Kisha ortodokse në kampusin e Universitetit të Prishtinës | Foto: Atdhe Mulla

Loja e Shenjtë

Një nga historitë më kontraverse të Kosovës së pasluftës, është ajo që një grusht fetarësh ortodoksë, ndoshta ish-milosheviqanë, komunistë, marksistë e çkado qofshin, po e bën luftën e tyre nga muret e një manastiri e të një patriarkane.

Kisha ortodokse serbe, me gjithë tempujt e saj në Deçan, Gracaniçë, Pejë, Prizren … ka kohë që është shndërruar në kishë politike, madje kjo sikur nuk lë përshtypje më, por kur fatkeqësisë fillojnë të ngjajnë edhe debati merr përmasa të mëdha, e mund “barra qiranë”.

Teatri i priftërinjve dhe politikanëve serbë, të cilët pak ditë më parë dhanë shfaqje me hyrjen nëpër grilat e kishës ortodokse serbe të papërfunduar në kryeqytet, me arsyetimin e mirëmbajtjes, gjeti gjithë spektaklin dhe mori gjithë vëmendjen që e kërkoi inskenimi. Loja, nuk është më një parodi teatrore, as një meshë fetare, pos lojës së pastër politike plot hile. Serbët, të paktën këta e ata që i kemi njohur, na kanë kallëzuar se janë mjeshtër të hileve.

Askush nuk befasohet më as me politikën serbe, as me përfaqësuesit e religjionit serb. Habia rri diku përtej.

Liritë fetare në këtë vend janë të garantuara me kushtetutë, me Kuran e me Bibël, pa çka se numri i besimtarëve thuhet të jetë më i vogël se sa ndër gjithë popujt tjerë në Evropë. Por është për t’u habitur, se si ndodh që tri objektet më të mëdha fetare të kohës më të re të Kosovës, të cilët janë bekuar nga tre presidentë e jo nga tre klerikë, kanë bërë kaq shumë bujë. Ndoshta pse të trija ato kanë nga një “bisht”.

Presidenti i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova, me vizionin a me kozmopolitizmin e tij, apo me të dyjat bashkë, kishte qenë shkaktari kryesor që në mes të Prishtinës e mbi themelet e një shkolle, të ndërtohej katerdralja më e madhe katolike ndër shqiptarë.

Vetëm 200 metra më sipër, madje në kompleksin e Universitetit të Prishtinës, me fajin e “kasapit të Ballkanit”, Milosheviqit e të sejmenëve të tij, qe ndërtuar përgjysmë kisha më e madhe ortodokse serbe, që sot është shndërruar në simbol të kohës së keqe.

Rreth tri vite më parë, edhe ish-presidentja e Kosovës kishte vënë gurthemelin e xhamisë që duhej të ishte e madhe në Prishtinë, duke u shndërruar kështu në femrën e parë që vë një gur për një tempull fetar të besimit islam. Ndonëse gurthemelin e ka zënë bari, objekti nxiti debate me tone të rënda retorike.

Tri objekte të mëdha fetare, të tri besimeve të ndryshme të popullit të vogël, janë inicuar ose përuruar, me bekimin e tre presidentëve dhe fare afër njëri-tjetrit, kjo për nevojat e besimtarëve, të cilëve rrallë u shkel këmba në xhami ose në kishë.

Megjithëse është folur e shkruar se si shqiptarët janë ndër popujt e rrallë me një tolerancë të jashtëzakonshme fetare, meqë me shekuj kanë bashkëjetuar duke pasur një komb e tri fe,  sot s’ka si të mos shihet, se edhe në Kosovën e vogël ka kohë që ka filluar lufta me tempujt. Më shumë se sa “shtëpi të Zotit”, dy godinat dhe një godinë fantazmë fetare të kryeqytetit ngjajnë më tepër në tempuj politikë se sa fetarë.

Fetarë e antifetarë rebelohen ndërmjet e fajësojnë, përderisa Ortodoksizmi, në emër të një morali, lufton me ortodoksizëm politik. Serbët “djallëzor” e shqiptarët “naivë”, me gjasë, të dy duan të na bindin se po luftojnë n’emër të paqes. Por ‘paqja’ aq shumë e apostrofuar, nuk mund të fitohet pa ‘letra’ të hapura. Ndaj as zgjidhja e çështjes së objektit fetar serb që rri në zemër të kryeqytetit kosovar, e ‘bekuar’ nga antinjeriu i shekullit të shkuar, nuk është çështje që mund të zgjidhet as në polin e djallëzisë së hapur e as të naivitetit të shtirur.

Politikanë të djeshëm e politikanë të sotëm, duket se vërtet duan të besojnë në planin e fesë shumëfishe. Po paraqitja strategjike e tolerancës fetare, plan ky të cilin kaq fort duan ta dëshmojnë, ka kundërshtinë totale të anës së kundërt.

Pushtetarët ndiejnë përgjegjësi e mund të ngushtohen duke folur aq shumë për multietnicitetin e për multikulturalizëm, duke dhënë para të majme për mbrojtjen e monumenteve fetare serbe, derisa këmba dhe koka e tyre vazhdon të shkelë sikur çdo gjë tjetër jashtë ‘shenjtërisë serbe’. Ndoshta priftërinj e hoxhallarë do të vazhdojnë t’u thonë “myhybëve” të tyre se “vetë Zoti ka thënë” që në Prishtinë, në 500 metra vijë ajrore, duhet të ketë edhe katedrale, edhe kishë edhe xhami, por mëkatarët që jetojnë poshtë tyre, një ditë mund të mërziten nga kambanaret dhe minaret dhe zhurma rreth tyre.

Religjionet pretendohet se synojnë paqen, po lufta me tempujt dhe përvojat e reja fetare në Kosovë, kanë nisur të dëshmohen si përvoja shkatërruese, të cilat vetëm një qiell engjëllor nuk kërkojnë.