerë që i përkisnin Kasum Hajdarit si dhe anëtarëve tjerë të familjes.

Me këto veprime sipas aktakuzës, Tasiq akuzohet se ka kryer veprën penale të plaçkitjes, shkatërrimit të qëllimshëm dhe sulmit të rëndë ndaj dinjitetit njerëzor.