Ministria e Financave

Arsyet që çuan në anulimin e konkursit për drejtor të Inteligjencës Financiare

Ministri i Financave, Hekuran Murati e ka anuluar konkursin për drejtor të Njësisë për Inteligjencë Financiare për shkak se asnjë nga kandidatët nuk kanë arritur të marrin 70% të pikëve, pragu i nevojshëm për tu zgjedhur në këtë pozitë.

Pragun prej 70% e ka vendosur ministri i Financave, Hekuran Murati në vendimin për themelimin e Komisionit Vlerësues për drejtor të Njësisë për Inteligjencë Financiare.

“Pas përfundimit të fazave intervistuese, Komisioni për Shqyrtimin e Aplikacioneve dhe Intervistimin e Kandidatëve për pozitës e Drejtorit të Njësisë së Inteligjencës Financiare kanë rekomanduar të anulohet konkursi për shkak të mungesës së arritjes së pragut vlerësues të kërkuar për këtë pozitë nga ana e kandidatëve”, thuhet në vendimin e ministrit Murati.

Komisioni vlerësues i përbërë nga Enis Spahiu-anëtar, Klit Shala-kryesues, Ahmet Ismaili- anëtar, e i themeluar nga ministri Murati nuk ia ka dhënë 28 pikët e nevojshme të kalueshmërisë asnjërit nga 8 kandidatëve të intervistuar.

Kandidati më i poentuar nga komisioni i lartcekur është Behar Xhema, zëvendësdrejtor i kësaj njësie, i cili nga komisioni vendor është poentuar me 26.67 pikë.

Por, dy ekspertet britanikë të angazhuar nga Ambasada Britanike i kanë dhënë një kandidati 70% të pikëve apo 28 pikë, saktë sa pragu i vendosur nga ministri i Financave, Hekuran Murati.

Fetah Zejnullahu kandidati që ka marrë 28 pikë, apo 70% të pikëve totale nga britanikët tek komisioni vendor është renditur si kandidati i katërt duke grumbulluar vetëm 22.67 pikë. Zejnullahu nga britanikët kishte marrë 3 pikë më shumë se kandidati i dytë, Behar Xhema që kishte marrë 25 pikë. Në anën tjetër, Xhema ishte më i poentuari nga komisioni vendor 26.67 pikë.

Kandidatja e dytë me më së shumti pikë tek komisioni vendor ishte vlerësuar Safija Beseni me 25.67 pikë, ndërsa tek britanikët Beseni ishte renditur e treta me 20 pikë.

Pas përfundimit të intervistave që janë mbajtur me datat 9, 10 dhe 21 maj, komisioni vlerësues e ka ngritur çështjen e pragut të vendosur nga ministri që për tu zgjedhur drejtor kandidati duhet të ketë 70% të pikëve.

BIRN ka monitoruar këtë proces si dhe e ka parë vendimin e ministrit Murati në të cilin theksohet se kalueshmëria është mbi 70 për qind.

Një kusht i tillë, është përmendur edhe nga anëtarët e komisionit pas përfundimit të intervistave, të cilët kanë propozuar që të shtohet nga një pikë për secilin kandidat në mënyrë që të ketë kandidat që i kalojnë pragun.

Një propozim i tillë nuk është përkrahur nga përfaqësuesit e BDO-së, Sarah Cook dhe Gordon Ryan, të cilët kanë shprehur gatishmërinë që të bisedojnë më ministrin e Financave në mënyrë që të zbritet pragu i kalueshmërisë.

Propozimi i britanikëve është përkrahur nga komisioni vendor të cilët kanë nënshkruar poentimin dhe në fund është dakorduar që shoqëria civile, në këtë rast, BIRN që e ka monitoruar procesin të mbahet i informuar për vendimin.

Me datat 9 dhe 10 maj janë intervistuar 7 kandidatë për drejtor të Njësisë së Inteligjencës Financiare. Në këto dy data janë intervistuar kandidatët: Fetah Zejnullahu, Behar Xhema, Edi Daci Prapashtica, Blerim Rusi, Mentor Ferizi, Safija Beseni.

Ndërsa ka qenë e paraparë të intervistohet edhe Ardijana Bakija, mirëpo nuk ka ardhur në intervistë.

Kurse, 11 ditë më vonë janë intervistuar edhe 2 kandidatë të tjerë: Luan Hoti dhe Bujar Sadiku. Intervistimi i tyre me datë 21 maj ishte bërë për shkaqe objektive, pasi njëri nga anëtarët e komisionit vlerësues ishte i sëmurë.

Deri tek hapja e këtij konkursi ka ardhur pasi që, ministri i Financave, Hekuran Murati me datën 3 gusht kishte marrë vendim për shkarkimin e drejtorit Dardan Nuhiu.

Nuhiu është shkarkuar pas publikimit të disa audi-incizimeve nga Shqip.com” në të cilat pretendohet se i përfshirë është drejtori i Agjencisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu, deri sa me një telefonues flet se si po planifikon të kapë mediat e fuqishme në Kosovë e më pas t’i përdorë për shantazhe në raste të ndryshme.