Sanksionet e 'harruara' ndaj Serbisë, Kosova insiston që BE ta ndëshkojë për sulmin në Banjskë

Institucionet e Kosovës, liderët e rajonit e eurodeputetët, ditëve të fundit kanë shtuar presionin mbi Bashkimin Europian për të zbatuar masa ndëshkuese ndaj Serbisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Pa specifikuar detajet, nga Bashkimi Europian kanë thënë se po presin një hetim të plotë të ngjarjes për të vendosur më pas për hapat e radhës nga BE- ja.

Ndërkohë që masa ndaj Serbisë janë paralajmëruar, deputetët e Kuvendit të Kosovës kërkojnë veprime konkrete për ndëshkimin e shtetit serb për përfshirje në sulmin ku mbeti vrarë polici Afrim Bunjaku.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrim Europian, Rrezarta Krasniqi tha se institucionet e Kosovës duhet të lobojnë për t’i bindur vendet anëtare të BE-së për të vendosur masa ndaj Serbisë.

“Duhet me pas sanksione ndaj Serbisë dhe fillimisht mi heq sanksionet ndaj Kosovës. Duhet me lobu që me i bind shtetet tjera me vu sanksione ndaj Serbisë, se ato duhet me u votu në Kuvend ku janë 27 shtete anëtare. Si kryetare e Komisionit për Integrim Europian po lobojmë që ata duhet me na përkrah. Edhe si opozitë jena tu punu po edhe pozita duhet me vepru” – tha Krasniqi për KALLXO.com.

Sipas saj, deri më tani jozyrtarisht janë përmendur anulime të fondeve për Serbinë, por ajo pret për veprime konkrete lidhur me këtë çështje.

Ndërsa, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se BE-ja është dashur që në vazhdimësi të jetë neutrale si fuqi negociuese mes Kosovës dhe Serbisë dhe jo të ketë njëanësi në dialog.

Sipas tij, BE dhe fuqitë tjera ndërkombëtare duhet të marrin masa ndëshkuese si rrjedhojë e politikave dhe veprimeve të dëmshme të Serbisë ndaj Kosovës dhe sigurisë së Ballkanit Perëndimor.

“Vetëm kjo do ta qortonte dhe mbante në kontroll shtetin serb, i cili në çdo moment dinë të befasojë me sulme dhe agresione” – tha Lekaj për KALLXO.com.

Ai ka përmendur dy veprime, që sipas tij duhet të ndodhin menjëherë që dialogu dhe procesi i integrimit të Kosovës në BE të kishte kuptim.

“E para largimi i sanksioneve ekonomike të BE-së përballë Kosovës, e dyta dënimi i kriminelëve që sollën trazira në veri dhe masa ndëshkimore politiko-ekonomike ndaj Serbisë” – shtoi ai.

“Ndryshimin” e qasjes në dialog e ka përmendur edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, i cili ka thënë se Kosova duhet të bëjë të qartë që dialogu pa mirëbesim, barazi dhe parime nuk duhet të vazhdohet tutje.

“Ne gjithmonë kemi qenë pala konstruktive në dialog, duke ia dhënë shansin dialogut nën frymën evropiane. Por, pas ngjarjeve të fundit nuk do duhej të jetë prioritet dialogu sepse prioritet është siguria nacionale për shkak të rrezikimit të sovranitetit, integritetit territorial dhe kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës” – tha ai për KALLXO.com.

Sipas tij, për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e shteteve të Ballkanit, është e rëndësishme që Serbia të sanksionohet politikisht dhe ekonomikisht.

Batusha ka shtuar se masat e BE-së ndaj Kosovës duhet të hiqen sepse Kosova ka plotësuar kërkesat e ndërkombëtarëve për deeskalim.

Prej sulmit në Bansjkë, i cili ndodhi dy javë më parë, ekzekutivi kosovar disa herë ka përsëritur nevojën për ndëshkimin e Serbisë.

Nga Qeveria e Kosovës thonë se prej 24 shtatorit në vazhdimësi kanë publikuar dëshmitë që faktojnë përfshirjen e shtetit serb në sulmin terrorist.

“Për këtë Serbia duhet të sanksionohet dhe ndëshkohet ndërkombëtarisht. Ajo është dashur të dënohet edhe në rastin e rrëmbimit të tre policëve të Kosovës brenda territorit të Republikës së Kosovës në qershor të këtij viti”- ka thënë për KALLXO.com zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, duke shtuar se nëse edhe ky akt mbetet i pandëshkuar, atëherë Serbia do të përsërisë akte të krimit.

Ditë më parë, presidentja Vjosa Osmani ka refuzuar të zhvilloj ndonjë takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Granada të Spanjës, para se të vendosen sanksione ndaj Serbisë.

“Nuk ka arsye për t’u takuar para se miratohen sanksionet ndaj Vuçiqit, fillimisht sanksionet dhe më pas mund të flasim për të tjerat” – kishte thënë presidentja Osmani.

Përkundër interesimit të KALLXO.com, Bashkimi Europian nuk dhënë detaje nëse janë përgatitur masa ndaj Serbisë dhe kur do të bëhen publike.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano dje ka thënë se po presin një hetim të plotë të ngjarjes së 24 shtatorit në Banjskë për të vendosur më pas për hapat e radhës nga BE- ja ndaj palëve, ndërsa ka shtuar se nga Serbia presin bashkëpunim të plotë dhe pa kushte në hetimin e sulmit terrorist.

Në anën tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiq i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”.

“Për dallim nga ata, ne nuk përpiqemi të konkurrojmë nëse Prishtinës apo dikujt tjetër do t’i ndodhë diçka e keqe. Nuk na keni dëgjuar kurrë duke bërë fushatë për sanksione ndaj tyre. Ne nuk jemi të interesuar për këtë, ne jemi të interesuar të kemi një jetë normale, që serbët në Kosovë ta kenë një jetë normale” – kishte thënë presidenti i Serbisë në Granada të Spanjës, më 5 tetor 2023.

Parlamenti Europian kërkoi sanksionimin e Serbisë

Me 3 tetor 2023, në Parlamentin Europian u kërkua sanksionimi i shtetit serb për shkak të agresionit në Kosovë.

Deputeti kroat Tonino Picula, duke folur në emër të grupit Socialist, kërkoi masa ndaj Serbisë, ndërsa eurodeputeti holandez, Thijs Reuten kërkoi hapa “vendimtarë për ta ndalur Presidentin e Serbisë Vuçiq”.

Në debat pati shumë kritika edhe për politikën e BE-së ndaj Serbisë dhe për neglizhencën ndaj ndikimit të Rusisë në rajon, derisa pati edhe deputetë që bënë thirrje për hetime ndërkombëtare dhe që përgjegjësit e sulmit ndaj Policisë së Kosovës në veri të vihen para drejtësisë.

Eurodeputetja holandeze, Tineke Strik, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq me vite në heshtje është lejuar ta minojë stabilitetin në rajon.

Strik ka bërë thirrje që liderët e BE-së të veprojnë ndaj Serbisë lidhur me ngjarjet e fundit në veri.

“Është dashur ta mësojmë mësimin me Putinin. Pas ngjarjeve të fundit, është koha që liderët e BE-së të zgjohen. Situata e sigurisë në Ballkan është mjaft e rrezikshme. Duhet të veprojmë tash që të mbrojmë qytetarët e Ballkanit Perëndimor” – ka thënë Strik në debatin e eurodeputetëve.

Ndërsa, me 19 tetor Parlamenti Europian pritet të votojë një rezolutë lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vdekur polici Afrim Bunjaku.

Vendet e rajonit dënuan sulmin terrorist

Gjatë një takimi në Zagreb, thirrje për ndëshkim të Serbisë, kanë bërë edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe homologu i tij kroat, Andrej Plenkoviq.

“Ne e kemi një krim, një vrasje të një oficeri policor, dhe e kemi heroizmin e atyre që e kryen krimin” – ishte deklaruar Rama.

Në mbështetje të Kosovës doli edhe kryeministri i Kroacisë i cili kërkoi gjithashtu marrjen e masave nga BE për Serbinë.

“Kroacia e dënon me forcë vrasjen e pjesëtarit të policisë së Kosovës nga grupe të armatosura që dukej se ishin të strukturuara. Kjo ngjarje është një incident shumë serioz. Nuk mund të mos e shohim jashtë këtij kontekstit. Reagimet e BE-së duhet të jetë të qarta dhe të forta dhe të përkrahin institucionet e Kosovës”- tha ai.

Sulmi u dënuar edhe nga institucionet e vendeve tjera të rajonit.  Ministria e Jashtme e Malit të Zi ka dënuar sulmin drejt zyrtarëve të Policisë së Kosovës duke theksuar se autorët duhet të sillen para drejtësisë.

Çka ndodhi më 24 shtator në Banjskë?

Në mëngjesin e 24 shtatorit 2023, pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua pas një sulmi nga një grup terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Organet e rendit zyrtarisht kanë konfirmuar se tre pjesëtarë të grupit terrorist janë vrarë, trupat e të cilëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Për tri ditë më radhë, arsenal i armëve, vetura, sasi e madhe e municionit e pajisje të tjera që dyshohet se i përkisnin grupit terrorist, janë sekuestruar në Banjskë të Zveçanit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot se vlera e armatimit ushtarak kalon shifrën 5 milionë euro.

Më 29 shtator 2023, Millan Radoiçiq, përmes një letre të cilën e ka lexuar avokati i tij, Goran Petronijeviq, e ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe e ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Gjykata në Beograd e ka liruar Millan Radoiçiqin nga mbajtja, një ditë pasi u ndalua nga autoritetet serbe.

Sipas vendimit të Gjykatës, në të njëjtën kohë, i është caktuar masa e ndalimit të largimit nga vendbanimi dhe iu është ndaluar nga territori i Serbisë pa aprovim nga Gjykata. Gjithashtu, Radoiçiqit iu është ndalohet edhe ardhja në Kosovë.