Udhëtim pa Mbarim Nëpër Prishtinë

Ndalesa e parë e dy vizitorëve të huaj bëhet në Prishtinë. Pranë sheshit që nga komunist në revolucionar, deri te shndërrimi në demokrat. Dy të huaj sorollaten pak më lart e pak më posht tek përsërisin pyetjen e njëjtë: “Prishtinali të dashur, a mund të na tregoni se ku ndodhet filan ndërtese e filan objekti?” Në kohë me shi dhe në qendër, dy vizitorë në Ditën Botërore të Turizmit gjejnë veten të përhumbur e të hutuar se si t’i zbulojnë anët e veçanta që dokumentojnë jetën dhe kulturën e kryeqytetit kosovar. 

Këtë storie e zura rastësisht në TV një të diele mbrëma. M’i kujtoi miqtë e mi të panjohur që dy vite më parë, në kohë të njëjtë shtatori, kishin humbur edhe ata në rrëmujën e kryeqytetit. 

Kombet e Bashkuara kanë zgjedhur për turizmin botëror të 2015-tës moton “Një miliard turistë, një miliard mundësi”. Pavarësisht numrit shumëshifror, në matematikën kosovare kjo i bie baraz me hiç.

Po t’i kthehemi Prishtinës, kush e dëshiron dhe e lakmon atë për një udhëtim kulturor, mund ta lëkundë egër besimin e ëndërrimin e parë me përjetimin real që i ofron kryeqyteti kosovar. 

Prishtina nuk do që ta njohin. Ajo fshihet si një zonjë e lodhur e moshuar. 

Pishtina e vjetër dhe ajo e reja që e ka vrarë nuk çajnë kokën për vizitorët që duan ta njohin e mbase ta dashurojnë. Zonja kryeneçe nuk ndërron mendje! Shekujt dhe kulturën i mban të fshehura nën rrobë. 

Në këtë vend të vogël që rastisë të jetë kryeqyteti i shtetit të ri, nuk ka një udhëzues për një udhëtim zbulues; nuk ka as mjetin më elementar në zhargonin e turizmit- një hartë për trashgëminë e kulturën, një mundësi ta jetosh përvojën e saj të jetës e të dashurisë, të dhembjes e të vuajtes. 

Në këtë mungesë, në sheshin në zemrën e saj, ka vetëm një habi- një kioskë të pahapur ndonjëherë me mbishkrimin “Tourist information”. Hileja kuptohet shpejt, se aman veç për turistët nuk është vënë aty. Një kioskë për ibret me fletushka reklamash vënë mbi të. Dhe turistët do të kenë mirësinë e durimin të sorollatën nëpër Prishtinë në një udhëtim pa mbarim.

Takimi i parë me kulturën e Kosovës është i rëndë e tmerrësisht zhgënjyes. Kështu që, ata që ia kanë mësyrë Prishtinës o ndonjë tjetër qyteti, ose kanë në plan ta bëjnë, më mirë ta harrojnë këtë punë, se udhët për të gjetur trashëgiminë, ngrehinat e një kohë e një kulture, varen nga disponimi i kalimtarëve nëse e kanë ose jo vullnetin t’u japin udhëzime se si të mbërrijnë në destinacionin e kërkuar, një takim që poashtu në raste të shumta mund të rezultojë zhgënjyes.

Po, ka një shpresë gjithsesi. Djali nga komuna në emër të saj, tha me bindje të plotë atë të diele mbrëma, ose goja kështu ia nxorri, se kjo situatë do të rregullohet shpejt: “Po, ne do ta bëjmë! Jemi në përgatitje dhe së shpejti turistët do të kenë ku të udhëzohen.” kështu pati thënë dikush nga i njëjti vend edhe dy, tre, pesë, shtatë e vite tjera më parë. Një mjeshtëri për të përsëritur të njëjtën fjali ndër vite, të cilën as njëri dhe as tjetri, as në qeverisjen lokale e as në qeverisjen qendrore, nuk do e çojnë në vend, se dorën n’zemër, janë të zënë me vënien e rregullit në kaosin e botës përreth. 

Deklaratat hipokrite të pushtetit të vjetër dhe të ri në kryeqytet, nismat e mbledhit, që nisin me fjalët “do ta bëjmë Prishtinën…” zbehen shumë shpejt, dhe turizmi e kultura si dy damar të lidhur e tejet të rëndësishëm mbarojnë po në hipokrizinë e fjalimeve. Premtimet e preokuptimet marrin fund në momentin që mbarojnë deklaratat zgjedhore, sepse pushtetet kanë rrëmuja të tjera dhe pakohësi për të vënë në rend gjithë kaosin e botës shqiptare. 

Disa vjet shtet janë pak për historinë e një shteti që i ka harxhuar më shumë se 100 vjet për lirinë e tij, por janë shumë për t’ia parë faqen e zezë, edhe në fushat që vështirë nxihen. Shteti i Kosovës përballë artit, kulturës dhe trashëgimisë, për këto vite ka qenë më shumë se sa një hiç.

Nuk mbahet mend që në këto vjet liri e shtet, shteti kulturor i Kosovës, të ketë ndërtuar nga e para ose të ketë meremetuar me themel një shtëpi teatri, një shtëpi kulure, një muze, galeri…  krejt çfarë ka bërë i ka në projekte e në letër, që i ndërron sa herë ndërrohen ministrat dhe drejtorët e kulturës. 

Sekujt do i shkonte mendja e keqe ta parafrazojë Engelsin e ta quajë shqiptarinë një “komb pa histori” ose një “komb fshatar” pa një klasë drejtuese të aftë ta dëshmojë vlerën e vet.

Mbase një situatë e zakonshme për një shtet të vogël, të varfër e të varur lehtësisht.

Vizitorët le të vazhdojnë të sorollaten nëpër rrugët e sheshet e Prishtinës e të Kosovës, duke kërkuar me dylbi pamje të veçanta, fytyra të veçanta mes turmës, kishat e xhamitë, gjysmë të ndërtuara e gjysmë të rrënuara, duke u përpjekur të shpupurisin në rrënojat që vështirë shihen e vështirë gjenden, në kërkim të miteve të hershme e miteve të sotme. Në mungesë të informacioneve të pikave kulturore, s’do të kenë nevojë për udhëzues për ta parë vendin e mbërthyer nga shpërthimi kaotik i ndërtimeve palidhje të ndërtesave e objekteve pa kurrfarë plani, të mbërthyer nga shpërthimi kaotik i memorialeve të luftës, i kalldrëmeve të zhdukura, ndërtesave të braktisura, parqeve të pambajtura e ngrehinave të ndryshkura. 

Një sorollatje që mund të përfundojë në një udhëtim pa mbarim nëpër Kosovë, një udhëtim që nxjerr në pah jetën e coptuar e të fshehtë të banorëve, të traditës dhe të jetës së tyre kulturore. 

Gjithsesi aventurë gjatë së cilës do të zbulojnë një nga plagët e saja të mëdha.

Qytetërimi shqiptar, pjesa kosovare e tij, nuk është se ofron pamje madhështore a groteske të një qytetërimi hijerëndë, por aq sa ka në botën e brishtë të tij, mund t’i japë të interesuarve një histori të veten. Po sigurisht se për një gjë të tillë duhet pasur dëshirën dhe shumë shumë punë nga të gjitha institucionet e personat që paguhen për këtë arsye. Se sa e madhe është dëshira dhe dashuria e tyre… mbase do të duhej pyetur ata që u ndodhën “lost in Kosovo!”.