Zyra Kombetare e Auditimit
Zyra Kombëtare e Auditimit paguan trajnime për stafin në Institutin ku ligjërues është zv/Auditori i Përgjithshëm
KALLXO.com ka gjetur se Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) që udhëhiqet nga Vlora Spanca, paguan për trajnimet e punonjësve të ZKA-së, në Institutin ku ligjërues është zëvëndës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj.
Halilaj është ligjërues në Institutin për Certifikimin e Kontabilistëve, Auditorëve dhe Financierëve (IKAF), në të njëjtën kohë duke qenë edhe zëvendës Auditor i Përgjithshëm.
Përkundër që rregullativa e brendshme e ZKA-së e kërkon që një punëtor nuk mund të përdorë pozitën apo funksionin e tij për të avancuar interesat e veta personale, në njoftimet kur bëhet e ditur se Halilaj do të ligjërojë, theksohet se ai është në pozitën e zëvendës Auditorit të Përgjithshëm.
Në të njëjtën kohë, ZKA dhe IKAF kanë lidhur një memorandum bashkëpunimi, në të cilën thuhet se punëtorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit të cilët e ndjekin një lloj shkollimi në IKAF të quajtur “edukimi i vazhdueshëm profesional” (EVP), u njihet drejtpërdrejt anëtarësia në këtë institut dhe nuk kanë nevojë të paguajnë për anëtarësinë.
Bezad Halilaj ka konisderuar se nuk ka konflikt interesi në këtë rast dhe ka thënë se është i gatshëm që të përgjigjet prapë, nëse i kërkohet nga Komisioni i Etikës.
Zv/Auditori i Përgjithshëm përdorë pozitën zyrtare për të reklamuar mbajtjen e ligjërimeve në institucion privat
Bezad Halilaj që nga prilli i vitit 2022 është zëvendës Auditor i Përgjithshëm në Kosovë, e cila është pozita e dytë më e larta në Zyrën Kombëtare të Auditimit. Ndërsa që nga vitit 2015 ai shërben në Institutin për Certifikimin e Kontabilistëve, Auditorëve dhe Financiarëve (IKAF).
Përkundër që aktet e brendshme të ZKA-së kërkojnë që pozita zyrtare nuk mund të përdoret për përfitim personal, kjo nuk e ka penguar Halilajn që në njoftimet e IKAF-it për mbajtjen e ligjërimeve nga ai, të theksohet se është në pozitë të lartë në ZKA.
Kodit i Etikës i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) e shpjegon saktë këtë çështje.
“Punëtori i ZKA-së nuk mund të përdorë pozitën apo funksionin e tij për t’i avancuar interesat e veta personale apo të personave të afërt”– thuhet në pikën 1.6 të nenit 5 të Kodit të Etikës së ZKA.
“I punësuari i ZKA-së duhet të jetë gjithmonë vigjilent ndaj rrethanave, të cilat mund ta ekspozojnë atë ndaj shkeljeve të integritetit në punën e tij të përditshme dhe t’i shmangë apo eliminojë ato në mënyrë më të përshtatme, këto rrethana mund të lidhen me: Abuzimin me autoritetin për përfitime personale” – thuhet në nenin 10 – pika 1.1 dhe 1.3.
Në njoftimet ku është bërë e ditur se Bezad Halilaj do të ligjërojë në IKAF, në disa prej tyre është theksuar se ai është zëvendës Auditor i Përgjithshëm.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Zyra Kombëtare e Auditimit ka thënë se Halilaj është kujdesur që me kohë, sipas tyre, të ndërmarrë të gjitha masat e duhura mbrojtëse për të shmangur konfliktin e mundshëm të interesit.
ZKA ka thënë se pas emërimit në detyrë, Halilaj ka marrë pëlqimin për angazhimin në punë dhe veprimtari të tjera jashtë ZKA-së, sipas tyre, të lejuara me aktet e brendshme dhe ligjet në fuqi.
“Prandaj, siç shihet, në bazë të legjislacionit në fuqi, Halilaj, ka kërkuar dhe marrë leje paraprake nga Komisioni i Etikës/AP dhe se aktiviteti i tij nuk ka krijuar përfitim dhe as përceptim të përfitimit personal nga pozita publike, si dhe nuk ka ndikuar në reputacionin ose paanshmërinë e ZKA-së”– kanë thënë nga ZKA.
Ndërsa zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, përmes telefonit ka thënë se ai nuk e konsideron se në këtë rast kemi të bëjmë me konflikt interesit.
Ai ka thënë se në asnjë rast, sipas tij, nuk është i përfshirë në organizimin e kontratave apo procedurave për marrëveshjet me shoqatat profesionale.
“Edhe nuk është që jam i vetmi unë zyrtar publik që e bëj këtë. Domethënë zyrtarëve publik iu lejohet (ligjërimi). Kjo nuk nënkupton me qenë konflikt interesi. Edhe unë konsideroj që konflikti i interesit trajtohet rast pas rasti, por jo në këtë formë se për shembull një shoqatë, në këtë rast IKAF-i, e shpall një trajnim normal. Ajo pse e ka përmend pozitën e zëvendës auditorit, e ka përmendur konsideroj në cilësinë e CV-së time, e profilit tim, njëjtë është si e përmendi si nuk e përmendi, unë e mbaj atë pozitë”– ka thënë Halilaj.
Ai ka thënë se IKAF-i në këtë rast ka politikat e veta dhe se e ka konsideruar si të rëndësishme që me e tregu profilin e ligjëruesit që do të mbajë ligjëratën.
Halilaj ka deklaruar se është i gatshëm të përgjigjet prapë, nëse Komisioni i Etikës brenda ZKA-së e trajton rastin.
“Edhe komisioni i etikës është ekzistent në Zyrën Kombëtare të Auditimit, edhe mundet me e trajtu këtë rast. Unë jam i gatshëm për shembull me u përgjigj apo me marrë masat e duhura, me iu shmang konfliktit të interesit. Por vetëm pse figuron që unë jam zëvendës auditor, nuk mund ta fsheh këtë, sepse është diçka që është publike. Për mendimin tim, ju jeni gazetarë, edhe u përmend edhe nuk u përmend, mjafton emri im që të jetë i publikuar aty edhe njerëzit munden me hy edhe me hulumtu kush është. Nuk shoh absolutisht asnjë konflikt të mundshëm të interesit”– tha Halilaj.
Memorandumi i bashkëpunimit dhe lirimi nga pagesa për punëtorët e ZKA
Në shtator të vitit 2023 Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) dhe Instituti për Certifikimin e Kontabilistëve, Auditorëve dhe Financiarëve (IKAF) kishin nënshkruar një memorandum bashkëpunimi.
Ndër të tjera, në këtë memorandum parashihej që punonjësit e ZKA-së të cilët kryejnë një lloj trajnimi në IKAF, të përfitojnë anëtarësi vjetore në këtë institut dhe të lirohen nga pagesat për anëtarësi.
“Me këtë Memorandum, përcaktohet korniza e përgjithshme e bashkëpunimit ndërmjet palëve me qëllim të përkrahjes profesionale në formë të donacionit (pa kompensim të shpenzimeve) për zhvillimin e kapaciteteve dhe aftësive profesionale të stafit të ZKA-së, në përputhje me standardet ndërkombëtare për institucionet supreme të auditimit”– thuhet në nenin 1 të këtij Memorandumi.
Ndërsa në pikat 3.1 dhe 3.2 e specifikohet saktë mënyra e lirimit nga pagesa, duke u theksuar se punonjësit e ZKA-së që kryejnë 12 orë të shkollimit të quajtur “Edukimi i Vazhdueshëm Profesional”, të lirohen nga pagesa e anëtarësisë vjetore në këtë institut.
“IKAF merr përsipër zhvillimin e 12 orëve të edukimit të vazhdueshëm profesional për çdo vit, brenda afatit të kohëzgjatjes së këtij Memorandumi. Duke pasur parasysh interesin institucional publik, zhvillimi i orëve të caktuara të edukimit të vazhdueshëm profesional sipas paragrafit paraprak bëhet pa kompensim, përkatësisht në formë të donacionit. Për t’u zbatuar paragrafi 3.1. dhe 3.2. i këtij neni, në trajnimet për edukimin e vazhdueshëm profesional duhet të marrin pjesë punonjësit e ZKA-së të cilët paraprakisht bëhen anëtar në IKAF”– thuhet në Memorandum.
Janë të paktën 10 fatura me vlerë totale 710 euro të paguara përgjatë vitit 2024 dhe 2025, të cilat ka arritur t’i sigurojë KALLXO.com, që janë paguar për punonjësit e ZKA-së, të cilët kanë kryer një program në institutin IKAF.
Por në një përgjigje me shkrim, ZKA ka thënë se kemi të bëjmë me dy programe të ndryshme të edukimit.
Sipas tyre, për programin që është i përfshirë në Memorandum, i quajtur “Edukimi i Vazhdueshëm Profesional” (EVP), ZKA nuk ka kryer asnjë pagesë.
ZKA ka thënë se pagesat janë kryer për nivel të caktuar të trajnimit të personelit të ZKA-së, me statusin “student” dhe sipas tyre, pagesa është kryer vetëm për certifikim.
“Çështja e rimbursimit të kostove sipas niveleve të programeve të certifikimit është e rregulluar përmes një akti tjetër të ZKA-së, i cili mbulon rimbursimet e pagesave pas kryerjes së certifikimeve dhe anëtarësimeve “student” në cilindo nivel të programit dhe në cilëndo shoqatë profesionale, përfshirë certifikimet apo kualifikimet profesionale specifike të stafit tjetër të ZKA-së. Prandaj, pagesat e realizuara për stafin të cilët kanë qenë me statusin “student” në IKAF janë për të kompensuar shpenzimet për qëllim të certifikimit e jo për mirëmbajtje profesionale përmes edukimit të vazhdueshëm”– thuhet në përgjigje.
Në të gjitha faturat që ZKA i ka paguar institutit IKAF, përshkrimi i pagesave është “Anëtarësia vjetore” dhe më pas lloji i certifikimit, përshembull “Auditor i Jashtëm i Certifikuar”.
Ndërsa në aktin tjetër, të cilën ZKA e përmend në përgjigje e në bazë të së cilit janë paguar certifikimet si më lartë, thuhet se personeli auditues të cilët përfundojnë ndonjë nivel të certifikimit në ndonjë nga institucionet e akredituara dhe të specializuara në Kosovë, iu kompensohen shpenzimet për atë nivel të skemës në vlerën prej 100% të shumës së përcaktuar me kontratë ndërmjet punonjësit dhe ofruesit të trajnimit.
“Për nevoja të këtij vendimi, termi shpenzime nuk nënkupton shumat e paraqitjes së provimeve në të cilat personeli ka rezultuar i pasuksesshëm, përveç provimit në të cilën ka rezultuar i suksesshëm”– thuhet në pikën 2 të vendimit të marrë nga Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca, më 02.12.2022.
Në anën tjetër, instituti IKAF ka mohuar se Bezad Halilaj ka pasur ndonjë ndikim për nënshkrimin e memorandumit në mes tyre dhe ZKA-së.
Në një përgjigje me shkrim, drejtori i IKAF, Bujar Krasniqi, ka thënë se memorandumi është rezultat i një bashkëpunimi ndërmjet ZKA-së dhe IKAF-it, për nevojat për zhvillimin profesional të stafit të ZKA-së.
“Për më shumë, ky Memorandum është vazhdimësi e bashkëpunimeve të mëparshme mes dy institucioneve, por është i veçantë pikërisht sepse nuk ka pasur asnjë implikim financiar për ZKA-në”– ka thënë Krasniqi.
Ai ka theksuar se memorandumi dhe “lirimi nga pagesa” vlen vetëm për anëtarësinë profesionale, e jo për programe të tjera.
“Ky përfitim nuk përfshin anëtarësinë studentore, e cila është e detyrueshme gjatë procesit të trajnimit dhe certifikimit fillestar (regjistrim, module, provime) dhe ka kosto të veçanta. Ky dallim midis anëtarësisë studentore dhe asaj profesionale është standard në të gjitha programet tona të certifikimit dhe në praktikat e shoqatave profesionale ndërkombëtare. Memorandumi nuk mbulon kostot personale të certifikimit fillestar”– ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka thënë se IKAF ka memorandume të ngjashme të nënshkruara edhe me Universitetin e Prishtinës, Mitrovicës dhe të Pejës.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka thënë se janë 10 punonjës të tyre që para se të punësohen në këtë institucion, kanë kryer trajnime dhe shkollime në institutin IKAF, në të cilin ligjëron zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj.
Në lidhje me këtë artikull, një ditë më vonë, më 28.01.2026, ka dalë me një sqarim Zyra Kombëtare e Auditimit.
Sqarimin e tyre të plotë mund ta lexoni KËTU.
Shënim: Më 28.01.2026, në ora 14:18, artikullit i është shtuar në fund njoftimi për sqarimin e publikuar nga ZKA dhe linku i sqarimit të plotë.


