Gjatë pandemisë ka pasur keqpërdorim me antibiotikë

Lul Raka, mikrobiolog, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se në kohën e pandemisë është bërë keqpërdorim masiv me përshkrim të antibiotikëve.

Ai ka shtuar se në fillim të pandemisë e kanë pasur udhërrëfyesin, ndërsa vitin e dytë e kanë përditësuar atë, sepse sipas tij, ka pasur keqpërdorim me antibiotikë.

“Problemi këtu ka qenë që pasqyra nuk ka ndërru, nuk ka pasur mbikëqyrje të mjaftueshme në kujdesin parësor sidomos te pacientët që s’kanë simptoma hiç, ose që kanë simptoma të lehta s’ke nevojë me bombardu me antibiotik, që është i fundit që e përdorim” – ka thënë Raka.

Ai ka thënë gjithashtu që në bazë të një studimi në 50 spitale në Evropë, Kosova ka numrin më të madh të fëmijëve të porsalindur me imunitet ndaj antibiotikut më të fuqishëm, që përdoret vetëm në raste shumë të rralla.

“Antibiotiku ‘Imipenem’, është i fundit që e kemi në rezervë edhe më i fuqishmi, e kemi dhënë pa dhimtë në kujdesin parësor. Rezultatet e fundit që janë bërë 5 vjeçare në 50 spitale të Evropës kanë treguar se në Kosovë ka dalë numri më i madh i fëmijëve të porsalindur me një bakterie që është rezistent ndaj këtij antibiotiku më të fuqishëm. Nëse një fëmijë i porsalindur e ka atë mikroorganizëm, të cilin s’ke me çka me mjeku, kjo është alarm” – ka thënë Raka.