Intelegjenca artificiale mund të përdoret për të shkaktuar pandemi edhe më vdekjeprurëse

Listës së shumë gjërave negative që na kërcënojnë për shkak të intelegjencës artificiale, IA, duhet t’i shtohet edhe një tjetër – një pandemi. Dhe jo një pandemi e tillë çfarë ishte koronavirusi, që në një kohë të shkurtër ndryshoi mënyrën se si jetojmë dhe punojmë, por një pandemi shumë më vdekjeprurëse.

Këtë e paralajmëroi Mustafa Suleyman, një njeri që e kupton mjaft mirë këtë temë sepse është një nga themeluesit e DeepMind, një kompani e fokusuar në zhvillimin e intelegjencës artificiale që u mor përsipër nga Google nëntë vjet më parë. Ndërkohë, ai ka ndryshuar punën e tij, por ai ende është duke punuar në zhvillimin e IA dhe është i vetëdijshëm për të gjitha anët pozitive dhe negative të kësaj teknologjie revolucionare. Dhe këto pasoja negative mund të jenë mjaft katastrofike.

Si i ftuar në një podcast të kohëve të fundit, Suleyman e përshkroi si skenarin më të keq që, duke përdorur IA, njerëzit mund të fillojnë të eksperimentojnë me patogjenë, patogjenë sintetikë që aksidentalisht ose qëllimisht mund të bëhen jashtëzakonisht të transmetueshëm dhe vdekjeprurës dhe mund të fillojnë të përhapen nëpër popullatë. Ai dha edhe një shembull për këtë. Për shembull nëse në pesë vjet ndonjë “fëmijë në Rusi”, me ndihmën e intelegjencës artificiale, përdor metoda të inxhinierisë gjenetike për të krijuar një patogjen dhe për ta lëshuar atë në botë, i cili mund të shkaktojë një pandemi me pasoja të rënda për të gjithë planetin.

Shpresojmë që skenarë të tillë do të mbeten vetëm në teori dhe nuk do të realizohen asnjëherë në botën reale, sepse ne mund të imagjinojmë vetëm se si do të dukej një botë e tillë. Dhe për ta shmangur një skenar të tillë, Suleymani, si shumë ekspertë para tij, bëri thirrje për rregullimin e kësaj teknologjie. Gjithashtu, ai beson se është e nevojshme të kufizohet qasja në mjete dhe njohuri që mund të përdoren për skenarët e përmendur të shkaktimit të një pandemie dhe të ngjashme.

Ai theksoi se njerëzit që janë në industri dhe që janë më afër zhvillimit të intelegjencës artificiale, si ai, me të vërtetë mund të imagjinojnë se si gjërat mund të dalin jashtë kontrollit në pesë deri në dhjetë vjet, dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të reagojmë tani. Ne vërtet po eksperimentojmë me materiale të rrezikshme. Antraksi nuk është diçka që mund ta blini në internet dhe të eksperimentoni lirisht. Ne duhet ta parandalojmë qasjen në gjëra të tilla, paralajmëroi Suleymani./NY Post

Përgatiti: Nuhi Shala