VIDEO: Viti i Ri brenda mureve të burgut të Lipjanit

Të mbyllur brenda katër mureve  për shkak të veprimeve të gabuara në shoqëri 82 gra dhe fëmijë do e kalojnë vitin e ri në burgun e Lipjanit.

Madje, gratë e burgosura në Qendrën Korrektuese në Lipjan, kanë zbukuruar ambientet ku ato do ta kalojnë natën e Vitit të Ri.

Heset Loku, Drejtori i Qendrës Korrektuese në Lipjan, tregon se si festohet Viti i Ri brenda burgut të Lipjanit.

“Për festën e vitit të ri shumica e të dënuarve, çoftë të mitur, çoftë të grave i bëjnë në mënyrë grupore, të organizuar, bëjnë edhe dekorime aq sa munden, dhe mendoj që e festojnë një natë jashtëzakonisht të mirë”, thotë Loku.

Qendra korrektuese në Lipjan strehon gratë dhe të miturit të cilët kanë kryer vepra penale.

Secili i burgosur në Qendrën Korrektuese në Lipjan fillimisht i nënshtrohet procedurave të pranimit dhe dorëzimit nga ana e gardianëve të burgut.

Aktivitetet e të miturve dallojnë nga ato të cilat i kryejnë gratë. Brenda qendrës ka shkollë ku ligjërojnë tetë mësimdhënës.

Fitim Berbatovic, udhëheqës i administratës në Qendrën Korrektuese në Lipjan, ka treguar për KALLXO.com se në këtë burg është një instruktor i cili mëson të miturit të kultivojnë pemë dhe perime në serën e cila ndodhet brenda burgut.

“Prej shumë aktiviteteve të miturit në serë kultivojnë perime sezonale gjatë verës, perime këto të cilat konsumohen nga qendra jonë, prej vetë të miturve dhe nga stafi të cilët punojnë në këtë qendër”, thotë Fitim Berbatovci.

Ai sqaron edhe kushtet ku të miturit zhvillojnë aktivitetet sportive.

“Në këtë fushë të sportit organizojmë turnirë në futboll por përveç të miturve që janë pjesë e saj ka edhe të mitur prej komunitetit të jashtëm të cilët zhvillojnë lojëra të futbollit me të miturit e qendrës tonë”, ka treguar Berbatovci.

Për të garantuar risocializim qendra ka paraparë edhe aktivitete për gratë e burgosura.

“Sa i përket femrave edhe ato kanë aktivitete e tyre, merren kryesisht me punime në rrobaqepësi, në floktari, me bukë pjekje, në furrtari, në kuzhinë, lavantari dhe në pastrim. Pjesa dërmuese e femrave të dënuara me burg janë të angzhuara në punë, me përjashtim të ndonjë rasti që nuk shpreh angazhim për të punuar”, tregon drejtori Loku.

Jeta brenda burxheve është vështirë për gratë që janë nëna e për fëmijët që jetojnë larg prindërve. Të gjithë kanë të drejtë të takojnë familjarët e tyre brenda javës në takime të cilat zhvillohen brenda ambienteve të qendër.

“Vizitat familjare i kanë të rregullta çdo javë por me kërkesën e të miturit ose të femrave, mund të kenë edhe vizita të veçanta. Përveç atyre të rregullta javore, ka dy orë që zgjasin ka edhe vizita të tjera, në raste të caktuara që bëhen me kërkesa shkaku mund të jetë i ndryshëm, për shembull një familjar vjen nga jashtë dhe nuk mund të pres ditën e vikendit mund të vjen të hënën të premten pa problem”, tregon Loku.

Ai tregon se qendra u mundëson disa të burgosurve që të vizitojnë familjet e tyre në shtëpi në kohën kur janë në vuajtje të dënimit.

Të burgosurit  të cilat kanë sjellje të mira, nuk kanë vepra të tjera penale, që nuk kanë probleme me sigurinë publike jashtë kanë mundësin të shfrytëzojnë 30 ditë brenda vitit jashtë institucionit ku mund të bëjnë vizita në familje apo në shtëpinë e tyre.

Qendra nuk është imune ndaj ndikimeve nga jashtë dhe tentativave për tu kriminalizuar.

“Normalisht qe brenda institucionit korrektues ka edhe shkelje disiplinore, ka edhe raste të tentimit të futjes së substancave  narkotike ka mjaft raste që ne i kemi ndërpre, por nuk përjashtohet mundësia që kemi pasur raste kur nuk kemi arritur ta parandalojmë dhe është futur substanca narkotike brenda”, tregon Loku.

Gjatë vitit qendra ka pasur edhe probleme me të burgosur të cilët tentuan të arratisen nga burgu.

“Sa i përket çështjes se mundësisë apo tentimit për largim nga institucioni tek femrat nuk kemi pasur asnjë rast, as të tentuar as të larguar, ndërsa të miturit kemi pasur edhe të tentimin edhe të largimit, pasi janë në moshën që nuk i mendojnë pasojat, pasi që çdo ikje nga institucioni është shkelje dhe vepër penale”.

I gjithë objekti në Qendrën Korrektuese në Lipjan është nën vëzhgimin e kamerave të sigurisë, dhe në secilën pjesë të burgut janë gardianët të cilët përcjellin gjendjen e sigurisë brenda burgut.