Sheshi para Qeverise dhe Kuvendit të Kosovës - FOTO: KALLXO

Lidhja politike: OJQ-të kërkojnë anulimin e përzgjedhjes së Komisionerit për Informim dhe Privatësi

Shtatë organizata të shoqërisë civile kanë kërkuar që të anulohet përzgjedhja e Komisionerit për Informim dhe Privatësi, pasi dyshojnë se dy prej 11 kandidatëve, janë të afërt me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

Lëvizja Fol, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, Instituti Gap, GLPS, Çohu, Instituti D4D, KDI dhe Flutura Kusari kanë kundërshtuar emërimin e kandidatëve aktual për Komisioner për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Informim pasi sipas tyre kandidatëve iu mungon vizioni, strategjia dhe përgatitja e duhur për këtë pozitë.

Ata kanë kundërshtuar në veçanti kandidaturën e dy  punëtorëve aktualë të Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për shkak të dyshimeve se janë të afërt me PDK-në.

“Nën menaxhimin e tyre auditori ka gjetur shkelje të vazhdueshme në Agjencion dhe të dytë kanë ndikuar që në këtë agjencion të punësojnë familjarë të tyre”, thuhet në komunikatën e përbashkët të këyre organizatave.

Sipas tyre, gjatë vlerësimit të intervistave, këta dy kandidatë janë favorizuar hapur nga deputeti i PDK-së Fadil Beka, ndërsa kërkohet që asnjëri nga këta dy kandidatë të mos bëhet Komisioner.

Gjithashtu organizatat në fjalë, kanë thënë se një pjesë të përgjegjësisë për numrin e vogël të kandidatëve për komisioner e mban edhe administrata e Kuvendit të Kosovës, e cila e ka reklamuar konkursin vetëm në 3 mediume.

Shoqëria civile po kërkon nga Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së që të anulojë procesin dhe ta rishpallë konkursin, pasi sipas tyre, mund të rrezikohen fondet e Bashkimit Evropian të dedikuara për Agjencinë për Informim dhe Privatësi.