Rikthimi i bahçes në pandemi, Treboviq, Pejë. Foto nga arkiva e familjes Shala

Fara të reja për bahçet e vjetra, fenomeni i pandemisë

Bahçet e vogla mbesin shkëndijë nostalgjike në kujtesën kolektive. Dikur pjesë e pandashme e oborrit të pothuajse çdo dytës shtëpi, bahçet po shuheshin çdo ditë e më shumë. Pandemia dhe izolimi nëpër shtëpi ka sjellë një hov të madh në rikthimin e këtij aktiviteti. 

Kultivimi i pemëve dhe perimeve nëpër bahçe përgjatë historisë ka qenë jo vetëm aktivitet agrar, por edhe mënyrë jetese e mbijetese. Modernizimi i prodhimit dhe krijimi i familjeve bashkëkohore ka bërë që bahçet të shuheshin dalëngadalë si fenomen shoqëror. 

Por, perimet shumëngjyrëshe në këndet e vogla e në bahçe i rimugulloi pandemia. Me karantinën totale u krijuan dhe rikrijuan qoshe të tilla nëpër oborre të shtëpive, të cilat aq sa konsiderohen remishente aq edhe ndihmuan njerëzit që ta tejkalojnë izolimin.

Për të ‘thyer’ karantinën, për të siguruar ushqim të shëndetshëm si masë parandaluese ndaj infektimit dhe për të shmangur kontaktin me gjësende nga jashtë, familja Shala nga Treboviqi i Pejës në oborrin e tyre kanë ngritur një strehë najloni për perimet.

Prej kur kanë vënë farën e bahçes në mars të vitit 2020, familja Shala vazhdon që burimin kryesor të ushqimeve në tavolinën e tyre t’i kenë nga ‘krijesa e karantinës’, bahçja.

Që nga fillimi i pranverës deri në fund të vjeshtës ata kultivojnë shumicën e perimeve që i përshtaten klimës kontinentale të Kosovës: domate, speca, patate, karrota, tranguj, qepë, kunguj e majdanoz. Ndërsa gjatë dimrit veçse i kanë të gatshme për përdorim. Edhe pse është pothuajse fillimi i dimrit, bahçja e familjes Shala ende është e gjelbër e prej të cilës ende po këputin perime.

“Ne kemi pas fatin që izolimin e kemi shndërruar në diçka pozitive, që të bënë të ndjehesh mirë. 10 minuta të kaluara në bahçe të largonin 10 minuta nga shqetësimi, dezinformimet, teoritë konspirative mbi virusin, realitetin e kohës e shumë gjëra tjera” tha Medina, njëra nga anëtaret e familjes.

Rikthimi i bahçes në pandemi, Treboviq, Pejë, 26 nëntor 2021. Foto: Familja Shala

Shala e cila aktualisht jeton dhe punon në Prishtinë tregoi për BIRN, që edhe pse ideja për mbjelljen e bahçes ka qenë e prindërve, përkujdesja ndaj bimëve ka bërë që ajo gjatë rikthimit nga Prishtina në Pejë gjatë karantinës së plotë, t’ia lehtësoj fazën më stresuese të jetës së saj.

Edhe pse pesë ditë të javës tash ia kushton punës së saj në Prishtinë, ajo gjatë dy ditëve vazhdon të përkujdeset për bahçen në vendlindjen e saj.

“Përkushtimin ndaj bahçes e shoh si një plus shumë të madh në aspektin psikologjik sepse në një formë ka mbrojtur shëndetin mendor timin dhe të familjes” potencoi ajo duke shprehur kënaqësinë që ka përjetuar përvetësimit të zanateve e përpunimit të ushqimit homemade (të përgatitura në shtëpi).

Meqë bahçen nuk e kanë shumë e madhe, familja Shala zakonisht kujdesen për të në orët e hershme të mëngjesit apo vonë në mbrëmje çdo dy ditë, nga një herë e gjithë familja e nga një herë në varësi se cili ka kohë më të lirë. 

Ra pandemia dhe për herë të parë edhe një grua nga Sllatina e Fushë Kosovës ka nisur rijetësimin e kulturës që e ka kultivuar gjyshi i saj.  Të nisur vetëm si humbje kohe gjatë lockdown-it për shkak se me profesion është edukatore, 45 vjeçarja thotë se bahçja i është shndërruar në një nga pasionet e saj më të mëdha.

“Nuk mendoj me ndërpre punën në bahçe. Më ka ndihmuar ta kaloj një fazë jo të mirë të jetës” tha tha Arjeta*, e cila nuk dëshiroi te publikonte emrin e saj të vërtetë. 

Domatet më ajo nuk i blen në tregun e Fushë Kosovës, por i këput nga serra për të cilën kujdeset vet. Gjatë verës kultivon speca, tranguj, dredhëza, feferona, shalqi e pjepër. Kurse gjatë vjeshtës mbjell spinaq dhe pazi të cilat i përdor gjatë dimrit.

“Prej që e kam serrën, deri tash domate nuk kam blerë. I kam pritë deri të pjeken domatet që i kam mbjell vet” tha ajo.

Që nga karantina, deri në dy orë të ditës ajo ia kushton kujdesit të ambientit ku i kultivon perimet.  Fillimisht kishte nisur të kultivonte perime sa për familjen e saj dhe të afërmit.

“Kur t’i mjelli ma shumë ka punë, se kërkojnë më shumë kujdes. Mandej si fillojnë të rriten nuk ka problem, nuk është edhe vështirë shumë” tha ajo duke potencuar që prej që kultivon vetë ndjen siguri më të madhe për familjen e saj gjashtë anëtarëshe.

“Shumë ma mirë me i pasë produktet e tua, sepse e kam shumë kam merak me i pasë të gjitha nga pak” tha ajo, e cila ka punuar një serrë me 10 metra gjatësi, 5 metra gjerësi.

Rijetësimi i bahçeve – rikthim tek toka apo fluskë pandemie?

Nga një ‘krijesë karantine’, familja Shala kanë vendosur që bahçen ta kthejnë në një burim prej të cilit do të vetëpërfitojnë dhe do të shmangin blerjen e artikujve në supermarkete.

Edhe pse e kanë filluar intensivisht këtë punë vetëm si aktivitet karantine, kjo familje nuk planifikon ta ndërprej punën në bahçe dhe pse jo nëse i vjen mundësia ta zgjerojnë në të ardhmen. Sipas Shalës,  jetesa në fshat ta imponon të merresh me aktivitete bujqësore, ani pse është e paevitueshme blerja e produkteve nga jashtë. 

“Ndjehem shumë mirë që ushqehemi me perime bio, pa e vrarë mendjen se i ka prekur dikush, ka teshtit dikush pranë tyre, janë të papastëra, janë të spërkatura ose janë kultivuar me kimikale dhe pesticide” thotë Shala.

Edhe pse ata nuk planifikojnë ta zgjerojnë si një biznes prejt të cilit do të përfitonin, ata këtë ide të shndërruar në burim ushqimi nuk planifikojnë ta ndërprejnë, përkundrazi i motivon më shumë në vazhdimin e investimit të kohës dhe përkushtimit.

Rikthimi i bahçes në pandemi, Salltinë, Fushë Kosovë. Foto nga arkiva e familjes.

Ndërsa, kryefamiljarja nga Sllatina përpos që nuk e ka mendjen ta ndërprej punën me perime, ajo shpreson që ta zgjeroj edhe në biznes nëse i sigurohet ndihma shtesë.

“Nëse mundem ta siguroj sistemin e ujitjes kisha pasë dëshirë ta zgjeroj si biznes, sepse tash më duhet vet me i ujitë pikë për pikë” tha ajo.

Ajo e cilëson si punë të leverdishme për të zgjeruar në biznes, por punë që kërkon ndihmë shtesë nga shteti për të prodhuar më shumë produkte se sa vetëm për konsum familjar.

Tokë e plleshme me bujqësi të stagnuar

Krahas mbjelljes së bahçeve, bujqësia nuk e ka hovin e prodhimit kryesor në Kosovë, ani pse Kosova njihet për tokë të plleshme për shkak të pozitës së mirë gjeografike – të rrethuar me male.

Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Profesori i agrobiznesit në Universitetin e Gjilanit, Xhevat Sopi duke pasur parasysh të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për rritjen e prodhimit bujqësor për vitin 2020,  thotë se karantina ka mundësi të ketë shtuar rritjen e produkteve bimore në dy vitet e fundit.

Të dhënat e ASK,  thonë se në vitin 2020, prodhimet bimore kanë shënuar rritje për 8.3%, krahasuar me vitin 2019. Rritja në vlerën e prodhimeve bimore mund të shpjegohet kryesisht me rritjen e prodhimit të drithërave, bimëve foragjere, pemëve dhe patateve.

“Bazuar në faktorët social- psikologjik dhe nga kontaktet individuale me njerëz nga viset rurale mund të mbështesim hipotezën se karantina ka ndikuar në rikthimin e kopshteve apo bahçeve për të kultivuar perime për nevojat familjare apo edhe shtimin e aktivitet bujqësor në fshat” potencoi ai.

Sipas Sopës, prodhimi i vogël familjar ka një ndikim në uljen e importit por është është simbolik. Ai vlerëson se në uljen e importit ndikon prodhimtaria intensive, që nënkupton kultivimin në sasi më të mëdha ku mund të aplikohen metoda, teknika dhe teknologji moderne e cila siguron rendiment të lartë, cilësi të prodhimeve dhe kosto të ulët.

Sipas një ankete për ekonominë bujqësore nga ASK për vitin 2020, nga gjithsej tokë e punueshme prej 188 371,71 hektarë në Kosovë, rreth  10 115,45 janë të mbjellura me perime në fushë të hapur, në serra dhe kopshte.

Megjithatë, agronomi konstaton se numri i familjeve që merret me bujqësinë tradicionale ka shënuar rënie për shkak të profitabilitetit të ulët në fermat e vogla, kostos së lartë oportune por edhe për shkak të faktorëve tjerë ekonomik dhe shoqëror.