Ndërtesa e Komunës së Vitisë - Foto: KALLXO.com

Auditori: Komuna e Vitisë punësoi 79 persona pa procedura adekuate ligjore

Komuna e Vitisë gjatë vitit 2021 kishte punësuar 79 zyrtarë publik pa ndonjë procedurë të prokurimit siç kërkohet me Ligjin për zyrtarët publik.

Kështu është thënë në raportin e Auditorit për Komunën e Vitisë për vitin 2021.

Sipas Auditorit, për këto punësime Komuna e Vitisë kishte zhvilluar procedurat të rekrutimit sipas Ligjit për Shërbimin Civil.

“Rastet e analizuara për këto angazhime, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për zyrtarët publik, kemi vërejtur se, kontratat ishin nënshkruar pa udhëhequr ndonjë procedurë të prokurimit siç kërkohet me Ligjin për zyrtarët publik”, thuhet në raport.

Tutje në raport, Auditori tregon se shumica nga këta zyrtar punojnë në pozita të rregullta të punës si: në drejtorinë për financa, administratë, prokurim, gjeodezi dhe kadastër, arsim, shëndetësi.

“Të njëjtit janë paguar nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve (përfshirë edhe kontributet pensionale dhe tatimin në pagë”, theksohet në raport.

Në raportin e auditimit për Komunën e Vitisë thuhet se angazhimi i punonjësve me marrëveshje për shërbime të veçanta sipas pohimeve të menaxhmentit ishte bërë si pasojë e mungesës së numrit të pozitave të aprovuara në Ligjin e buxhetit.

Auditori konstaton se angazhimi i personave në këtë mënyrë mund t’i ketë dy ndikime, shkeljen e ligjit por edhe angazhimin e personave joadekuat.

“Anashkalimi i procedurave të prokurimit në lidhje me mbulimin e pozitave për shërbime të veçanta, përveç mosrespektimit të procedurave ligjore po ashtu, rritë rrezikun e angazhimit të personave jo adekuat për pozita dhe detyrat e caktuara, çka mund të reflektojë edhe në performancën e tyre në punë”, theksohet në raport.

Në rekomandimin e Auditorit për kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, thuhet që ai duhet të sigurojë se janë ndjekur të gjitha procedurat dhe hapat e prokurimit për angazhimin e kontraktorëve individual për shërbime të veçanta duke u kujdesur që personeli i angazhuar do të jetë në gjendje të përmbush detyrat e kërkuara.

Me këtë gjetje është pajtuar Komuna e Vitisë.

Raportin e plotë të auditimit të Komunës së Vitisë për vitin 2021 mund ta gjeni KËTU.