Leonard Cohen | Foto: Wikimedia Commons
Hallelujah, Leonard Cohen!
E kanë quajtur “Profet i zymtë”, “Kumbar i trishtimit”, “kryeprift i patosit”, “thumb i ashpër”, “horr i penduar”, po Leonard Cohen, është tekstshkruesi, poeti e muzikanti që s’e bën nana tjetër. Bashkë me Bob Dylan, Jimmy Page, Jim Morrison e të tjerë, kanë bërë që në një kohë, në një gjeneratë, kur shumica ishin të çorientuar dhe të deziluzionuar, të thonin me fjalë e tinguj atë çfarë të tjerët ndjenin e nuk e shprehnin dot: zemërimin e dëshpërimin e gjeneratave, thellësinë e kuptimin e jetës. Ata kanë arritur të kapin imagjinatën dhe ëndrrat e gjeneratave të gjashtëdhjetave, shtatëdhjetave, tetëdhjetave e nëntëdhjetave, duke i përdorur e përshtatur bukur në lojën e fjalëve e të muzikës.
Disa thonë se ishin pak 82 vjet jetë për të, porse ai do të rrojë gjithnjë. Sensual e krejt i veçantë në lirikat e këngëve, në muzikë, e në poezi, Cohen ishte çdoherë ose i adhuruari i madh ose anashkaluari i madh. Ata që i kanë hapur dyert për ta njohur thellësinë e trishtimit të tij, e kanë dashur fort, ata që i kanë mbyll ato, s’kanë mundur ta njohin asnjëherë.
Cohen bënte pjesë në kategorinë e legjendës së nënvlerësuar. Për muzikëdashësit e tij, duke përfshirë dhe shumë tekstshkrues, ai ishte ndër më të mirët, por asnjëherë nuk ka gëzuar një hit botëror, në kuptimin e popullaritetit, ose një album platin. Ai ka thënë se një imazh i caktuar i tij është ai i poetit feminist që këndon këngë për “melankolinë dhe dëshpërimin” dhe pëlqehet vetëm nga ata që dëshirojnë të jenë “poet feminist”.
Për disa ose për shumicën, mund të mos ketë qenë këngëtari më i mirë, muzikanti më i mirë e as më i pashmi, por Leonard Cohen kishte shumë karizmën, shumë poezi në fjalët e në paraqitje, dhe një inteligjencë të jashtëzakonshme. Ndoshta, për kanadezin, stili i të kënduarit i të cilit i detyrohet më shumë kanconeve frënge dhe këngëve hebreje, se sa folkut amerikan, ai ishte gjithmonë më i dashur në Evropë se sa në Amerikën e Veriut. Në një shkrim të hershëm, në një revistë folku “Sign Out” shkruhej: “Asnjë krahasim nuk mund të bëhet në mes të Leonard Cohen-it dhe ndonjë fenomeni tjetër”. I tillë ishte Cohen.
Mbaj mend se kënga e parë që kam pëlqyer qe “Dance me to the end of love”, për të adhuruar më pas “Famous Blu Raincoat”, e dashuruar në tekstet, në muzikën e në poezinë e tij.
Ai mbetet poeti i lirë, nopran e vetmitar. Poeti që duket se shkruan për ndodhitë e zakonshme në jetën tonë, për të hyr në thellësinë e terrin e botës që fshehim. Nga bota e dukjeve në terrin e bukurinë e fshehtësive tona, të vërtetave të fshehura skutave të shpirtit. Poezia e muzika e artistit është cilësuar jo e lehtë për t’u kuptuar e tejet komplekse për disa. Cohen i vuri në dispozicion muzikës poezinë e thellë, dhe është kjo thellësi vargjesh që lind ‘moskuptimin’ me të. Ndodh që Cohen mund të adhurohet nga ‘lexuesit e mirë’, për të tjerët mbetet egoisti që sheh gjetjen e vet.
Gjuha e gjallë e poezisë, vargjet e muzika e shpirtit e bëjnë atë kaq të ndryshëm. Cohen pati thënë shpesh se “E gjitha që më duhet të vë në një këngë, është përvoja ime personale”, kjo ka bërë që muzikën ta ketë thellësisht individuale.
40 vite më parë ndërkaq pati thënë se “Suksesi është mbijetësë”. Kohëve të fundit, në dukje si një babagjysh mafioz, gjersa promovonte albumin e fundit në një reflektim intim mbi dashurinë, vdekjen e faljen, ai buzëqeshte me mirësjellje, kur gazetarët e pyesnin si mund ta shpjegojë imazhin e tij si njeri i femrave. “E pra, për mua të jem njeri i femrave në këtë pikë kërkon një marrëveshje të madhe të humorit,” përgjigjet. “Kam ardhur në përfundim, ngurrues, që do të vdes”, përgjigjet po me humor para gazetarëve në një tjetër vend.
Leonard Cohen s’ishte asnjëherë i imponueshëm, qe poeti e muzicienti vetmitar. Autor i këngëve të thella, si “Hallelujah”, një këngë lënë pas dore dikur, e kënduar edhe nga këngëtar si Jeff Buckley e Bob Dylan, dhe riaktualizuar viteve të fundit në një lloj himni modern; autor i baladës së mrekullueshme “Famous Blu Raincoat”, “Chelsea Hotel”, “In my secret life”, “Dance me to the end of Love”, “Suzzane”, e të tjera këngë të jashtëzakonshme, për të cilat pohonte se i vinin ngadalë, dhe që disa i kanë marr vite kohë për t’i shkruar. “Ka njerëz që punojnë me bollëk, po unë s’jam njëri prej tyre”, thotë poeti i vlerësuar edhe me disa çmime, ndër to çmimin prestigjioz “Princi i Austurias”.
I ikur gjatë viteve të 90-ta, për gjashtë vite i ‘humbur’ në filozofinë e Zen-it e në judaizëm, Cohen i rikthyer pohonte se “Në këto mësime pa dogma, pa adhurim, pa asnjë adresë për hyjni, po përpiqej të mundte djallin e depresionin, duke u angazhuar për të jetuar në komunitet”. Trishtimit që përcjell kënga e tij mund mbase t’i shkojë për shtati fjalia e Borhes-it, motivuar nga Shakespeare: “Duke vështruar errësirën që shohin të verbrit!”.
Duhanpirësi i madh me “zërin e trashë” ka një këngë në albumin e 2012-tës “Old Ideas”, me titull “Going Home”, ku përmend “një manual për të jetuar me humbje”. A mundet një dëgjues të mësoj për jetën nga këngët e tij? “Po,” kishte thënë vetë ai. “Për mua ka funksionuar mjaft mirë.” Për “mjeshtrin e trishtimit”, poetin e thellë, poezinë e këngën e qetë, Hallelujah, Leornard Cohen!