Nga vozitës në zyrtar të prokurimit, avancimi i punëtorëve në RTK

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur probleme në mënyrën se si janë avancuar disa punëtorë në Radio Televizionin e Kosovës.

Në raportin e auditimit për vitin 2021, Auditori ka evidentuar se si një vozitës është avancuar në pozitën e Zyrtarit të Prokurimit me një rritje page prej 292 euro dhe një gazetar/redaktor në webfaqe është avancuar po ashtu në pozitën e Zyrtarit të Prokurimit dhe ka pasur një rritje page prej 93 euro.

Burimi: Zyra Kombëtare e Auditimit

Nga 26 mostra të përzgjedhura për sistemim të stafit përgjatë 3 viteve, Auditorit ka gjetur se 15 prej tyre kanë rritje të pagës nga pozita paraprake. Gjithashtu nga këto mostra të testuara, në raport është potencuar se dy prej tyre nuk kanë përgatitje profesionale për të ushtruar pozitën ku janë sistemuar.

“Nga këto testime kemi vërejtur se në fakt këta persona janë avancuar në pozita dhe nuk janë sistemuar sipas rregullorës”, theksohet në raport.

Mosrespektimi i rregullores së brendshme për sistematizimin e stafit i ka kushtuar RTK-së rritje financiare në vlerë prej 62,318 euro për tre vitet, nga mostrat e testuara.

“Sistemimi i stafit duke mos respektuar rregulloren e brendshme ka ndodhur si pasojë e mosaplikimit të kontrolleve efektive nga ana e menaxhmentit në atë kohë”, është potencuar në raportin e auditimit.

Gjatë vitit 2018, në RTK 8 punonjës janë sistemuar në 8 pozita të cilat nuk janë të parapara Rregulloren për Metodologji dhe Përcaktim të vendeve të punës. Këto pozita janë ngritje në pozitë dhe në pagë.

Gjate vitit 2019 në bazë të procesverbalit të takimit të bordit të RTK-së të mbajtur më 21 nëntor 2019 për këto kontrata është marrë vendim që stafi të kthehen në pozitat e tyre paraprake.

“Gjatë testimit për sistemimin e stafit kemi vërejtur që këta punonjës janë sistemuar në pozitat paraprake në mars të vitit 2021. Edhe pse është marrë vendim që këto pozita të kthehen sipas pozitave paraprake, ky vendim nuk është respektuar një vit të plotë dhe stafi ka ushtruar dy vite pozitën e cila nuk ka qenë në Rregulloren për Metodologji dhe Përcaktim të vendeve të punës”, thuhet në raport.