Festa në Prishtinë | Foto: Atdhe Mulla

Nëntori, mbi Mitet Kombëtare

Sa herë dalldisemi e flamujt i varim si rrobat dikur në oborr të shtëpisë, nëse jo për bukuri, për madhështinë e patriotizmin, na rikthehet rituali vjetor që rikonfirmon idealet e lirisë mbi të cilat u themelua shteti shqiptar. Me rikthimin e ritualit të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, këndej, ringjallen debatet e çarshisë rreth qëndrimit ndaj identitetit shqiptar. Kosovarët kanë qëndrim ambivalent ndaj identitetit të tyre, e në opinion janë ngulur disa “paradigma“ kundërthënëse. Njëra anë sugjeron simbolikën e re për të folur për një identitet të veçantë dhe parakonsolidues kosovar, ndërsa ana tjetër gjitha këto i interpreton si kozmetikë e përkohshme, si pauzë identitare, apo si dekor i imponuar i fuqive eksterne për hir të ruajtjes së paqes në rajon.

Në festat zyrtare të Republikës së Kosovës, 28 Nëntori nuk figuron si ditë pushimi. Në kalendarin vjetor të arsimit të mesëm e fillon, nën emërtimin “Dita e shqiptarëve” shënohet ditë pushimi. Miq e të njohur ndërkaq, ia mësyjnë kalimit të kufirit, për ta kaluar ‘festën e vërtetë’ andej, në Shqipëri. Kemi pushim të hënën apo jo? Gati të gjithë përgjigjen dyfish: po ose jo, për t’i vënë pikën me një përgjigje asnjëjëse: nuk e di! Dilemën e shoi pak ditë para 28 Nëntorit, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili propozoi që kjo datë, si Ditë e Pavarësisë së kombit shqiptar, të jetë ditë pushimi në Kosovë. Kabineti qeveritar votoi pro propozimit, me çka u vendos që festa e sivjetme kuq e zi të jetë, ndonëse jozyrtarisht, ditë pushimi.

Prishtina ndërkaq, më shumë se qytetet tjera, ka ditur në këto tri vitet e fundit të jetë shumë e kuqe. Qysh kur Vetëvendosja mori fronin e Prishtinës, flamujt kuq e zi janë valëvitur më shumë se kurrë. Megjithatë ngjyra e kuqe duket se i shkon fytyrës së hirtë të Prishtinës, qoftë për gjallërinë e ngjyrave e qoftë për paradën kombëtare. I shkon ndoshta edhe vetëm për të na rikujtuar se Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, është një ritual vjetor që rikonfirmon idealet e lirisë mbi të cilat u themelua shteti shqiptar. Dhe është populli ai që feston përherë me idealizëm e optimizëm një epokë të vlerave të konsideruara të larta atdhetare, të një integriteti të lartë politik, të cilën për veten e vet në kohën e re, duket se s’po e gjejmë.

Brenda një debati të papërfunduar e të ringjallur fort kohëve të fundit, çështja kosovar apo shqiptar nuk ekziston më 28 Nëntor. Duket se në këtë datë e rëndësishme është që shoqëria ia mundëson secilit të jetë i lirë, të ndihet ashtu siç do. Në kuadër të kësaj lirie një pjesë e kulturosferës vetëperceptohet si shqiptare e një tjetër si kosovare, e megjithatë festën e shohim dhe me gjasë e ndjejmë si të përbashkët.

Duket sikur institucionalistët, ata që besojnë në identitetin kulturor e politik kosovar të jenë pakica në këtë rast, më të tepërt e më të zëshëm, jo vetëm në këtë datë nëntori, eksponohen ata që as në ëndërr nuk duan ta pranojnë flamurin e qëndisur të Kosovës së re. Të zëshëm janë edhe gjithë shtresat tjera, nga fëmijët që mësojnë vjersha të ndryshme të pavarësisë deri te studentët që ikin për ekskursion në Shqipëri.

Festa e 28 Nëntorit ngrihet mbi mitet kombëtare, e mbi këtë çmitizim, çon shqiptarët të rikthejnë kryet te themelimi i shtetit të parë dhe unifikimi i tyre. çon shqiptarët e shpërndarë te një trashëgimi që vjen e rinovuar nga brezi në brez, dhe te një kulturë taze politike që djeg zemrat moderne shqiptare siç nuk i ka djegur ndonjëherë.

Me këtë rast, dilema “jemi një, jo jemi shumë” humb e bie në folklor, ndërkohë që rreth flamurit të bashkuar rrinë të gjithë, në sheshe, në televizor, në shkollë e në shtëpi.