Punimet nga filigrani të grave të dënuara në Burgun e Lipjanit, Foto: KALLXO.com

Arti përmes filigranit në burg

Brenda hapësirave të burgjeve të Kosovës në vazhdimësi zhvillohen aktivitete të ndryshme, të cilat aftësojnë gratë, burrat e të rinjtë në zanate të ndryshme.

Pesë gra të cilat janë në vuajtje të dënimit për vepra të ndryshme penale, disa nga to edhe për vrasje, janë certifikuar në një zanat të cilin e kanë përfituar gjatë kohës sa po qëndrojnë në burgun e Lipjanit.

Unaza dore, varëse, vathë, janë disa prej aksesorëve të cilat janë punuar nga pesë gra, ndërsa materiali i përdorur gjatë punës është filigrani.

Ky aktivitet i cili zgjati për një vit, u shënua si sukses sot në Burgun e Lipjanit në pavijonet ku mbajnë dënimet gratë.

Besa* është njëra nga të burgosurat që po vuan dënimin në Burgun e Lipjanit, e që sot është certifikuar për punime me material filigran.

“Sa i përket projektit, ka qenë i qëlluar dhe shumë i mirëseardhur, nuk ka qenë i rëndë aspak sepse e kemi pritur me shumë kënaqësi dhe shumë gëzim, është diçka e qëlluar dhe shfrytëzoj rastin me i falënderu për këtë iniciativë”- tha Besa.

Tutje e njëjta shton se çfarë përfitojnë nga puna e dorës.

“Kjo na ndihmon shumë për arsye se është diçka që e bëjmë shpirtërisht, me qejf, edhe na ndihmon me thy monotoninë, plus është diçka që shpaguhet edhe kur të dalim prej ktu (burgut)”- shton tutje ajo.

Certifikimi i 5 grave të dnuara në Burgun e Lipjanit pas trajnimit për punime me filigran, Foto: KALLXO.com

Meqë është e njohur me punimin e  materialeve të filigranit, Besa* thotë se me këtë zanat merren edhe familjarët e saj.

“Sa më përket mua, nuk është një zanat i panjohur për mu sepse familjarët e mi merren me argjendari, edhe ka qenë e njohur për mua. Për tjerat ka qenë pak e rëndë sepse është interesant sepse është një tel në pyetje, qashtu doket dhe prej kësaj ki me kriju diçka shumë të madhe e shumë të bukur. Me kalimin e kohës jemi shliru dhe gjithçka ka shku normal”- tregon e njëjta.

Mjeshtri i Filigranit si dhe trajneri i grave të dënuara, Bashkim Tejeci, tha se punimet që ka marrë si përfundim kanë qenë kënaqësi, sepse gratë i kanë punuar me vullnet ato.

“Ne jemi befasuar për të mirë, kemi mendu se do të hasim në vështirësi, ka ndodh e kundërta. Aq kanë qenë të interesuara kandidatet, jam befasuar, për herë të parë në jetën time më ka ndodhur, kanë qenë të angazhuara dhe falë angazhimit dhe vullnetit të tyre tu u bazu në ato kushtet që veprojnë rezultati nuk ka mungu, ky është rezultati mbrapa meje”- tha Tejeci.

Ai shtoi se trajnimi për të përfituar njohuri për punime me filigran është i mjaftueshëm edhe nëse trajnohesh për 1 vit.

“Është i mjaftueshëm, për me heq atë stresin, trembjen profesionale, edhe unë si mjeshtër nëse hasi në një punim për herë të parë e kam njëfarë lloj stresi njëfarë treme, pak është e vështirë për me e heq trembjen por mjafton sepse këto kanë arritur shumë por po mundohemi nëse munden me vazhdu edhe një vit atëherë kishte me qenë, veç munden me qenë mjeshtër të filigranit”- shton tutje trajneri.

Gresa* është një tjetër e burgosur e cila u certifikua të enjten. Ajo shpjegon punën që është bërë brenda vitit të kaluar kur edhe ka nisur trajnimi.

“Për neve janë shumë të nevojshme dhe ka qenë i mirëseardhur ky trajnim dhe mundem me thanë që ka qenë një prej trajnimeve më të qëlluara këtu. Për neve ka qenë eksperiencë e re, diçka ndryshe për me punu me këtë, ma ndryshe se të tjerat. Jemi mundu e kemi dhënë maksimumin për me arrit deri këtu ku kemi bo sot”- tregon ajo.

Punimet e njërës nga gratë e dënuara në Burgun e Lipjanit, Foto: KALLXO.com

Tutje, e njëjta shton se nuk ka pasur njohur për materialet që përpunohen në filigran, por që trajnimi e ka aftësuar për këtë punë.

“Unë kam fillu me punu këtu duke qenë e vetëdijshme se në të ardhmen mundet me më shërby shumë dhe mendoj se ka me më ndihmu shumë në të ardhmen”- shton ajo.

”Jo nuk e kam ditë nuk kam pasur njohuri për filigranin. Kemi pasur trajnim dy herë brenda javës nga 2 orë deri në 4 orë varësisht edhe prej kohës që kanë pasur profesorët. Trajnimi ka qenë 1 vit por mendoj se do të ishte i mirëseardhur edhe një mandat tjetër, për arsye se besoj se kishim arritur në nivel tjetër përveç këtij”- përfundoi ajo.

“Ndikojnë shumë pozitivisht, fillimisht merresh me diçka shumë të mirë dhe shumë pozitive dhe përfiton eksperienca të reja përvoja të reja në jetë, të cilat munden me tu dashtë në secilin hap të jetës në të ardhmen”- përfundoi Gresa*.

Punimet e njërës nga gratë e dënuara në Burgun e Lipjanit, Foto: KALLXO.com

Në këtë përfundim të këtij trajnimi, u panë zyrtarë të lartë të Shërbimit Korrektues, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e partnerë të ndryshëm të cilët ndihmuan që gratë të trajnoheshin.

Haxhiu foli për rëndësinë e aktiviteteve që ndërmerren brenda burgjeve të Kosovës dhe aftësimin që marrin të burgosurit gjatë vuajtjes së dënimit, aftësim ky që mund të ndikojë edhe pasi të lirohen.

“Jam tejet e lumtur që diplomimi i sotëm i pesë grave është dëshmi se ky qëllim për rehabilitim dhe aftësim është një hap më shumë drejtë përmbushjes së tij. Ajo çka është e rëndësishme të vihet në pah është se diplomimi i pesë grave është shembull për të gjitha gratë tjera në këtë institucion për ta ndjekur të njëjtin model dhe të aftësohen profesionalisht në një fushë që do tu ndihmojë atyre si gjatë kohës brenda në institucion po ashtu edhe pas përfundimit të dënimeve më vonë”- tha Haxhiu.

Zëvendës drjetori i burgjeve Ismajl Dibrani tha se pas themelimit të njësisë ekonomike punimet e grave të dënuara mund edhe të shiten.

“Së fundi është miratuar edhe Ligji për Shërbimin Korrektues të Kosovës, në kuadër të kësaj është e paraparë edhe themelimi i njësisë ekonomike, këto punime di të ekspozohen këtu në burg por me themelimin e njësisë ekonomike ne do të kemi mundësi që këto produkte t’i plasojmë edhe në treg në mënyrë që të krijojmë të hyra dhe këto të hyra t’i kthejmë pastaj në zhvillim të aktiviteteve të tjera për këto gra”- tha Dibrani.

Shqipe Breznica nga organizata “Help Kosova” partnere kryesore në këtë trajnim, tha se nëse investohet në qytetarët që kanë rënë ndesh me ligjin, ulet numri i recidivizmit por edhe përfitojnë zanate të ndryshme dhe Kosova bëhet një vend i mirë edhe për ta.

“Neve kur na është kërkuar kjo, ne e dimë që ky zanat këto punimet zbukuruese që punohen nga metali i hollë prej metali e argjendi, nuk është interesante për gjeneratat që po vijnë dhe na u dok intriguese dhe thamë me vete ndoshta kish me qenë mirë me mbajtë gjallë, këtë zanat dhe me mujtë me u identifiku si Kosovë me diçka që e bëjmë shumë moti”- tha Breznica.

Ajo shtoi se trajnimet e tilla kushtojnë shumë por që të njëjtat janë të vlefshme edhe në tregun jashtë Kosovës.

“Ky trajnim ka filluar me 12 gra mandej ka ra në 10, 8 dhe në fund certifikohen 5. Certifikimi i këtyre grave neve na ka kushtu ma shumë se që na kushton me trajnu dikë në sigurinë kibernetike, kështu që të jemi në dijeni se po flasim për një trajnim që ja vlen, edhe me investu dhe ato certifikata për ju që jeni trajnu kanë me qenë shumë të vleshme në tregun e jashtëm”- Breznica.

Aktiviteti u mbyll edhe me një koktej me ushqime të ndryshme të cilat ishin gatuar nga gratë brenda Burgut të Lipjanit.

*Emrat janë ndryshuar për të mbrojtur identitetin e grave