Zbulohet avancimi i familjarit të anëtares së LVV-së në Ministrinë e drejtuar nga Albulena Haxhiu

Muharrem Hajnuni është avancuar në pozitë udhëheqëse në Burgun e Lipjanit më 15 dhjetor 2022, apo 4 muaj pasi gruaja e tij, ish-deputetja Vlora Limani- Hajnuni kaloi nga LDK-ja në Lëvizjen Vetëvendosje. 

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga LDK, Vlora Limani- Hajnuni kaloi në Vetëvendosje më 7 gusht 2022, ndërsa nga data 1 shkurt 2023 është emëruar këshilltare e ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë ka kompetenca mbi Shërbimin Korrektues, aty ku punon burri i këshilltares Vlora Liman- Hajnuni.

Bashkëshorti i Vlorës, Muharrem Hajnuni që nga 2009-ta punonte si zyrtar korrektues në Qendrën Korrektuese në Lipjan, që nga muaji dhjetor 2022 është avancuar për dy grada, në pozitën mbikqyrës i lartë. 

“Muharrem Hajnuni fillimisht është punësuar si Zyrtar Korrektues në QK-Lipjan më 02.02.2009, nga data 15.12.2022 është graduar në pozitën Mbikëqyrës i Lart në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan”- thuhet në përgjigjet e zëdhënësit të SHKK-së, Florent Gashi.

Infografika: KALLXO.com

Në një përgjigje për KALLXO.com, Ministria e Drejtësisë ka thënë se ish-deputetja e LDK-së do të jetë këshilltare e ministres.

“Lidhur me kërkesën tuaj, ju njoftojmë që në bazë të vendimit nr. Protokolli 32/2023, znj. Vlora Limani- Hajnuni është emëruar Këshilltare Politike e ministres së Drejtësisë dhe mandati i emërimit ka filluar më datë 1 shkurt 2023”- thuhet në përgjigjet e Ministrisë së drejtuar nga Albulena Haxhiu.

Në bazë të Udhëzimit pozita “zyrtar korrektues” ka gradën 1, ndërsa pozita “mbikëqyrës i lartë” ka gradën 3. 

Neni 9 i Udhëzimit Administrativ për gradimin e zyrtarëve korrektues thotë se për të aplikuar për gradën 3, zyrtari korrektues duhet të këtë së paku 5 vite përvojë pune në gradën 1 apo tri vite përvojë pune në gradën 2 që është mbikëqyrësi. 

Në bazë të U.A., gradimi i zyrtarëve të Shërbimit Korrektues duhet të bëhet me konkurse të brendshme. 

Muharrem Hajnuni thotë se nuk është avancuar me ndihmën e Vetëvendosjes, partinë në të cilën aderoi gruaja e tij, por në bazë të konkursit.

“Ka qenë një gabim, unë prej vitit 2018 jam në proces gjyqësor, e kam pasur në proces gjyqësor këtë farë pune – çështjen e gradës dhe nuk ka pasur të bëjë asgjë me këtë punë. Po nuk ka të bëjë asgjë me këtë farë pune, shkoni shikoni intervistat që janë kry, absolutisht nuk ka të bëjë asgjë me Vlorën kjo punë”- tha Hajruni përmes telefonit.

Për çështjen e procesit gjyqësor për procesin e konkursit të vitit 2017, KALLXO.com ka tentuar të marrë përgjigje nga Hajnuni por që nuk ka kthyer përgjigje. 

KALLXO.com mësoi se Hajnuni ka marrë pjesë në dy konkurse, një në vitin 2017 dhe një tjetër në vitin 2022. 

Avancimi i Hajnunit është bërë në bazë të konkursit i cili është hapur në vitin 2022. 

Gradimi i z. Hajnuni është bërë në bazë të konkursit të vitit 2022, ku janë plotësuar të gjitha  kriteret për gradim, si testi me shkrim ashtu edhe testimi me gojë, ndërsa është pritur gradimi derisa janë përfunduar të gjitha procedurat e ankesave”- thuhet në përgjigjet e SHKK për KALLXO.com. 

Në lidhje me këtë çështje, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me këshilltaren e ministres Haxhiu, Vlora Limani- Hajruni.

“Drejtohuni në Ministri të Drejtësisë edhe ju japin ifnormatë për pozitën time, krejt informatat i merrni te kabineti. Nuk e di për çka po flisni, shikojeni njëherë kur e kom marrë pozitën”- tha Limani- Hajruni e cila nuk dha detaje të tjera.

FOTO – FCV – Vlora Limani- Hajnuni

Kush ështe Vlora Limani- Hajnuni?

Limani- Hajnuni karrierën e saj politike e nisi në vitin 2013, kohë kur ishte zgjedhur si Kryesuese e Kuvendit Komunal në Lipjan, pozitë të cilën e mbajti deri në dhjetor të vitit 2017.

E njëjta në vitin 2017 ishte zgjedhur si Drejtoreshë e Shëndetësisë dhe Përkujdesjes Sociale në Komunën e Lipjanit.

Tutje në bazë të biografisë së publikuar në faqen zyrtare të Komunës së Lipjanit, Limani- Hajnuni ka qenë asambliste nga radhët e LDK-së për tre mandate në Komunën e Lipjanit.

Në zgjedhjet e vitit 2017 ajo ishte edhe koordinatore për hartimin e platformës zgjedhore të LDK-së në Lipjan dhe koordinatore e zyrës për informim.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 ajo kishte marrë besimin e qytetaravë për t’i përfaqësoruar në kuvend.

Ajo këtë pozitë mbajti deri kur ra qeveria për shkak të mocionit për rrëzimin e qeverisë që udhëhiqej atë vit nga LDK dhe LVV.

Limani- Hajnuni aderoi më pas në Lëvizjen Vetëvendosje më 7 gusht 2022.

Prezantimin e saj e bëri deputeti aktual i LVV-së, Adnan Rrustemi në rrjetin social Facebook.

“Në këto ditë të zgjedhjeve të brendshme, po shtojmë radhët organizative e po krijojmë hapësirë për të gjithë ata që duan të kontribuojnë për të mirën e vendit e komunës sonë. Ardhja e Vlorës është kontribut i rëndësishëm e së bashku do të punojmë që Lëvizja të jetë Organizata më e fuqishme ashtu siç e ka edhe mbështetjen e madhe”- kishte shkruar Rrustemi në Facebook.

FOTO – FCB – Muharrem Hajnuni