Rritja e transparencës dhe llogaridhënies në MSH e SHSKUK, nënshkrimi i deklaratës nën betim nga hartuesit e specifikave teknike

Në të kaluarën, nëpër institucione të ndryshme në Kosovë janë hasur parregullsi në hartimin e specifikave teknike nëpër tenderë, madje janë identifikuar favorizime e diskriminime të kompanive.

Në raportin e fundit vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit të publikuar vitin e kaluar, thuhet se në auditimet që kanë bërë për vitin 2021 në 33 institucione kanë hasur në parregullsi që lidheshin me hartimin e dosjes së tenderit. Edhe raporti i organizatës “Democracy Plus” tregon se si janë kurdisur tenderët duke vendosur kritere diskriminuese për kompanitë.

Për t’i vënë para përgjegjësisë dhe llogaridhënies zyrtarët të cilët bëjnë hartimin e specifikave teknike, Ministria e Shëndetësisë ka iniciuar një praktikë të re si rezultat i bashkëpunimit me aktivitetin e USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës. Ata janë institucioni i parë në Kosovë, te të cilët anëtarët e Komisionit për hartim të specifikave teknike janë të obliguar të nënshkruajnë një deklaratë nën betim.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se kjo nismë është bërë me qëllim të rritjes së llogaridhënies dhe transparencës.

“Hartuesit e specifikave teknike e kanë të pamundur që të mohojnë se nuk kanë qenë të njoftuar paraprakisht me detyrat dhe obligimet ligjore, të cilat i kanë pasur dhe vazhdojnë t’i kenë” – thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas Ministrisë, kjo deklaratë e ngrit vigjilencën e zyrtarëve për përgjegjësinë që e kanë gjatë hartimit të specifikave teknike.

“Kjo deklaratë është duke u vlerësuar si praktikë e mirë në funksion të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies. Hartuesit e kritereve ligjore, kritereve administrative dhe specifikave teknike edhe ashtu janë llogaridhënës, ndërsa deklarata në fjalë veç se e ngrit vigjilencën për përgjegjësinë që kanë” – thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Deklarata nën betim përmban pesë paragrafë. Në paragrafin e parë thuhet s anëtarët e Komisionit duhet të deklarojnë nën betim se kanë përgatitur specifikat teknike për tenderin e caktuar.

Në paragrafin e dytë ata deklarojnë që specifikat teknike janë në përputhje me ligjin.

“Që specifikimet teknike janë në përputhje me qëllimin e prokurimit dhe të drejtuara drejt sigurimit të qasjes sa më të mirë për të gjithë operatorët e interesuar ekonomik, ne përputhje me nenin 28 te Ligjit te Prokurimit Publik, Ligji nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092 dhe legjislacionin e tij implementues”.

Në paragrafin e tretë anëtarët e Komisionit për hartimin e specifikave teknike deklarojnë që “specifikimet teknike janë përgatitur në atë mënyrë që nuk favorizojnë ose diskriminojnë një ose më shumë operatorë ekonomikë”.

Më tej në këtë deklaratë anëtarët e Komisionit nën betim deklarojnë që specifikat teknike nuk i referohen një artikulli ose burimi të veçantë.

“Ose një procesi të hollësishëm, ose ndonjë shenje dalluese, lloji ose origjine të veçantë ose ndonjë prodhimi” – thuhet në paragrafin e katërt.

Ndërsa në paragrafin e fundit të deklaratës, anëtarët e Komisionit nën betim e pranojnë që mund të konsiderohen përgjegjës nga aspekti penal dhe/ose civil për shpalosjen e informatave të tilla të bëra me qëllim ose për shkak të pakujdesisë.

Në përgjigjen e këtij dikasteri thuhet se deri më tani nuk është paraqitur ndonjë refuzim për nënshkrimin e kësaj deklarate.

Këtë praktikë Ministria e Shëndetësisë ia ka rekomanduar edhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës. Edhe këta të fundit kanë deklaruar që janë duke e praktikuar nënshkrimin e deklaratës nën betim.

“Ju njoftojmë se me ardhjen e menaxhmentit të ri të ShSKUK-së, ka filluar të aplikohet edhe në QKUK kjo formë, pra të gjitha njësive iu është dërguar Deklarata nën Betim, ku të gjithë punonjësit që përgatisin specifikat teknike janë të obliguar ta nënshkruajnë Deklaratën nën Betim!” – thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Kjo praktikë është vlerësuar si praktikë e mirë nga Kryeqyteti dhe Komuna e Suharekës.

Nga Kryeqyteti kanë shtuar se janë duke diskutuar për mundësitë që ekzistojnë në rastin konkret dhe shumë shpejt do të vendosin se si do të veprojnë tutje.

“Kuptohet që nëse do të vendosim që të përkrahim një praktikë të tillë, atëherë kjo do të bëhet në përputhje me politikat e KRPP dhe me aktet juridike në fuqi për prokurimin publik. Kjo mund të nënkuptoj edhe ndryshim/plotësimin eventual të akteve të brendshme nënligjore por edhe të vet formularit për të cilin bëhet fjalë” – thuhet në përgjigjen e Kryeqytetit.

Komuna e Suharekës ka thënë se i kanë njoftuar Njësitë e Kërkesës me këtë iniciativë.

“I kemi njoftuar Njësitë e Kërkesave për këtë iniciativë por pas analizimit të përbashkët kemi ardhur në përfundim se ne si AK – Zyra e Prokurimit – Komuna Suharekë, duhet të vazhdojmë me procedurat tona të deritanishme” – thuhet në përgjigjen e kësaj komune.

Më tej, zyrtarët e Komunës së Suharekës kanë shtuar se nëse paraqitet nevoja në të ardhmen jo të largët, të fillojnë me një praktikë të tillë.

Ky artikull është përgatitur nga BIRN-i përmes mbështetjes nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.