Tri infermiere në Artanë punësohen pa plotësuar të gjitha kriteret e konkursit

Në një konkurs të hapur për infermierë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Llabjan të Artanës janë zgjedhur tri kandidate fituese, të cilat nuk kanë plotësuar njërin nga kriteret e konkursit.

Ato nuk kanë poseduar licencë të punës, siç është kërkuar në konkursin e shpallur nga Drejtoria e Shëndetësisë të datës 27 tetor të 2020-tës.

Në atë kohë, Drejtor i Shëndetësisë ishte Tomislav Stankoviq, ndërsa Kryetar i Komunës Svetislav Ivanoviq.

Tri infermierët e pranuara në këtë konkurs kanë filluar punën përkundër faktit që nuk kishin licencë të punës. Festina Ymeri është licencuar 6 muaj pasi që është punësuar ndërsa, Biljana Cvetkoviq dhe Vilojeta Dimiq kanë punuar pa licenca deri muajin e kaluar, kur Drejtori i Shëndetësisë, Driton Avdyli pas disa kontaktimeve të KALLXO.com na ka informuar që ato janë suspenduar.

Në shpalljen e konkursit kualifikimet e kërkuara kanë qenë diploma e shkollës së mesme të mjekësisë, dega infiermeri ose e diploma e bachelorit të mjekësisë së përgjithshme si dhe licenca e punës.

Në dosjen e konkursit të siguruar nga KALLXO.com figuron që Ymeri dhe Dimiq nuk kanë pasur licencë, ndërsa për Cvetoviqnuk ka informatë.

Oda e Infermierëve të Kosovës për KALLXO.com e ka konfirmuar që Festina Ymeri është licencuar më 1 korrik 2021, apo 6 muaj pasi ishte pranuar në punë.

Ndërsa për Biljana Cvetkoviq dhe Vilojeta Dimiq, Oda e Infermierëve të Kosovës ka thënë se nuk i kanë lincencuar asnjëherë. Oda po ashtu tregoi që licenca të lëshuara nga shtetet e tjera nuk janë të vlefshme në Kosovë.

Njëra prej kandidateve të papranuara, Jehona Mustafa ka disa pretendime lidhur me këtë konkurs. Ajo konsideron se i është bërë e padrejtë dhe pretendon se njëra prej kandidateve është pranuar për shkak të lidhjeve familjare.

E pakënaqur me rezultatin më 12 shkurt 2021 ajo ishte ankuar në Drejtorinë e Shëndetësisë në Artanë duke pretenduar që i janë shkelur të drejtat pasi që është bërë vlerësim i padrejtë.

Ajo është ankuar edhe për përbërjen e komisionit të cilën e ka quajtur irelevante dhe për mos publikimin e rezultatit përfundimtar (i cili është vendosur më 11 janar 2021 ) në UEB faqen e komunës, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

E pas kësaj i është drejtuar Inspektoratit Shëndetësor (ISh) dhe Gjykatës Themelore në Gjilan – Dega në Artanë duke ngritur padi ndaj Drejtorisë së Shëndetësisë.

Inspektorati Shëndetësor tregoi për KALLXO.com që pas pranimit të ankesës, kanë bërë inspektimin dhe kanë konstatuar se Festina Ymeri ishte punësuar pa licencë të punës dhe në kohën e inspektimit kishte qenë në procedura për licencim në Odën e Infermiereve të Kosovës.

ISh kishte marrë vendim që aty për aty asaj t’i ndalohej ushtrimi i veprimtarisë shëndetësore deri në licencim.

“Lidhur me ecurinë e zhvillimit të konkursit, rekrutimit, përbërja e komisionit, si dhe themelimi i marrëdhënies të punës për infermieren e lartë cekur, Inspektorati Shëndetësor, lëndën e ka përcjellë tek Inspektorati i punës pasi që ky proces nuk është në fushën e inspektoratit Shëndetësor por atë të punës.” – thuhet tutje në përgjigjen e ISh-së për KALLXO.com.

Inspektorati i Punës konfirmoi pranimin e kësaj lënde nga Inspektorati Shëndetësor mirëpo tha që nuk ka kompetencë të shqyrtimit të ankesave sa i përket procedurës së konkursit për marrëdhënie pune në sektorin publik për kategorinë e të punësuarve si nëpunës i shërbimit publik.

Gjykata Themelore në Gjilan më 6 qershor 2021 vendosi në favor të drejtorisë duke e konsideruar ankesën e Mustafës drejtuar Drejtorisë së Shëndetësisë si të pasafatshme.

Mirëpo, kështu nuk ka menduar Gjykata e Apelit, në të cilën është parashtruar ankesë nga ana e paditëses. Apeli më 17 janar 2022 vendosi që të anulohet aktvendimi i gjykatës së shkallës së parë duke konstatuar se është kontradiktor dhe i mungojnë arsyet lidhur me faktet vendimtare mbi të cilat është bazuar gjykata.

Megjithatë, pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Gjilan ka shqyrtuar provat dhe më 21 tetor të këtij viti refuzoi sërish padinë e Mustafës, si të pabazuar.

Në aktgjykim thuhet se janë kontestuese çështjet që kryetarja e komisionit përzgjedhës ka përgatitje shkollore të mesme dhe që kandidatja e tretë, Festina Ymeri nuk ka pasur licencë në kohën e përzgjedhjes, por atë e ka marrë pas 6 muajsh.

Pavarësisht kësaj, gjykata sërish ka vendosur që procedura e përzgjedhjes së kandidatëve është zhvilluar në përputhje me dispozitat ligjore dhe se provat nuk janë relevante dhe janë pa ndikim në zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Jehona Mustafa për KALLXO.com tregoi që për këtë vendim është ankuar sërish në Gjykatën e Apelit.

Sipas saj në punësimin e Festina Ymerit kanë ndikuar babai i saj, Fatmir Ymeri, i cili punon në këtë komunë si përkthyes dhe Nënkryetari i Komunës Bajrush Ymeri që është kushëri i saj.

I kontaktuar nga KALLXO.com Bajrush Ymeri ka mohuar të ketë pasur ndikim në përzgjedhjen e saj.

Edhe Fatmir Ymeri, babai i saj mohoi se ka ndikuar në përzgjedhjen e vajzës së tij. Ai tha se ka përkthyer gjatë intervistimit të kandidatëve të tjerë, ndërsa nuk e ka bërë këtë gjatë intervistimit të vajzës së tij, sepse siç tha ai kjo paraqet konflikt interesi.

“Sikur t’më kish pyet dikush, “Fatmir a me ta pranu çikën në punë?”, çka me i thanë unë, “jo, mos ma prano, se unë po punoj këtu a”, e le të vdes çika jem, le t’mbetë pa punë” – shtoi ai.

Ymeri kishte një arsyetim se pse ka ndodhur kjo.

Ai tha se vajza e tij ka pasur kartelën e anëtarësimit në Odën e Infermierëve, por për shkak të pandemisë i është shtyrë procesi i licencimit dhe nuk ka mundur ta ketë licencën në kohën e rekrutimit. Të njëjtën gjë e tha edhe vetë Festina Ymeri.

“Kur kam apliku për punë në konkurs, unë kam apliku për licencë, çështja ka qenë veç lëshimi, puna e odës sa vonohet.” – tha ajo.

Për këtë, ajo tha se ka pasur edhe vërtetim që e ka paraqitur gjatë procesit të rekrutimit.

KALLXO.com ka dërguar pyetje përmes e-mailit lidhur me këtë çështje edhe te Kryetari i tanishëm, Sinisa Dimic dhe te Drejtori i tanishëm i Shëndetësisë, Driton Abdyli, i cili ndër të tjera u pyet nëse infermieret e palicencuara do të vazhdojnë të punojnë aty.

Por, pasi që ata nuk kanë kthyer përgjigje, atëherë Abdyli është kontaktuar edhe përmes telefonit.

“Rasti është në prokurori, s’jam kompetent për atë punë. S’kam qenë atëherë drejtor.” – ishte përgjigja e tij.

Për dy infermieret që vazhdojnë të jenë pa licencë, ai tha se janë në procedurë të licencimit.

Megjithatë tha se atyre u është pezulluar puna. KALLXO.com i kërkoi vendimin për këtë pezullim, të cilin tha se do na e dërgojë por, ndonëse kanë kaluar 2 javë, një vendim të tillë nuk e kemi pranuar ende.

Në Komisionin intervistues të kandidatëve, të caktuar përzgjedhur nga Kryetari i Komunës kanë qenë anëtarë Lulzim Llapashtica, Marina Jovanovic, Flamur Uka dhe Sylejman Avdyli. Ndërsa, kryetare e komisionit Jasmina Dimic.

KALLXO.com ka kontaktuar me 3 nga anëtarët e komisionit, Lulzim Llapashticën, Flamur Ukën dhe Sylejman Avdylin.

Llapashtica tha se ata kanë qenë pjesë e komisionit gjatë vlerësimit me pikë, mirëpo përzgjedhjen e kandidatëve e kanë bërë kryetarja e komisionit, Jasmina Dimic me zyrtarë komunal.

Avdyli po ashtu tha që për përzgjedhje t’i drejtohemi kryetares së komisionit.

Ndërkaq Uka nuk pranoi të flasë për këtë, ai tha që t’i referohemi komunës dhe zyrës për informim.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me kryetaren e komisionit, Jasmina Dimic, mirëpo ajo nuk ka qenë e qasshme. Edhe në pyetjet e dërguara në komunë është kërkuar që pyetjet t’i adresohen edhe asaj, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk kemi marrë përgjigje..

Edhe 2 infermieret e tjera të përzgjedhura në konkurs kanë qenë të paarritshme për t’u kontaktuar.