Fotografi: Antigonë Isufi/KALLXO.com

Muzeu që ruan plagët për të mos u shkrumuar në harresë

Mes qindra njerëzve të gjallë, e pranë varreve në 25-vjetorin e Masakrës së Krushës së Madhe, për herë të parë u hap muzeu për një nga masakrat më të mëdha dhe më të rënda të luftës së fundit në Kosovë.

“Nuk kokna plakë shumë”- përshpëriti 82-vjeçari, Ismet Dana duke bërë me dorë nga fotografia e vënë në murin qendror të Muzeut të masakrës së Krushës së Madhe në Rahovec.

Dana, ende ndien dhimbjet e shpinës në të cilën ranë plumba e gëzhoja nga armët e forcave ushtarake dhe policore serbe, pak ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe për ndaljen e gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë. Plaga vazhdon të jetojë e gravuar në trupin e tij, përderisa thotë që nuk e ka besuar asnjëherë që t’i bëjë ballë asaj plage të madhe në rrëzë të shpinës.

Çastin kur është shkrepur fotografia, i moshuari tashmë nuk e mban mend. Në atë shkrepje të aparatit të vjetër, përkrah Danës gjendet bashkëshortja Zejnija, e cila vajton për gjendjen e burrit të saj, në automjetin që ishte nisur për në Kukës të Shqipërisë për të gjetur një kurë për plagët e tij.

Ismet Dana qëndron afër fotografisë së tij kur ishte plagosur në luftë – Muzeu i Masakrës në Krushë të Madhe të Rahovecit Foto: Antigonë Isufi/ KALLXO.com 26.03.2024

25 vite pas, Dana foton e vështron pa gruan e tij, e cila ka vdekur. Megjithatë, ai ndihet shumë i emocionuar që një dëshmi e tillë e dhimbjes, është vënë në muzeun e sapohapur në Kompleksin Memorial në Krushë të Madhe.

“Çudi qysh jam kanë, e qysh jam sot. Puna e Zotit, nuk ka vdekje pa thanë i madhi Zot, atij i kofshim falë. Kur jam shku te mjekët kanë thanë 99 për qind i vdekun jam. Tha na thojmë po ai naltë (Zoti) i ka punët në dorë, ka dashtë ai me jetu edhe tungatjeta!”- rrëfen Dana.

82-vjeçari e mban mend se qysh në kufi me Shqipërinë, aty edhe ku ishte shkrepur fotografia, forcat paramilitare serbe u mundonin t’i gënjenin që plagët ia kanë shkaktuar sulmet ajrore të NATO-s, e jo nga regjimi i Millosheviqit.

“I thanë gruas (forcat serbe), rahmetlisë, çka u ba ky kështu, ju tha ‘ju e keni bo’. I çela sytë, tha jemi në kufi po na çojnë për në Shqipni, ‘mos thuj ju e keni ba se ky e ka kallashin në dorë.’ Na thanë ‘e ka bo NATO’, i tha (gruaja),  ‘jo nuk e ka ba NATO po e keni ba ju serbët!’”- rrëfeu Dana me dhimbje, duke kujtuar se si ju kishte lutur që t’i lëshonin të vazhdonin për në Shqipëri, që të paktën nëse vdes të dihet ku e ka trupin.

Dana rrëfen se si më pas i kishin lëshuar në rrugën për në Shqipëri dhe ishte mjekuar nga mjekët atje – plagë që e mundojnë ende që të kryejë punë të përditshme.

“4-5 orë më ka kepë doktori pa ma jep asni hap, po insoni (njeriu) ish ma i fortë se guri. Gruja ma majke zemrën. Oh mbama zemrën deri e soske ni pej. Me pa qysh jam i qamë unë në shpinë, veç Perëndia që ka dashtë unë me jetu”- tregoi Dana.

Dana tregoi që plagët ju kishin shkaktuar nga gjuajtja e forcave serbe pas gjashtë netëve që familja e tij së bashku me dhjetëra tjera, ishin ndaluar me dhunë në fshatin Nagavc, i cili gjendet krah fshatit Krushës së Madhe.

“Na thanë (forcat serbe) rrini qitu deri t’ju thojmë na. Në gjashtë netë në orën 01:15 të natës na kanë bombardu, nja 50-60 a 70 a s’di sa janë kanë metën nën plloqa me fmi e me krejt. Dy motra të Nagavcit i lanë 6 fëmijë të vdekun aty. Do u nisën për në spital në Shqipni, e do për në Prizren”- vazhdoi rrëfimin Dana.

Dana edhe pse është plakur, mërzia nuk i ka kaluar. Por, të paktën, ai ndihet mirë që për herë të parë është hap një muze që dëshmon masakrën nga e cila mbetën të vrarë 241 persona, e që 64 persona ende janë të pagjetur.

Plagët nën xham

Një djep që nuk u përkund kurrë më, një palë këpucë që mbetën të reja pa u mbathur asnjëherë, e veshmbathjet e fundit që u gjetën në trupat e vrarë, çanta e studentit që nuk arriti ta zë ditën të bëhet mjek, janë vetëm disa nga gjësendet e ekspozuara në muzeun e përuruar në pëvjetorin e njëzetë e pestë të masakrës në Krushë të Madhe.

Mes të gjallëve, të vdekurve dhe emrave të pagjeturve, mu në mes të fshatit, ky muze qëndron si një testament i së kaluarës për të ardhmen. Në xhamat e muzeut të ri, janë ekspozuar artefakte, rroba, fotografi të cilat vetë banorët e fshatit i kanë dorëzuar dhe do vazhdojnë t’i dërgojnë edhe pas hapjes.

“Ky djep është i Sinan Hotit i ndërtuar në vitin 1974. Në atë vit e kanë blerë djepin për me rritë”- tregoi etnologu, Irfon Ramadani, njëherazi edhe vullnetar si udhërrfyes në Muzeun e Krushës së Madhe.

Ramadani thotë që banorët deri kanë hezituar pakëz të dorëzojnë artefakte në muze, por që presin edhe prej të tjerëve që ta pasurojnë këtë hapësirë me dëshmi tjera. Të gjitha janë grumbulluar që nga muaji shkurt përmes thirrjes në grupin e fshatit.

Fotografi: Antigonë Isufi/KALLXO.com

“Hezitim ka pas shumë nga ata që i dhurojnë artefaktet se është diçka e dhimbshme të jepet, sepse është pasuri e tyre që e kanë ruajtur”- tha Ramadani për KALLXO.com.

Muzeu fillon me këndin e parë gjendet historia e fshatit prej vitit 1945 deri në vitin 1999. Ndërkaq përballë kësaj flete ngjyrë portokalli që shpërfaqet historia e fshatit ndër vite janë te vendosura rrobat e Nezir dhe Gafurr Hotit. Ky i fundit, i vrarë në masakrën e Krushës së Madhe dhe është varrosur pjesërisht ndër vite.

Jo shumë larg prej dhomës së parë, në një kuti të gjatë prej xhami gjenden këpucët e pambathura asnjëherë nga Shani Hoti, të cilat sot e kësaj dite kanë mbetur të reja.

“Shaniu i kishte blerë, se atëherë ka qenë mundësi e vogël për me i ble këpucët. Këto këpucë i ka ble i ka thanë veshi, por ai nuk i ka mbathur asnjëherë deri të lirohet vendi, kështu që kanë mbetur pa u mbath”- tregoi Ramadani.

Pranë këtyre këpucëve, janë vendosur kapela dhe libreza e vëllaut të Shaniut, Refki Hotit për të cilin udhërrëfyesi Ramadani tregon së është vrarë rrëzë fshatit  Krushë e Madhe dhe se kapela ju iu kishte gjetur më pas në vendin e vrasjes.

Fotografi: Antigonë Isufi/KALLXO.com

Në xhamin tjetër ekspozues që mban copëza të dhimbjes janë vendosur dorëshkrimet e nxënësit Valon Hotit, si dhe çanta e tij. Ndërsa në krahun e tij, qëndrojnë rrobat e babait të tij, Beqir Hotit, të dytë të vrarë në masakrën e 26.03.1999.

“Valon Hoti ka qenë nxënës i vitit të dytë në mjekësi në shkollë të mesme në Rahovec dhe ka pasur një dëshirë të madhe të bëhet mjek, por nuk ka mbërri”- tregoi etnologu.

Në pjesën qendrore është e vendosur një pllakatë e madhe në të cilën janë paraqitur pikat e fshatit Krushë e Madhe në të cilat janë kryer vrasje. Përmes metodës teknologjike ‘QR code’, me telefonë vizitorët mund të shohin secilin vend ku kanë ndodhur vrasjet. 

Fotografi: Antigonë Isufi/KALLXO.com

Në dalje, nën tingujt e shiut që shoqëron rrugën është vendosur një hekur i cili simbolizon ndarjen e burrave prej grave, ashtu siç ishin ndarë atëkohë nga regjimi i Millosheviqit për t’i vrarë. Përballë saj, gjendet tre monitorë në të cilat kohë pas kohe transmetohet intervista me rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës në Krushë të Madhe.

Krejt në fund të muzeut është dhoma e shpresës në të cilën sadopak është munduar të ofrohet një energji e mirë me triumfet e shkollës, si çmime e mirënjohje për nxënësit.

“Kjo është shpresa që u ngjallë pas luftës. Na ka vyjtë ajo shpresa e pas luftës në mënyrë që me jetu”- përfundoi Ramadani.

Plagët e pashëruara

Banorët e fshatit Krushë e Madhe ndihen të gëzuar që kërkesa e tyre për të pasur një muze në fshatin e tyre më në fund u jetësua. Pas krejt vuajtjeve që kanë përjetuar, ata të paktën besojnë që përveç varreve, tash edhe në muze do mund të shërojnë plagët për eshtrat e 64 të pagjeturve.

Sidoqoftë, as vënia e këtij muzeu nuk mjafton, pasi që ata kërkojnë drejtësi për jetët që u dhanë por askush nuk ka dhënë përgjegjësi që 25 vite.

I mbijetuari i masakrës, Shefki Hoti thotë që me sytë e tij ka qenë dëshmitar i vrasjeve që asnjëherë zemra e tij nuk do i harrojë.

“Unë për vetvetën derisa të jam gjallë nuk kam me harru dhe zemra jem është gjithë e smutë, për besë të Zotit”- tha Hoti.

Fotografi: Antigonë Isufi/KALLXO.com

I moshuari plisbardhë me zë të mekur tha që nuk është aspak i kënaqur me drejtësinë që nuk u gjetën akoma trupat e 65 personave tjerë.

Sipas të dhënave të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur në Kosovë, 1,617 persona ende nuk janë gjetur që nga koha e luftës në Kosovë.

“I kanë nxanë nëpër përroje, lëndina i kanë masakru. Djalin e axhit e kom gjet në lëndinë atje ne bagrena atje mbështetun i dekun. E kemi pru e kemi varros këtu”- tregoi Hoti.

Edhe i mbijetuari i tjetër i masakrës, Sinan Selmani thotë që për ta drejtësi nuk ka hiç dhe se drejtësia vihet vetëm kur t’ia gjejnë trupat të pagjeturve.

“Këtu kanë rreh e vra shumë. Se edhe në xhami kanë çu e kanë vra njerëz. Aty djalin e kanë vra e babën e kanë rreh shkelma e kanë çu e kanë përzanë”- tha ai, duke treguar se si i kanë nda burrat prej grave dhe i kanë torturuar në xhaminë e fshatit.

Masakra e Krushës së Madhe nisi më 25 mars dhe zgjati deri më 27 mars 1999. Ndërsa, sipas të dhënave nga Fondi për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë mbi 13,500 persona.