Arkiv - Kuvendi i Kosovës, 14.05.2019

Vetëm një kandidat i emërueshëm për komisioner për Mbrojtjen e të Dhënave Personale

Në konkursin e dytë për komisioner të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, sipas ekspertëve britanikë, vetëm një kandidatë i plotëson kushtet për emërim në këtë pozitë.

Krenare Sogojeva- Dërmaku ka marrë 35 pikë nga 45 sa ka qenë totali i pikëve nga dy ekspertët britanik të BDO-së, kompanisë së angazhuar nga Ambasada Britanike për t’i ofruar asistencë institucioneve të Kosovës në rekrutimin e pozitave të larta drejtuese.

Për BDO-në, vetëm kandidatja Sogojeva- Dërmaku i plotëson kushtet për emërim në pozitën e Komisioner për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Për shkak se kjo pozitë ka rol të rëndësishëm në dhënien e qasjes në dokumentet publike, në monitorimin kanë qenë edhe disa organizata të tjera të shoqërisë civile, përveç BIRN-it.

Krenare Sogojeva- Dërmaku ka qenë kandidatja më e votuar me 39.5 pikë edhe nga komisioni vendor në përbërje prej: Haxhi Shalës, Aida Dërguti, Fadil Beka dhe Xhelal Sfeçla. Por, komisioni vendor do t’ia propozojë Kuvendit të Kosovës tre kandidatë, meqë ashtu kërkohet me ligj. Kandidati i dytë më i votuar nga komisioni vendor ishte Agron Behrami me 32.5 pikë. Kandidati i tretë që i është propozuar Kuvendit është Enver Bujupi me 27.5 pikë.

Ky është konkursi i dytë për këtë pozitë, pasi konkursi i parë i nisur në muajin maj ishte anuluar, meqë anëtaret e komisionit së bashku me ekspertët nga Ambasada Britanike kishin arritur në përfundim që asnjë nga kandidatët nuk i plotëson kushtet për këtë pozitë.

Edhe përfaqësues nga Shoqëria Civile kishin kërkuar anulimin e këtij konkursi, nën dyshimin se dy prej 11 kandidatëve ishin të afërt me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

Në rishpallje të konkursit aplikuan 20 persona prej të cilëve 9 kandidatë kanë plotësuar kushtet për të kaluar në listën e ngushtë.

Nga nëntë këta persona të cilët kanë kaluar në listën e ngushtë, gjashtë prej tyre i janë nënshtruar intervistimit me gojë.

Muharrem Mustafa, Agron Behrami, Bujar Sadiku, Jeton Arifi, Enver Bujari e Krenare Sogojeva-Dërmaku ishin kandidatët të cilët iu nënshtruan intervistimit. Një nga anëtarët e komisionit të Kuvendit të Kosovës i ka dhënë pikë minimale kandidatëve që në konkursin e parë ishte vlerësuar se nuk i plotësojnë kushtet për emërim.

Ditëve në vazhdim Komisioni për Siguri i Kuvendit të Kosovës pritet që ti rekomandoj deputeteve të Kuvendit të Kosovës që të votojnë për njërin nga tre kandidatët, me ç ‘rast kandidati që arrin ti grumbulloj 61 vota do të emërohet si Komisioner i Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Kuvendi i Kosovës në të kaluarën në disa raste nuk i ka votuar kandidatët që nga britanikët janë vlerësuar si të emërueshëm. Shembull, për dy pozita në bordin e ZRrE-së, Qeveria ia kishte propozuar Kuvendit katër emra. Nga katër emrat e propozuar, BDO-ja kishte vlerësuar se vetëm dy prej tyre i plotësonin kushtet për emërim. Por, deputetet e Kuvendit të Kosovës i kishin zgjedhur në bordin e ZRrE-së dy kandidatët që nuk i plotësonin kushtet sipas BDO-së.

Njëjtë ka qenë edhe me rastin e emërimit të drejtorit të Agjencisë së Pronës. Deputetet e kishin zgjedhur Naser Shalën, i njohur me nofkën “Ftyra”. Zgjedhja e tij kishte shkaktuar reagime të BE-së dhe Ambasadave tjera të vendosura në Kosovë.