Auditori: Në SHSKUK janë nëntë pozita të nivelit drejtues me ushtrues detyre, vendimet për to janë nga 2010 deri në 2023

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se nëntë pozita të nivelit drejtues në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës janë me ushtrues detyre, jo në përputhje me afatin e përcaktuar ligjor. Vendimet për këto pozita janë që nga viti 2010 deri në vitin 2023.

Në raport thuhet se 337 pozita në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës janë me ushtrues detyre e që nuk janë në përputhje me dispozitat ligjore.

Sipas Ligjit për zyrtarët publikë, zyrtari publik nuk mund të caktohet ushtrues detyre më gjatë se 12 muaj përveç rasteve kur procedura e rekrutimit është shpallur por pozita nuk është plotësuar për arsye objektive.

Ligji thotë se pozita e lirë nuk mund të mbulohet me ushtrues detyre për më gjatë se dy vite.

ZKA ka theksuar se mbulimi i pozitave të nivelit drejtues me ushtrues detyre për një kohë më të gjatë se periudha e lejuar krijon pasiguri në vendimmarrje dhe në përgjegjësitë e funksioneve kyçe.

“Bordi Drejtues dhe Drejtori i Përgjithshëm duhet t’i përshtas vendimet për ushtrues detyre në përputhje me dispozitat aktuale  ligjore”- ka rekomanduar ZKA.

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka pranuar opinion të kualifikuar në raportin e auditimit të pasqyrave financare për vitin 2025. Auditori jep opinion të kualifikuar kur pasqyrat financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.

Raporti i ZKA-së për SHSKUK-në i vitit 2025 ka rezultuar me 12 rekomandime, prej tyre pesë të reja dhe shtatë rekomandime të përsëritura.

Raporti i auditimit për vitin 2024 kishte rezultuar me nëntë rekomandime, dy prej të cilave janë zbatuar ndërsa për 7 të tjera nuk ka nisur zbatimi.

Të hyrat e realizuara nga SHSKUK në 2025 ishin në vlerë 3,123,932 euro. Ato kanë të bëjnë me të hyrat nga participimi, certifikatat mjekësore, parkingu, etj.

Raportin e plotë të SHSKUK-së mund ta gjeni KËTU.