Fakulteti Juridik. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prishtina bashkon studentë vendorë e ndërkombëtarë për të adresuar të kaluarën (VIDEO)

Për avokaten Esther Opoku Asamoah, rruga e largët nga Gana për në Kosovë nuk ka qenë aq e gjatë, gjersa me dëshirën e saj zgjodhi Prishtinën vend për të studiuar në të drejtat e njeriut, të drejtën ndërkombëtare penale e drejtësinë tranzicionale.

Edhe pse është dashur të ndërrojë kontinent, të lë familjen në Afrikën Perëndimore, Asamoah ndihet e përmbushur që ka zgjedhur Universitetin e Prishtinës që të vijojë studimet Master që nuk e ka gjetur në vende tjera, ashtu siç thotë ajo “tri drejtime në një pako”.

“… mendoja që nëse regjistrohem në këtë kauzë do të më jepet mundësia të ndihmoj njerëzit jo vetëm në vendlindjen time Gana, por edhe njerëzit në Kosovë dhe në mbarë Evropën, aty ku mund të gjej veten”- tha Asamoah në një intervistë për KALLXO.com.

Për herë të parë jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon, në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës është akredituar programi master në gjuhën angleze “Të drejtat e njeriut, e drejta penale ndërkombëtare dhe drejtësia tranzicionale”.

Risia në përmbajtjen e këtij programi për të cilin Kosova si një vend i dalur prej luftës ka pasur nevojë, ka mundësuar që të ketë interesim të madh për të zënë karrikat, qoftë nga studentë vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë.

Për 10 vendet e ndara për studentë ndërkombëtarë kanë aplikuar 23 të tillë. Ndërkaq, 20 studentët tjerë janë nga Kosova.

Edhe pse nuk janë pranuar të gjithë të interesuarit, janë përzgjedhur studentë nga shtete të ndryshme si Sudani Jugor, Gana, Spanja, Turqia, Nigeria, Maqedonia e Veriut, Serbia.

“Për herë të parë një studente nga Serbia vjen të studioj në Universitetin e Prishtinës”- tha në një intervistë për KALLXO.com, dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka.

Numri i madh i aplikantëve ka befasuar edhe stafin e Fakultetit Juridik, pasi që kishin pasur frikën që nuk do të ketë aplikime sidomos nga studentët ndërkombëtarë meqë programi është i ri.

Avni Puka beson që studentët përpos që i ka tërhequr risia që të studiojnë në këtë drejtim, i ka tërhequr edhe përmbajtja dhe profesorët ndërkombëtarë që ligjërojnë në këtë program.

“Një program i tillë nuk është as në Serbi, as në Bosnjë apo Kroaci flas për vendet që kanë qenë të përfshira në luftëra në Ballkan”- shprehet Puka në një intervistë për KALLXO.com.

Të adresosh të kaluarën përmes këndvështrimit akademik

Esther Opoku Asamoah beson që nëse mbaron me sukses studimet njëvjeçare dhe i ofrohet mundësia të punojë në ndonjë organizatë ndërkombëtare do të qëndroj në Kosovë që t’i ndihmoj njerëzit.

E, nëse i hapen dyer të tjera, avokatja nga Gana edhe dy skenare tjera në mendje si pikësynime që të përvetësojë praktika të reja nga ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë.

“Kështu që unë jam i hapur për të qëndruar këtu, të punoj diku nëpër botë apo edhe që të kthehem në shtëpi”- thotë ajo, duke treguar për rëndësinë që ka juridiksioni i të drejtave të njeriut nëpër botë.

Dekani Avni Puka tregoi që në këtë program ka llojllojshmëri të lëndëve që nga çështjet vendore, rajonale deri te ato botërore.

Sipas tij, në përmbajtjen programit të ri është studimi i krimeve ndërkombëtare, krimeve të rënda mizore si gjenocidi, krimet kundër njerëzimit, juridiksioni i tribunaleve ndërkombëtare dhe perspektiva e tyre historike e tyre nga Holokausti e Procesi i Nurembergut deri te tribunalet dhe gjykatat aktuale, të drejtat e viktimave.

Sipas tij, për secilën nga lëndët është i përfshirë nga një profesor ndërkombëtar e profesorë që vijnë nga universitetet ndërkombëtare nga Amerika, Britania e Madhe dhe vende tjera europiane.

“Studentët që janë të përfshirë mendoj që kanë perspektivë se është temë aktuale në fushën e të drejtave të njeriut, me të drejtën ndërkombëtare penale të krimeve në kuptim të adresim të krimeve të së kaluarës si dhe me procesin e drejtësisë tranziconale do të ballafaqohet edhe disa dekada”- tregoi Puka.

Në kuadër të studimeve në këtë program, studentët do të kenë dy vizita të rregullta studimore: në semestrin e parë në Strasburg të Francës,  në semestrin e dytë në Hagë të Holandës, një vizitë studimore në vendet e rajonit dhe praktikë hulumtuese me pagesë në institucione në Kosovë dhe rajon.

Një nismë tjetër që ka nisur Fakulteti Juridik që adreson të njëjtën çështje është themelimi i Qendrës për Studimin e Gjenocidit, Holokaustit dhe Drejtësisë Tranzicionale, e për të cilin Puka thotë që janë në pritje të përgatitjes së rregullores dhe programit unik.

Kosova në media studentëve ndërkombëtarë iu ishte shfaqur si një vend i rrezikshëm për studentët. Sidoqoftë ata thonë që kur kanë ardhur në Kosovë kanë parë që është e kundërta dhe vend i përshtatshëm për të studiuar çështjet e luftës dhe konfliktit.

“Kosova nuk është si në imazhe”

Kur Issaka Issifu, student nga Gana kishte kërkuar për Kosovën në rrjet, vendi ju kishte shfaqur si i rrezikshëm për studentë dhe për vizitorë, ashtu siç duket një zonë lufte.

Pak ditë ju kishin dashur të qëndroj në Prishtinë që ta vërtetoj të kundërtën.

“…dhe me ardhjen time… sepse krijoi një frikë në mua, por kur erdha në Kosovë kuptova se Kosova është një vend i bukur, njerëzit janë shumë të mirë, shumë mikpritës, gjithmonë janë të gatshëm për t’ju ndihmuar dhe kjo është ajo që mund të shoh tani”- tha ai në një intervistë për KALLXO.com.

Njësoj kishte ndodhur edhe me studenten Asamoah, megjithatë as atë nuk e kishte ndaluar frika që të marrë një hap të kundërt me atë që kishte parë në internet.

Kur Asamoahs ju kishte propozuar në fakultetin e saj në Ganë që të aplikonte në këtë program në Kosovë, gjëja e parë që i kishte rënë ndër mend është se që sa kohë ka dalë Kosova nga lufta dhe trazirat që i shohin në lajme.

“Por kur erdha këtu njerëzit ishin ndryshe. Gjithçka ishte ndryshe dhe mendoj se kjo që po ndodh tani është ndryshe nga ajo që po portretizohet më shumë në media”- shtoi ajo.

“Të paktën të dalin 20 profesionistë”

25 vite pas luftës Kosova ka bërë hapin e parë për të profilizuar profesionistë që ndërlidhen me pasojat e luftës, jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë.

Fakulteti Juridik synon që përmes këtij programi të nxjerrë të paktën 20 profesionistë në vit, gjë që ka munguar më parë.

Pritjet e studentëve janë të mëdha.

Studentja nga Kosova, Era Vitija beson që si një e re e lindur pas luftës në Kosovë duhet të bëjë shumë që të ndihmojë në tejkalimin e konflikteve mes Kosovës dhe Serbisë, e pse jo të arrihet një pajtueshmëri në mënyrë që mos t’ia kenë frikën të ardhmes.

“Për këtë arsye kam dashtë me apliku edhe në momentin e parë që e kam pa thirrjen për aplikim për këtë program të ri, kam thënë që ky është vendi jem”- tha Vitija për KALLXO.com.

Edhe pse më herët nuk ka pasur drejtim të tillë në Kosovë, Vitija thotë që nuk do të zgjidhte një vend tjetër për të studiuar pos Kosovës.

“Mendoj që ne si rini, unë dhe të tjerët që jemi në këtë program kemi me ndihmu shumë në këtë drejtim dhe studentët tjerë ndërkombëtarë që i kemi këtu nga vendet që kanë dalë prej luftës kanë me pas çka me dhënë për vendin e tyre”- shtoi Vitija.

Ndërkaq, Issaka Issifu thotë që posaçërisht kur lexon për të drejtat e njeriut, të drejtën ndërkombëtare penale dhe drejtësinë tranzicionale dhe duke i ndërlidhur me historinë e Kosovës, beson që do i ndihmojnë të vazhdoj të kontriboj për këtë çështje.

“Dua ta shfrytëzoj këtë rast për t’i bërë thirrje Presidentes të Kosovës dhe liderëve të tjerë që të përpiqen t’u japin studentëve ndërkombëtarë afrikanë më shumë mundësi në mënyrë që të dalin dhe flasin për Kosovën”- tha ai, duke shtuar që në këtë formë marrëdhëniet ndërkombëtare mes Kosovës dhe Afrikës do të jenë më të mira dhe njerëzit do duan të vijnë të vizitojnë Prishtinën.

Përveç që të nxjerrin profesionistë në këto tri fusha të programit, Fakulteti Juridik pret edhe me shumë nga studentët ndërkombëtarë.

“Unë në takim ju them që pashmangshëm Prishtina, Kosova do jetë shtëpi e dytë. Pres që shumë prej tyre të jenë edhe pjesë e përfaqësimit diplomatik të kulturës së tyre, e njohin kulturën dhe po mësojnë gjuhën shqipe”- përfundoi dekani Puka.