Ilustrim
Filmonte të burgosurit me kamera, Burgu i Lipjanit obligohet të hartojë rregullore
Disa muaj më parë në Burgun e Lipjanit në disa qeli ishin vendosur kamera të sigurisë, me qëllim monitorimin e të burgosurve. Qëllimi ishte që në këto zona të garantohej siguri më e madhe për të burgosurit.
Mirëpo vendosja e kamerave në hapsira të tilla është konstatuar se kishte probleme ligjore.
Ligji për privatësi kërkon që monitorimi të kryhet me rregulla strikte të sigurisë dhe duke pasur norma të cilat rregullojnë këtë çështje.
Një inspektim i kryer nga Agjencia për Informim dhe Privatëisë ka konstatuar se disa nga qelitë e Qendrës Korrektuese në Lipjan përmbajnë kamera vëzhguese të vendosura lart, të cilat mbulojnë pamje nga shtrati dhe dritarja e qelisë.
Bëhet fjalë për qelitë A3, B4, B5 dhe B16.
Agjencia për Informim dhe Privatësi në shkurt të vitit të kaluar ka realizuar inspektim në këtë qendër, dhe ka gjetur që vëzhgimi me kamerë ka qenë duke u aplikuar vetëm në qelinë B4.
Në këtë qeli ka qenë një e burgosur e cila sipas zyrtarëve të Qendrës, ka probleme me shëndetin mendor dhe është rekomanduar nga personeli shëndetësor që e njëjta të jetë në mbikëqyrje të përhershme.
Sistemi i vëzhgimit të kësaj qelie kishte qenë i ndarë nga sistemi i cili shërben për qëllime të sigurisë, ku qasje në të kishte vetëm oficerja korrektuese e cila është në ndërrim.
Lidhur me këtë, është zhvilluar takim mes Agjencisë dhe Shërbimit Korrektues, në të cilin takim Agjencia është njoftuar se nuk ka akt ose procedurë që rregullon çështjen e instalimit të kamerave në këto qeli.
Sipas vendimit të Agjencisë të nxjerrë më 23 mars 2022, Qendra në fjalë duhet të kujdeset që monitorimi i këtyre të jetë në një dhomë të caktuar nga zyrtarë të caktuar dhe jo në një vend “publik”.
Çka parasheh Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale lidhur me vëzhgimin përmes kamerave?
Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale parasheh të drejtat, përgjegjësitë, parimet e masat ndëshkuese lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë së individit.
Parimet të cilat duhet të respektohen me rastin e përpunimit të dhënave janë ndër të tjera edhe ruajtja e dinjitetit të subjektit të të dhënave.
Ky ligj përcakton edhe atë se çka nënkuptohet me vëzhgim. “Marrja dhe ruajtja e të dhënave vizuale përmes sistemit të instaluar të vëzhgimit me kamerë nga vendet ku personat fizikë lëvizin”.
Agjencia ka obliguar Shërbimin Korrektues të Kosovës që të nxjerrë akt të brendshëm për Shërbimin dhe institucionet vartëse.
Me këtë akt do të përcaktohen procedurat e përpunimit të të dhënave personale, masat etj, ndër të tjera përmes këtij akti do t’i emërojë edhe personat kompetentë në formë të shkruar, të cilët janë përgjegjës për të zbatuar rregullat e Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit menjëherë pas pranimit të vendimit të Agjencisë ka themeluar grupin punues për hartimin e rregullores së brendshme për procedurat dhe masat e sigurisë për mbrojtjen e të dhënave personale.
Si pjesë e këtij grupi punues kanë qenë edhe zyrtari nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, thuhet në njoftimin e Shërbimit Korrektues për KALLXO.com.
Përveç Shërbimit, Agjencia kishte obliguar dhe urdhëruar edhe Qendrën Korrektuese për gra/vajza dhe të mitur në Lipjan.
Kjo qendër si institucion vartës ishte obliguar që të ndërmarrë veprime që kanë të bëjnë me: a) harmonizimin e përpunimit të dhënave në bazë të ligjit të lartpërmendur, b) masa të përshtatshme për sigurimin e një niveli sigurie të përshtatshëm tek vëzhgimi me kamerë, c) këto veprime t’i ndërmarrë në afat prej 15 ditësh nga pranimi i vendimit.
Në njoftimin e Shërbimit Korrektues thuhet se pjesë e kësaj rregulloreje janë edhe formularët përkatës për të standardizuar dhe lehtësuar procedurat nga të gjitha institucionet. Qendra Korrektuese për gra/vajza në Lipjan si dhe të gjitha institucionet tjera kanë marrë masat teknike dhe administrative për zbatimin e kësaj rregullore.