Novi Pazari

Boshnjakët Nxiten të Heqin Mbaresat Serbe Nga Mbiemrat

Esad Gjugjeviq, ushtruesi i detyrës së kreut të Këshillit Kombëtar Boshnjak në Serbi, tha që këshilli do të nxisë anëtarët e komunitetit boshnjak-mysliman në Serbi të heqin mbaresat e mbiemrave “viq” dhe “iq” që tingëllojnë si serbe.

 “Mbaresat iu shtuan mbiemrave boshnjakë me dhunë [nga serbët] gjatë 100 vjetëve të fundit, pas vitit 1912”, tha Gjugjeviq, duke iu referuar vitit kur Serbia aneksoi regjionin jugperëndimor të Sanxhakut gjatë luftërave balkanike nga Perandoria Osmane që po shkatërrohej.

Në Sanxhak jetojnë shumica e boshnjakëve-myslimanë të Serbisë.

Ai tha se transformimi i mbiemrave të qytetarëve është vetëm një pjesë e planit shumë më të madh “ të rëndësisë së madhe kombëtare”.

Deputetëve të Serbisë, disave edhe nga komuniteti boshnjak nuk u ka lënë përshtypje ideja.

Meho Omeroviq, kryetar i Komisionit për të Drejta të Njeriut, Komuniteteve dhe Barazisë Gjinore cilësoi idenë si shtypëse.

“Gjugjeviq ka të drejtë të ndryshojë emrin e tij, ta shkurtojë, ose të bëjë çka të dojë, por të imponojë mbiemra të rinj është shtypje kundër popullit të tij”, i tha Omeroviq Tanjugut të mërkurën.

Omeroviq shtoi se ideja është e pakuptimtë.

Sipas regjistrimit të popullsisë të kryer në vitin 2011, në regjionin e Sanxhakut në kufirin me Malin e Zi dhe Bosnjën jetojnë 142 mijë e 373 boshnjakë që përbëjnë 60 për qind të popullsisë së kësaj krahine. Në regjistrim, të tjerë banorë të Sanxhakut-rreth 5.21 për qind, e konsiderojnë veten thjesht myslimanë.

Serbët në Sanxhak përbëjnë 32.48 për qind të popullsisë, ose 77 mijë e 565 banorë të kësaj etnie jetojnë atje. Një pjesë e Sanxhakut ndodhet matanë kufirit të Serbisë me Malin e Zi.