Salihaj: Lata Organizoi Vrasjen Time

Në sallën kryesore të Gjykatës Supreme të Kosovës ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor kundër Fahredin Gashit, Shaban Sylës, Driton Hajdari, Sadik Abazit, Shpresim Ukës dhe Bekim Sylës, të akuzuar nga prokuroria speciale për vrasjen e Ibush Kllokoqit dhe tentimvrasjen e Adem Salihajt dhe Ismet Arifit.

Për këtë seancë ishte paraparë të vazhdohej me dhënien e dëshmisë nga ana e të dëmtuarit Adem Salihaj, ish-zëvendëskryeministër i Kosovës dhe ish-zyrtar i lartë i LDK-së. Më parë Salihaj ishte marrë në pyetje nga prokuroria, e në mungesë të kohës kishte mbetur edhe mbrojtja të shtronte. Salihaj nuk kishte mundur të dëshmonte në dy seancat e fundit, për shkak se ishte me grip.

Fillimisht seanca filloi me 10 minuta vonesë, për shkak të mungesës së dy avokatëve mbrojtës. Kur kolegji erdhi në sallë dhe pyeti të pandehurit nëse ishin të gatshëm të fillonin seancën pa praninë e mbrojtësve të tyre. Driton Hajdari dhe Bekim Syla u pajtuan që seanca të vazhdonte në mungesë të tyre.

Avokati Tahir Rrecaj kërkoi nga gjykata të dinte se cili ishte vendimi për të mbrojturin e tij lidhur me gjendjen shëndetësore. Kryetari i kolegjit tregoi se ata kanë marrë një vendim që Fahredin Gashi të dërgohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për ekzaminim të përgjithshëm, e pastaj gjykata do të marrë një raport mbi atë ekzaminim.

Kryetari i kolegjit shtroi disa pyetje të pandehurit që të sigurohej nëse ishte në gjendje ta përcjellë shqyrtimin. Kryetari i kolegjit e pyeti Gashin nëse e dinte për çka ndodhej këtu. “Për çdo ditë me marrin me kombi e me shëtisin”, është përgjigjur Gashi. “E dini ku jeni tash”, ka vazhduar gjykatësi. “Po, në teatër”,  është përgjigjur i pandehuri.
 
Pas këtyre përgjigjeve, kolegji vendosi që i pandehuri është i gatshëm të vazhdojë me seancën.

Në këtë kohë në seancë u paraqiten dy avokatët, Ramiz Krasniqi dhe Ali Beka. Që të dy deklaruan se kishin qenë të zënë në një seancë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë dhe nuk kishin pasur mundësi të vinin. Kryetari i kolegjit iu dha vërejtje që të mos përsëritet kjo gjë.

Avokati Ali Beka, meqë ishte avokat i ri në çështje, pasi që po zëvendësonte Vahid Halilin, tanimë gjykatës në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, kërkoi që seanca të shtyhet deri më 20 prill, që ai të ketë mundësi të përgatitet. Kolegji e refuzoi kërkesën e tij.

Gjykata po ashtu vendosi që propozimi i avokatit Haxhi Millakut për dëgjimin e Kadri Veselit dhe Fatmir Xhelilit para Nazim Bllacës, të refuzohet. Po ashtu u refuzua kërkesa e avokatit Iliaz Kadolli që Nazim Bllaca të dëgjohet në fund të procesit.

Dëshmitari Adem Salihaj, para se të fillonte marrja në pyetje, kërkoi fjalën nga kolegji që të deklarojë diçka. Ai tha se pas seancës së fundit, kur ai ishte duke dëshmuar dhe njëri nga të pandehurit kishte kërkuar që të kontrollohet duke pretenduar se ai kishte armë, kurse kolegji nuk e kishte lejuar kontrollin e dëshmitarit.

“Sapo dola jashtë më janë afruar disa persona në uniformë të policisë dhe një pa uniformë, kërkuan që të më kontrollonin… Për 10 minuta më mbajtën në korridor pastaj më futën në një dhomë ku mbahen të pandehurit edhe aty për 20 minuta më mbajtën… Gjithë kohës i kërkova që të më tregonin se kush ishin, ata refuzuan”, tha Salihaj.

Gjatë kësaj kohe sa fliste Salihaj, pati ndërhyrje dhe reagime nga avokati Krasniqi, por që u ndërpre nga kryetari i kolegjit, duke i kujtuar se mund të dënohet sipas kodit.

Salihaj tregoi se me datën 11 qershor 2001 në Gjenevë të Zvicrës, në një takim me elektoratin e LDK-së atje, ishin futur 3–4 simpatizantë të PDK-së dhe kishin dashur ta sulmojnë atë, kishte pasur përleshje e të shtëna.

“Unë mora vesh emrat e dy sulmuesve, Burhan Arifi ishte njëri, ky është djali i kryetarit aktual të Vitisë nga PDK-ja dhe dhëndër i Ekrem Jasharit nga Ferizaj… Burhan Bytyqi, personi i cili dhuroi grupit që tentuan të më vrisnin ‘Opel Omegën’”, tha Salihaj.

Adem Salihaj tregoi edhe për një takim në banesën e komandat Telit në Ferizaj, ku kishte takuar Ilirjan Halimin nga Elbasani dhe Shemsi Bajramin.

Me këtë rast, Ilirjan Halimi kishte treguar se ishte një grup që donte ta vriste Adem Salihajn, dhe se për këtë i kishin kërkuar ndihmë atij.

“Ky grup ishte ardhur në Ferizaj, me kërkesën e Latif Gashit (Latës), të cilët ishin ftuar përmes Xhavit Halitit”, deklaroi Salihaj. “Në atë kohë, Latif Gashi ishte në burg për këtë i duhej ndihma e Xhavit Halitit, pasi që nuk mundi të ftonte grupin drejtpërdrejt”, shtoi Salihaj.

Ilirjan Halimi i kishte treguar Shemsi Bajramit se ishte ftuar edhe një grup tjetër në Deçan e që detyra kryesore ishte vrasja e Tahir Zemajt, sipas Salihajt.

 

 

Për çdo ditë me marrin me kombi e me shëtisin”, është përgjigjur Gashi. “E dini ku jeni tash”, ka vazhduar gjykatësi. “Po, në teatër”,  është përgjigjur i pandehuri Fahredin Gashi.

Edhe një herë reagoi avokati Krasniqi në ato që po thoshte dëshmitari, duke shtuar se ai nuk ka qenë sëmurë dhe ka gënjyer gjykatën dhe se prokuroria duhet të ngritë aktakuzë për këtë dëshmitar. Por reagimi i kryetarit të kolegjit ishte i njëjtë, se do të gjobitej nëse vazhdonte të deklaronte gjëra të tilla.

Pastaj seanca vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarit, fillimisht pyetje shtroi avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi, e pas saj edhe avokati Ramiz Krasniqi.

Ky i fundit shtronte pyetje të cilat kryetari i kolegjit nuk i lejonte për dëshmitarin. Edhe pse kryetari i kolegjit i tërhoqi vërejtjen të avokatit Krasniqi që të mos shtronte pyetje të tilla, ai ka vazhduar.
 
Me pas edhe kolegji në kuptim të nenit 336 të Kodit të Procedurës Penale i shqiptoi gjobën prej 400 euro avokatit Ramiz Krasniqi. I njëjti edhe pas gjobës vazhdoi të deklaronte dhe të shtronte pyetje të palejuara, derisa u ndalua nga kryetari i kolegjit.

Ky i fundit i tërhoqi vërejtjen edhe të pandehurit Driton Hajdari, se nëse avokati i tij vazhdon të ketë sjellje të tillë do të largohet nga gjykimi. “Edhe unë do ta bojkotoj gjykimin pastaj”, u përgjigj i pandehuri Hajdari.

Seanca më pas vazhdoi me pyetjet e avokatit Haxhi Millaku, i cili po ashtu pati vërejtje nga kryetari i kolegjit se po bënte pyetje të pa lejuara dhe jorelevante për çështjen. Megjithatë shpëtoi pa u dënuar.

Adem Salihaj në fund deklaroi se personi që kishte tentuar të shtinte në të ka tiparet më të përafërta me Shaban Sylën.

Seanca e radhës është caktuar për 12 prill, ndërsa në atë seancë do të dëshmojë Nazim Bllaca, dëshmitari bashkëpunues në këtë proces.