Aktakuzë ndaj ish-gardianit serb, dyshohet se maltretoi të burgosurit shqiptar në burgun e Prishtinës dhe Lipjanit

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur sot se ka ngritur aktakuzë kundër një personi me inicialet D. M. i cili gjatë periudhës së luftës në Kosovë ka qenë gardian i burgut të Prishtinës dhe atij të Lipjanit.

Duke qenë në këtë cilësi ai dyshohet se i kishte maltretuar të burgosurit shqiptarë.

Këtë maltretim, dosja e prokurorisë thotë se e ka bërë në bashkëkryerje me zyrtarë tjerë dhe në mënyrë sistematike.

“Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri D. M. ish gardian i Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve, duke vepruar në kundërshtim dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës, përkatësisht konfliktit të armatosur, gjatë gjithë kësaj periudhe kohore në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë”- thuhet në njoftimin e prokurorisë speciale.

Maltretimi dyshohet se ishte bërë përmes torturimit në mënyrë  ç‘njerëzore me mjete të ndryshme.

Këto veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë – thuhet tutje.

Përveç akuzës ndaj tij për krime lufte kundër popullatës civile, ndaj D. M. rëndon edhe akuza për armëmbajtje pa leje.

Në lidhje me krimet e luftës, Prokuroria Speciale kishte thirrur konferencë për media në fillim të këtij muaji lidhur me numrin e aktakuzave dhe personave të akuzuar deri më tani.

Në këtë konference për media, Prokuroria Speciale Drita Hajdari kishte njoftuar se ka ngritur 33 aktakuza për 89 persona në lidhje me krimet e luftës.

“Në mesin e këtyre rasteve ka qenë edhe ai për masakrën e Mejës dhe shumë raste të tjera. Ju njoftoj se deri më tani janë ngritur gjithsej 33 aktakuza me 89 persona të akuzuar. Kryerësit e këtyre veprave penale nuk kanë qenë në Kosovë, kanë qenë në Serbi. Kjo ka paraqitur vështirësi në ngritjen e aktakuzave, mirëpo kjo rrethanë nuk na ka ndalë” – kishte thënë prokurorja Hajdari në konferencë.